Përdorimi i teknologjisë informative në procesin mësimor

Sot, teknologjia informative ka një ndikim të shumanshëm në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Sot, teknologjia informative ka një ndikim të shumanshëm në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Aq shumë ka ndikuar teknologjia saqë, sipas parashikimeve, në të ardhmen mund ta ndryshojë krejtësisht procesin mësimor, përkatësisht mund t’i ndryshojë raportet e faktorëve që e determinojnë procesin e arsimit e këta janë: nxënësi, lënda mësimore, metodologjia e mësimdhënies, mësimdhënësi dhe prindërit. 


E dimë se qysh në antikitetin grek, pedagogët e parë janë munduar që ta konkretizojnë sa më shumë dhe ta bëjnë më të qartë atë që kanë dashur ta transmetojnë tek nxënësit e tyre. Nëse duam të shkojmë edhe më thellë në histori, atëherë përpjekjet e para për futjen e mjeteve ndihmëse në edukimin e brezave të rinj, i vërejmë qysh tek njerëzit e parë ose primatët tanë.


Le të fillojmë me format e para:

Në shpella të ndryshme, 30.000 vite para erës sonë, në vende të ndryshme të botës janë gjetur vizatime të ndryshme. Këto vizatime janë një mesazh që u është drejtuar kryesisht njerëzve të asaj kohe dhe sigurisht mjetet që janë përdorur për t’u dhënë formë këtyre vizatime janë eshtrat e kafshëve dhe guri. Më vonë, pas erës sonë, revolucion në teknologji paraqet zbulimi i letrës nga kinezët, pastaj shkrimi me dorë i librave apo i ashtuquajturi manuskripti etj. Në vitin 1450, teknologjia merr një hov edhe më të madh me zbulimin e shtypshkronjës nga Gutenbergu. Viti 1700, shënon përdorimin e dërrasës së zezë dhe shkumësit. Viti 1800-libri futet si element i tretë në mësimdhënie.

Që nga viti 1940 e tutje, hyjmë në të ashtuquajturën epokë audiovizuale, me ç’rast vit pas viti në mësimdhënie futen: radio, televizioni, projektorët e ndryshëm, videot, informacioni zgjerohet, kemi zbulime të rëndësishme në shkencë, zhvillime në kulturë etj. Ndërkaq që nga 1990 e tutje, praktikisht hyjmë në  epokën e kompjuterit, me ç’rast futet në masë përdorimi i tyre, pastaj tabelat SMARTBOARD, interneti, laptopët e ndryshëm, rritet interaktivieti elektronik etj.


     Por, si do të ndikojë teknologjia në të ardhmen në procesin mësimor?

Ka shumë pikëpamje, por do të theksoja tri elemente që do të mund të ndikonin dukshëm në procesin mësimor. Këto janë: Teknologjia e bazuar në Cloud, biometrikë dhe hologrami.

E para, teknologjia e bazuar në Cloud, mundëson ruajtjen e të dhënave, përpunimin e tyre dhe akses online të palëve të interesuara. Shfrytëzimi i kësaj teknologjie në shkollë, do ta shkarkonte nxënësin nga barra e madhe e librave, po ashtu do t’u jepte qasje prindërve për ta përcjellë evoluimin e fëmijëve në procesin mësimor e mësimdhënësit do të mund të vëzhgonin thuajse pandërprerë punën e nxënësve edhe në klasë edhe në shtëpi.


Biometrika është gërshetim i bioteknologjisë dhe teknologjisë së informacionit. Kryesisht është e përqendruar, përveç të tjerash, në ngritjen e një sistemi identifikimi dhe verifikimi të personave. Po ç’hyn kjo në procesin mësimor? Nëse flasim për një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, atëherë qasja në biblioteka elektronike, verifikimi në ditarët shkollorë digjitalë e aspekte të tjera,  biometriken e bën të domosdoshme.


Hologrami nënkupton një fotografi tredimensionale e cila edhe në pjesët më të vogla të saj përfshin krejt foton. E gjithë kjo bëhet me ndihmën e laserëve, që përthyejnë pamjet për t’u krijuar figura interference. Kjo teknologji bën të mundur ruajtjen e qindra fotove dhe pasqyrimin e tyre në kohë reale. Nëse në një njësi mësimore nga historia, ne do të kishim nevojë për t’i parë piramidat e Egjiptit, atëherë hologrami, do të na e mundësonte t’i kishim para syve “live”. Madje, përmes hologramit, edhe vetë mësimdhënësi do të mund të zëvendësohej. Mbase,për t’u përsosur interaktiviteti i hologramit-mësimdhënës me nxënës e studentë do të duhet edhe pak kohë, mendoj në atë masë që mësimdhënësi do të zëvendësohej plotësisht nga hologrami.


Sigurisht, në Kosovë për të arritur kjo teknologji duhet kohë, por këto janë tendencat e përfshirjes se teknologjisë informative në procesin mësimor.

 (Nga Astrit Hoxha, student në nivelin Master në Fakultetin e Edukimit)

21,306 Lexime
8 vjet më parë