Arsimi Fillor

Plotësimi i regjistrit, i dëftesës dhe i amzës së shkollës

Duke filluar nga vitit shkollor 2014-2015, regjistrat e klasave I-III janë përshtatur sipas mënyrës së re të vlerësimit. Çdo ditë, mësuesi hedh në regjistër datën, temën e mësimit dhe mungesat e nxënësve.

Duke filluar nga vitit shkollor 2014-2015, regjistrat e klasave I-III janë përshtatur sipas mënyrës së re të vlerësimit. Çdo ditë, mësuesi hedh në regjistër datën, temën e mësimit dhe mungesat e nxënësve. 

Në fund të çdo tremujori, në regjistër plotësohet vlerësimi përshkrues i nxënësve, i cili bëhet për çdo linjë të programit lëndor, në kolonat përkatëse. Në regjistër, vlerësimi bëhet me kode nga 1-5. Në ato linja, orët e të cilave nuk janë zhvilluar ende, mësuesi në fund të faqes së regjistrit bën shënimin “Orët që i përkasin kësaj linje nuk janë zhvilluar ende. 

Një herë në tre muaj, mësuesi i jep prindit informacion me shkrim për përparimin e fëmijës për çdo lëndë, por jo vetëm. Në vlerësimin përshkrues duhet të bëhet edhe një përshkrim i cilësive individuale të nxënësit, të aftësive bashkëpunuese dhe bashkëvepruese me nxënësit e tjerë në realizimin e detyrave dhe punimeve të përbashkëta. 

Në fund të vitit shkollor bëhet vlerësimi përmbledhës, i cili përcakton nivelin e arritjeve akademike të secilit nxënës, po sipas linjave të programeve lëndore. 

Në dëftesë bëhet vlerësimi vjetor i arritjeve të nxënësit, i shprehur me emërtimin e plotë të shkallëve të vlerësimit, ku për secilën lëndë nxënësi merr njërin prej vlerësimeve: “Arritje të pakënaqshme”; “Arritje që kanë nevojë për përmirësim”, “Arritje të kënaqshme”; “Arritje shumë të kënaqshme” dhe “Arritje të shkëlqyera”. 

Në Amzën e shkollës, vlerësimi bëhet me shkurtime të emërtimeve të shkallëve të vlerësimit, ku për: “Arritje të pakënaqshme” shkruhet APK ; për “Arritje që kanë nevojë për përmirësim” shkruhet ANP, “Arritje të kënaqshme” shkruhet AK; “Arritje shumë të kënaqshme” shkruhet AShK dhe “Arritje të shkëlqyera” shkruhet Ash.

Vlerësimi përshkrues bazohet në analizën e plotë dhe të kujdesshme të punimeve me shkrim që janë futur në dosjen e nxënësit, në përgjigjet që jep me gojë, si dhe në pjesëmarrjen e tij në veprimtari të ndryshme që zhvillohen në shkollë. 

Pjesë e vlerësimeve janë edhe përgjigjet me gojë që jep nxënësit. Në këto përgjigje, nxënësi vlerësohet për mënyrën si shprehet, te qartësia e prezantimit, te të shprehurit me intonacionin e duhur, te shqiptimi i saktë i fjalëve, te përgjigjet që japin ndaj pyetjeve që i bëhen, te interpretimet që bën, te besimi te vetja për mendimet që shfaq etj. 

Nga klasa e parë në të tretë, në portofol futen detyra shtëpie dhe klase që kanë lidhje me konceptet kryesore të trajtuara gjatë secilës periudhë tremujore, punime individuale që fëmijët i bëjnë në kohën e lirë, punime tematike, projekte kurrikulare ose module mësimore të kryera në orët e lira, kërkime individuale, skeda, vëzhgime, fisha vetëvlerësimi, opinione dhe mendime të nxënësve për punët e përbashkëta në grup, reflektime individuale të nxënësve, teste, detyra kontrolli nga drejtoria e shkollës apo DAR/ZA-ja, që dëshmojnë përparimin e nxënësit në periudhat të ndryshme të vitit shkollor. 

  • Në vlerësimin përshkrues që i bëhet nxënësit, raportet ndërmjet llojeve të ndryshme të punimeve janë si më poshtë: 
  • Detyrat e shtëpisë zënë rreth 15% të vlerësimit; 
  • Detyrat e klasës dhe përgjigjet me gojë zënë rreth 30% të vlerësimit; 
  • Punimet individuale, punimet tematike, projektet dhe modulet e zhvilluara në mënyrë individuale ose në grup zënë rreth 25 % të vlerësimit; 
  • Testet dhe detyrat e kontrollit zënë rreth 30 % të vlerësimit. 

(Marrë nga broshura informuese për vlerësimin përshkrues dhe përmbledhës, IZHA)

18,052 Lexime
7 vjet më parë