OPINION

Pse ka më shumë mësuese se sa mësues?

Nga sondazhet dhe treguesit historikë të performancës së grave si mësuese bie në sy një lloj "epërsie gjinore" e tyre, që mbase është e lidhur me strukturën gjinore, personalitetin, aftësinë e komunikimit të butë dhe empatik, me durimin dhe tolerancën.

Pavarësisht progresit të në sferën e gjerë e të ndërlikuar të barazisë gjinore në aspektin e të drejtave themelore të njeriut, kur problemin e shikojmë në aspektin e përkatësisë, zgjedhjes, përzgjedhjes apo caktimit të profesionit, aspekti dikotomik (ndarësia) është më i dukshëm. Padiskutim që gjithnjë, në të gjitha kohërat përfshirë edhe kohën postmoderne, gjithnjë ka pasur një "predestinim gjinor", një kufizim të hapësirës determinante të disa punëve dhe profesioneve të ndara për gra apo për burra. Janë shumë profesione të gjykuara apo të paragjykuara si të "përshtatshme" vetëm ose kryesisht për gratë.

Padiskutim kjo situatë është më evidente, intensive dhe e zgjeruar në profesionin e mësuesisë, ku jo vetëm këtu tek ne, por edhe në vendet e tjera dominojnë gratë profesioniste si mësuese dhe edukatore. 

Kjo mbase duke nisur nga një lloj shikimi socialmekanik, që ka të bëjë me biologjinë dhe ontologjinë e thelbit të gruas si nënë, edukatore e natyrshme. Është realitet i padyshimtë që përgjithësisht gratë në Shqipëri por jo vetëm janë parë si të përshtatshme për profesionet e shërbimit, sikurse janë mësuesia, mjekësia, shërbimi social por dhe nivelet e mesme ekzekutive në administratën publike.

A është normale kjo? A ka gjë të keqe në këtë dikotomi gjinore profesionale?


Është zgjedhje e vetë grave që parapëlqejnë që në vogëli dhe ushqejnë me frenetizëm ëndrrën profesionale për tu bërë mësuese apo kjo është në të njëjtën kohë edhe një lloj reminishence e maskilizmit që ndihet edhe në sferën e gjerë të mësuesisë.


Mbase kjo nuk ka lidhje aq shumë direkte dhe të drejtpërdrejtë me faktin që në shoqërinë tonë akoma janë të forta edhe në sferën e profesionit normat e vjetra kulturore maskiliste. Mbase shoqëria dhe politika në këtë vend favorizimin e gruas në "profesionet e shërbimit" sikurse është edhe mësuesia e kanë konsideruar si mbështetje gjinore, favorizim pse jo edhe si "diskriminim pozitiv" për gratë, duke i larguar ato me "elegancë" nga ca profesione "burrërore".


Kjo situatë duhet parë të paktën në dy aspekte të përgjithshme, mbase përtej politikave gjinore të majta apo të djathta. Sepse "manteli gjinor" i përshtatshmërisë së femrës me mësuesinë në thelb mund të jetë një gabim gjinor "kufizues", mbase me pak nuanca diskriminuese të "fshehura". Mbase edhe për hir të traditës, zakoneve dhe stereotipisë profesionale të gruas në radhë të parë si e përshtatshme nga "biologjia" për të qenë mësuese dhe edukatore.


Reduktimi i roleve të gruas vetëm në sferën e gjerë të shërbimeve ndaj "tjetrit" qoftë nxënës apo klient që përfiton shërbime me natyrë sociale mund të ketë reminishencë pe një lloj platforme gjinore konservatore, që akoma është e fortë në shoqërinë tonë. Askush nuk ka të drejtë që në emër të aftësisë dhe përshtatshmërisë së gruas me profesionin e mësueses, të kërkojë që ajo të jetë e mbyllur akoma në kornizën e ngushtë të një lloj "fataliteti profesional" apo ta mbajë atë të lidhur me disa "role e profesione historike".

Padyshim nga sondazhet dhe treguesit historikë të performancës së grave si mësuese bie në sy një lloj "epërsie gjinore" e tyre, që mbase është e lidhur me strukturën gjinore, personalitetin, aftësinë e komunikimit të butë dhe empatik, me durimin dhe tolerancën, aftësinë për të qenë më të hapura dhe kamerateske me fëmijët dhe nxënësit. Janë më sistematike, kanë rendiment më të lartë, kanë shifra më të ulëta të skarcitetit pedagogjik, janë më të përqendruara sepse kanë më të kufizuar pjesë e kohës vanitoze që meshkujt si rregull e përdorin për qejfe personale, etj. Megjithatë kjo e vërtetë nuk është e instancës së fundit sepse ka dhe mësues meshkuj të aftë, brilant, kreativë, me autoritet.

Profesioni dhe performanca e mësuesisë nuk është e lidhur fatalisht me përkatësinë gjinore. Secila gjini ka pluset, epërsitë dhe mangësitë e veta. Profesioni i mësuesit është "lëkura profesionale" që njeriu i vesh vetes dhe që në një farë mënyre sintetizohet dhe sinkronizohet me emrin konkret të njeriut që ushtron këtë profesion. Pavarësisht gjinisë, por tërësisht e lidhur me pasionin vetjak dhe krenarinë profesionale individuale!



Gëzim Tushi

Sociolog, Mjeshtër i Madh



(Portali Shkollor) 

3,491 Lexime
4 vjet më parë