
Rodian Akulli, mësuesi që ktheu klasën në një lëvizje bamirësie
Rodian Akulli, mësues i anglishtes në Remas, Divjakë, ka kthyer klasën në një lëvizje bamirësie. Përmes pasionit, nxiti nxënësit të ndihmojnë familjet në nevojë. “Arsimimi pa vlera bën djaj me shkollë,” thekson ai, duke i mësuar të jenë qytetarë ndryshues.
Rodian Akulli është mësues i gjuhës angleze prej 20 vitesh në Remas, Divjakë. Për të, profesioni i arsimtarit nuk ka qenë kurrë thjesht një punë, por një mision për të ndikuar pozitivisht tek nxënësit dhe komuniteti.
“Para se të kisha privilegjin dhe mundësinë të bëhesha arsimtar, e shikoja këtë profesion ashtu siç duhet, të nderuar dhe fisnik. Nuk e kam parë kurrë vetëm si punë por edhe si rol, për të bërë diçka ndryshe apo ndikuar sadopak për ndryshim për mirë përmes dhe përtej anës arsimore,” thotë ai.
Gjithçka nisi nga pasioni për të ndarë zemrën me nxënësit dhe për t’i frymëzuar ata përtej librave. “Ka qenë një moment kyç ku reflektimi im në mes të nxënësve, dikur si ata dhe tani mësues, se çfarë ndjeja të bëja për njerëzit, por nuk dija se si… Doja të zbuloja nxënës si unë dikur, si dhe të nxisja të tjerë, e kështu të bëheshim një skuadër për të arritur së bashku të bënim ndryshimin dhe të bëheshim shembull pozitiv.”
Nga kjo nismë lindi një skuadër shkollore me motiv bamirësie dhe bazë vullnetarizmi, që ndihmonte familjet e veja, jetimët dhe ata në varfëri ekstreme. Nxënësit, me mbështetjen e prindërve dhe bashkëpunimin e pushtetit vendor e drejtorisë së shkollës, siguronin ushqime mujore dhe pajisje shkollore për fëmijët në nevojë.
Akulli kujton: “Për habinë time kjo u mirëprit më shumë nga ç’mendoja unë. Unë isha gati dhe nuk humbën aspak kohë të mobilizioheshim.”


Në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare humanitare Foodbank, ai dhe nxënësit u trajnuan si vullnetarë për të qenë efektivë në komunikim, organizim dhe sensibilizim. “Ne mund të frymëzojmë duke folur, por duhet edhe të pajisim me mjete dhe aftësim për të bërë diçka cilësore dhe që zgjat në kohë.”
Kështu u krijua Lëvizja Vullnetarizmi për Bamirësi, e cila zgjati pesë vite dhe ndikoi thellë jo vetëm te komuniteti, por edhe te nxënësit. Përmes aktiviteteve dhe fushatave ndërgjegjësuese, ata mësuan çfarë do të thotë sakrificë, bashkëpunim dhe dashuri për njerëzit. “Pa sakrifikuar diçka nuk mund të bësh diçka tjetër që e do. Asgjë nuk ndodh lehtë dhe brenda zonës së rehatisë. Kjo bëhej çdo herë duke dhënë shembullin i pari. Nuk mund të bëhej ndryshe.”
Kontributi i nxënësve shpesh kalonte përtej orëve të mësimit. Ata dhuronin kohën e tyre të lirë, energjinë dhe shpesh edhe nga kursimet e tyre për të ndihmuar familjet në nevojë. “Për ne, këto familje nuk ishin thjesht objekti i këtij projekti, por ne këto familje i donim me gjithë shpirt.”
Bashkëpunimi me Foodbank Albania solli mbështetje konkrete, nga paketat ushqimore për më shumë se 30 familje, deri te mbështetja financiare për fushatat sensibilizuese. “E nisëm duke trokitur si nevojtarë, por u bëmë partnerë të Foodbank. Ka qenë përvojë emocionuese dhe zhvilluese për të gjithë ne.”


Ky projekt, sipas tij, nuk ishte një “zjarr kashte”, por një nismë me vizion dhe strukturë, që u rrënjos te nxënësit frymën e solidaritetit.
“Nxënësit nuk u bënë vetëm dëgjues të mirë dhe ndihmues sipas udheqjes sime, por vetë zemra dhe mendja e tyre nisi të punonte për të parë nevojat në komunitet dhe sillnin dhe bënin apel për familje të harruara në nevoje akute. Kështu u bëmë bashkë.”

Për të, mesazhi i Nënë Terezës ishte busull orientuese: “Ne s’smund të bëjmë gjëra të mëdha, por vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo përvojë, thekson ai, ishte një mënyrë për t’u dhënë nxënësve besimin se ata janë dikush, se mund të bëjnë diçka pa interes vetjak dhe se mund të bëhen pjesë e një kauze më të madhe se vetja.
Në fund, ai përmbledh mësimin kryesor: “Arsimimi sado i dobishëm qoftë, PA VLERAT, duket se bën djaj me shkollë.”
Rodian Akulli beson se nisma të tilla duhet të rijetësohen dhe mbështeten nga i gjithë komuniteti dhe institucionet shtetërore, duke vënë mbi të gjitha dashurinë për njerëzit.

© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Një mësimdhënës i shquar si Fatmir Krasniqi
Falënderime dhe mirënjohje për mësuesen më të mirë kujdestare...
Mësuesi i letërsisë, Erget Cenolli, mes pasionit për mësimdhënien, krijimit poetik dhe shkrimit publicistik