Intervistë

Rritet interesi i nxënësve për shërbimin dentar falas, Dr.Irida Xhangolli: Gama e shërbimeve është zgjeruar

Mjekja stomatologe Irida Xhangolli në një intervistë për Portalin Shkollor ka folur mbi shërbimin dentar që ofrohet në shkollën “Jeronim de Rada”, si një nga 9 shkollat pilot të programit dentar kombëtar. Ajo ka pohuar se nxënësit kanë pasur interes të shtuar për shkak edhe të zgjerimit të shërbimeve.


Dr. Irida, ju jeni mjeke stomatologe pranë Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë në shkollën “Jeronim de Rada”. Në kuadër të programit dentar kombëtar, a ka pasur interes nga nxënësit që të paraqiten në klinikë? Nëse po, sa ka qenë numri dhe cilat grupmosha kanë përfituar deri më tani nga shërbimi dentar falas në shkollë?  

 

Aktualisht unë punoj si mjeke stomatologe pranë Njësisë vendore  të Kujdesit Shëndetësor Tiranë në shkollën “Jeronim de Rada”. Gjatë kësaj periudhe ne kemi ofruar shërbim dentar të orientuar kryesisht në depistim, parandalim dhe promocion shëndetësor. Vitin e fundit, me investimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në 10 kabinete dentarë të rinj, në shkollat 9- vjeçare të Tiranës si projekt pilot, është zgjeruar dhe gama e shërbimeve profilaktike dhe trajtimeve të tjera dentare. Në kuadër  të programit dentar Kombëtar, ky projekt po zgjerohet edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Interes nga nxënësit ka patur gjithmonë, por me krijimin e këtyre kabineteve të rinj dentarë në shkollë, interesi është rritur ndjeshëm, kryesisht për shërbimet profilaktike, por dhe për mjekim të kariesit dentar. Vëmë re që muajt e fundit ka një interes të shtuar edhe nga ana e prindërve. Të gjithë nxënësit e shkollës nga klasa e parë deri në të nëntën po përfitojnë shërbimin dentar, pranë kabinetit të shkollës, me miratimin nga ana e prindit.



Po mësuesit përfshihen në programin e kujdesit dentar në shkollë? E bëjmë këtë pyetje pasi shpesh herë në adresat tona të kontaktit të Portalit Shkollor, mësuesit kanë kërkuar përgjigje për këtë...


Ky shërbim operohet vetëm për nxënësit e shkollave. Mësuesit, patjetër që mund të marrin shërbim shumë të mirë për problemet e  tyre dentare pranë tre punkteve, i cili është një shërbim që ofrohet përsëri falas. Shërbimi në punkte konsiston në dhënien e shërbimit për moshat mbi 18 vjeç dhe për rastet e vështira të cilat nuk mund të trajtohen në shkolla, sipas një protokolli të caktuar. Punktet janë: ½, 9, 4/5, urgjenca. Dy të parat ndodhen në Qendrën Shëndetësore nr.9  dhe dy të dytat, pranë specialitetit nr.1 Tiranë. 


 

Pra për të qenë më specifik, çfarë shërbimesh ofroni pranë Njësisë Vendore e Kujdesit                Shëndetësor Tiranë në shkollën “Jeronim de Rada”?


Së pari ne bëjmë depistimin e gojës së nxënësve dy herë në vit, për të parë gjendjen e shëndetit të gojës, si edhe orët e edukimit shëndetësor, duke u përqendruar në temat sipas grupmoshave. Ofrohen gjithashtu shërbimet parandaluese si: fluorizimi, silanimi, pastrimi i cipave dhe i gurëzave etj. Ofrohen shërbime të trajtimit të kariesit dentar, mjekime të indeve të buta të gojës, mjekime urgjence dhe heqjet e dhëmbëve të qumështit.



Çfarë problemesh kanë kryesisht nxënësit me dhëmbët?


Problemet kryesore që ne evidentojmë lidhen me higjienën e gojës, kariesin dentar (prishja e dhëmbëve) dhe problemet e mishrave të dhëmbëve. Problemet që shqetësojnë më tepër fëmijët janë probleme të  estetikës dhe erës së keqe të gojës.



Në çfarë faze paraqiten ata për kontrollin e dhëmbëve? Sa të informuar janë për higjienën e gojës?


Normalisht nxënësit kanë prirjen të paraqiten kur u shfaqet dhimbja ose ndryshime të dukshme në gojë dhe dhëmbë. Por duke qenë se ne bëjmë depistimin dy herë në vit, arrijmë të konstatojmë dhe më herët prishjet e dhëmbëve ose probleme të  tjera në gojë.  Informojmë nxënësit dhe prindërit (nëpërmjet mësuesve ose vetë fëmijës) për problemet që kanë nxënësit me dhëmbët. Pavarësisht se vihet re përmirësim i higjienës së gojës së nxënësve, vëmë re që ka akoma nevojë për informim dhe ndërgjegjësim të fëmijëve dhe prindërve. 

 


Po ju, si asistoni? Domethënë përveç trajtimit të dhëmbëve të nxënësve sipas nevojës, a trajtoni nëpër shkolla edhe tema që kanë të bëjnë me higjienën orale?


Edukimi shëndetësor nëpërmjet trajtimit të temave të ndryshme që  lidhen me shëndetin e gojës është një nga shërbimet kryesore që është ofruar dhe vazhdon të ofrohet nga mjeku stomatolog i shkollës. Edukimi shëndetësor është shumë i rëndësishëm për krijimin e një rutine të kujdesit për shëndetin e gojës. Gjatë këtyre viteve kemi vënë re rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve falë trajtimit të këtyre temave edukuese, si edhe interes të  shtuar për informacione më të zgjeruara nga ana e nxënësve. Gjithashtu, në mënyrë të vazhdueshme organizohen dhe aktivitete në lidhje me edukimin shëndetësor, ku nxënësit marrin pjesë me shumë dëshirë në të tilla aktivitete. Mësuesit kanë qenë dhe janë vazhdimisht bashkëpunues për të    na lehtësuar punën tonë, sidomos në aktivitetet e edukimit shëndetësor.




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,003 Lexime
1 vit më parë