Rrjetet sociale dhe teknologjia, faktorë që po ndryshojnë mënyrën se si mësohet historia

Rrjetet sociale dhe teknologjia po ndryshojnë mënyrën se si të rinjtë mësojnë historinë. Ato ofrojnë akses të shpejtë në burime të dixhitalizuara, por edhe rrezik nga informacioni i pasaktë. Pedagogët theksojnë rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe të mendimit kritik në studimin e historisë.

Rrjetet sociale dhe zhvillimi i teknologjisë kanë transformuar ndjeshëm mënyrën se si të rinjtë njihen me historinë. Nëse dikur librat dhe orët mësimore ishin burimi kryesor i informacionit, sot një pjesë e madhe e njohurive merret përmes platformave dixhitale.


Sipas pedagogëve të historisë, teknologjia ka sjellë mundësi të reja për të aksesuar dokumente, fotografi, video dhe arkiva historike nga e gjithë bota. Përmes internetit, nxënësit dhe studentët mund të eksplorojnë ngjarje historike në mënyrë më interaktive dhe më tërheqëse.

“Aksesi në materialet historike, në burimet historike tani është në kohë reale dhe nuk është e nevojshme që të gjurmohet thellësisht nëpër arkiva, nëpër biblioteka, sepse një pjesë e mirë e dokumenteve janë të dixhitalizuara dhe gjenden në platformat online. Pra kurse kohën”, tha pedagogu në Universitetin e Korçës, Metin Venxha.


Megjithatë, ata theksojnë se përdorimi i rrjeteve sociale mbart edhe sfida. Informacioni i pasaktë, interpretimet e gabuara dhe përmbajtjet e pakonfirmuara mund të krijojnë keqkuptime për ngjarje të rëndësishme historike. Për këtë arsye, vlerësimi kritik i burimeve mbetet një aftësi thelbësore.


“Është detyra e historianëve i studiuesit të historisë të bëjnë një filtër të mirë të informacionit dhe për të dalë pastaj në konkluzione që kanë të bëjnë me ngjarje apo me evenimente historike apo me analizën e personazheve të ndryshme”, theksoi Venxha.


Pedagogët nënvizojnë se teknologjia nuk duhet të zëvendësojë studimin e historisë, por të shërbejë si një mjet plotësues që ndihmon në kuptimin më të mirë të së kaluarës.


/rtsh.al/


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

102 Lexime
9 orë më parë