"Kujtime të Mirelës"

Sa e vështirë të jesh fëmijë?

E. Shoulgin na tërheq, na shtang me atë se si e përthyen veten një fëmijë në përballjen me realitetin. Një ndeshje kjo shumë dramatike, shumë delikate, e njomë dhe e egër, por që ndodh sot e kurdoherë.

Romani i E. Shoulginit “Kujtime të Mirelës” mbaron me pyetjen: Sa e vështirë të jesh fëmijë?

Prindërit, familja, mjedisi si dje edhe sot e në të gjitha kohët u japin fëmijëve dashuri, kujdes, ushqim, jetesë, shkollim, vlera... po a mjaftojnë këto? Një fëmijë është një qenie që e zbulon botën me sytë e atyre që e duan dhe e drejtojnë, por atij nuk mund t’ia veshim vlerat e kuptimet tona njësoj si rrobat e trupit. Poshtë asaj çfarë shohim, poshtë atij shtati që vjen e rritet në sytë e prindërve, ndodh një përplasje dramatike nëpërmjet të cilës formohet personaliteti i fëmijës njëkohshëm me rritjen e kockave të trupit. Fëmija nuk është argjila në duart e poçarit, formimi i tij i brendshëm është shumë dramatik. Ndaj dhe i pakuptueshëm e i pakontrolluar tërësisht prej prindërve. Fëmija rritet para syve tanë, po dhe diku mbrapa atyre që ne ia japim të gatshme për çfarë ai duhet të jetë e si duhet të jetë. Në këtë anën e padukshme, si atje prapa perdes, në errësirën e frikshme luhet drama midis asaj që ai pranon nga ç’i ofrojnë njeriu e mjedisi dhe asaj që ai nuk e pranon. Në këtë zgrip të mohimit e të miratimit të gjërave luhet drama e tij. Një dramë që më shumë është refuzim sesa pranim i së gatshmes, i së dukshmes, i së prekshmes. Dhe këtu nis veprimi i tij për të zbuluar vetë atë që për të bëhet problemi më i madh: eksplorimi i botës dhe i njeriut me sytë dhe me të brendshmen e tij. Këtu ai edhe e pëson, por edhe zbulon gjithçkanë tej fasadës, tej maskimit që ligjet e të rriturve, të rendit të kohës e të botës ia fshehin. Do s’do, ai zhytet në këtë kuturisje drejt së panjohurës, zhytet në të me të gjitha forcat, del, rrëshqet nga kontrolli i prindërve.

Për prindërit një fëmijë i tillë është moskuptim, frikë. Prindërit alarmohen pse ky fëmijë është problematik, pse nuk është ai që duam ne të jetë?

Frederiko i këtij romani përballet me një familje që ka një histori rrënimi në origjinën e saj. Babai dhe halla e tij kanë lënë Rusinë e Revolucionit të Tetorit, kanë lënë pas pasurinë e privilegjet e aristokratëve të dikurshëm, janë rritur në Norvegji dhe tani duhet ta nxjerrin jetesën, i ati si studiues arti dhe halla si mësuese baleti në Itali.

Rrënoja e dytë me të cilën përballet çdo ditë Frederikoja është Italia e pas-Luftës së Dytë. Rrënojat reale të shtëpive të dikurshme të të pasurve, pallate, parqe, monumente kulturore, kisha e lagje të tëra të qytetit të Firences, ku banojnë, janë nën rrënoja. Vizatimi piktoresk i kësaj Italie nën pirgje gërmadhë përbën disa nga faqet më të bukura të romanit.

Rrënojat morale janë edhe më të llahtarshme. Ato i shohim në pensionin Zingoni ku zhvillohen ngjarjet, në atë bashkësi njerëzish të katandisur si personazhe operete, një miniaturë e Italisë së pasluftës: familje të rëna nga vakti, ish-antifashistë të majtë, ish-fashistë, ish-pronarë, ish-nëpunës të administratës së mëparshme, ish-avokatë e bankierë... Në gjithë Italinë e kohës Frederikoja gjen fëmijë që jetonin si të egër nën rrënoja, njerëz që kanë humbur familjen dhe janë shndërruar në fantazma të frikshme, lypsa, ish-ushtarë me gjymtyrë të prera, të pangrënë, të pastrehë...

Rrënimi është i trefishtë: i familjes, i mjedisit të jetës urbane, i shoqërisë.

Frederikoja jeton me dy prindër të përkushtuar për të (nëna norvegjeze) me një vëlla më të vogël dhe me një hallë shumë të dashur që jeton në Piza. Ai përballet me një gjuhë tjetër, me një peizazh tjetër, zbulon sjelljet e zhurmshme e plot temperament të njerëzve të tregjeve, të udhëtimeve me tren, të njerëzve të pensionit “Zingoni”, shkurt, përballet me një mjedis të huaj, siç është Italia. Ky fëmijë ka dhe aftësinë të skicojë, të vizatojë pamje nga mjediset përreth. Realitetit i parë me sytë e një fëmije të tillë ndikon stilin e rrëfimit të romanit në detaje, në ngjyra e në plasticitet.

I ati e merr me vete Frederikon në muzeume, në pinakoteka, në kisha dhe e drejton në atë se si veprat e artit duhen zbuluar, vëzhguar e shijuar.

Kjo botë e artit është në kontrapunkt me Italinë e atëhershme të rrënuar. Italia ka një historitë gjatë të një kulture të ndritshme. Piktura, skulptura, arkitektura janë tabani, thesari i vlerave të qëndrueshme: gjëmat e kohërave, po dhe epokat e ndritshme janë përthyer në art. Indirekt lihet të kuptohet se kjo shoqëri me një histori dhe pasuri të tillë kulturore duhet të ketë një perspektivë tjetër nga kjo përgjunie e rëndë e çastit. Ky aspekt në roman vizatohet në plan të mbuluar jo si qëllim.

Plot kontraste është dhe bota e fëmijëve. Krahas fëmijëve që kanë “luksin” të jetojnë me prindërit në hotelin “Zingoni”, jetojnë dhe “të egrit”, fëmijët e një shoqërie të rrënuar, që nuk kanë prindër ose kanë prindër që nuk i ushqejnë dot, ndaj janë bërë banditë dhe strehohen e jetojnë parqeve e rrënojave, ushqehen me mbeturina a me grabitje. Fëmijët e pensionit “Zingoni”, të veshur e të ushqyer, rriten nën tutelën e prindërve (në Italinë e kohës fëmijët ndëshkoheshin dhe fizikisht). Doemos që “të egrit” janë shumë tërheqës.

Ky realitet shumëplanësh, kjo përplasje kulturore, këtë fëmijë gati e çmend, e bën të arratiset në një botë surreale. Ndodh vallë sot kështu dhe me fëmijët e emigrantëve tanë nëpër botë?

Frederikoja kërkon rrugëdalje duke u bërë kryetar i fëmijëve të pensionit “Zingoni” ndaj bandës së “të egërve”. Ai e di që në këtë luftë është i humbur. Eksploron jetën e njerëzve të “Zingonit”, vetë godinën e këtij pensioni dhe zbulon “trurin”, një organo e vjetër që me ta prekur, të rrëfen gjithë ç’thuhet prapa dyerve të secilës familje. Një botë mëkatesh, por e kontrolluar e përgjuar nga “truri”, nga pronarja e pensionit. Një nga gjetjet më të bukura të planit fantastik të romanit.

Arratiset në fantazinë e tij në një realitet që e krijon për të mbrojtur veten. Kështu mbase krijon dhe “trurin” dhe miqësinë me një kërkues aventurash e zbulues të vendeve të panjohura në Afrikë.

Përpëlitjet e tij e kthejnë në një të përhënur, realisht në një fëmijë të sëmurë. Qetësohet në prani të hallës dhe të një zbulimi tjetër të mrekullueshëm, të dashurisë së tij fëminore për Mirelën.

Frederikoja rreket t’u shpëtojë grackave të një realiteti të gatshëm, ai i shpërthen grackat mu në shpirtin e vet, në ndeshjen e egër brenda përbrenda tij. Edhe Mirela e gjen, “e përdor” Frederikon për të shpëtuar nga kallëpet e ngushta që i ofron familja dhe mjedisi. Aspekti psikologjik bëhet i mprehtë. E. Shoulgin na tërheq, na shtang me atë se si e përthyen veten një fëmijë në përballjen me realitetin. Një ndeshje kjo shumë dramatike, shumë delikate, e njomë dhe e egër, por që ndodh sot e kurdoherë.

E. Shoulgin është artist në pikturimin e të dy botëve, i asaj reale dhe i asaj psikologjike, i hetimit të rropatjeve shpirtërore të një fëmije në kërkim të personalitetit të tij.

Si një mjeshtëri rrëfimit E. Shoulgin procedon me një narracion të shtruar, të qetë, plot ngjyra e hollësi, dramaciteti mbetet gjithmonë i fshehur dhe kjo përbën një nga befasitë më të këndshme të leximit të këtij romani.

Dr. Sadik Bejko

(Vështrim mbi librin “Kujtime të Mirelës” të Eugene Shoulgin, përkthyer nga Entela Kasi)

1,865 Lexime
7 vjet më parë