Risi

Shkolla "Ali Laçej" në Shkodër që mbron trashëgiminë kulturore duke përdorur pajisjen micro:bit

Kompjuterët micro:bit në klasë i kanë motivuar nxënësit, kanë zgjeruar njohuritë e tyre dhe të kuptuarit e lëndës dhe i kanë frymëzuar ata të angazhohen në një projekt me synim mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Nxënësit e shkollës "Ali Laçej" nga Shkodra, një nga qytetet më të vjetra shqiptare me trashëgimi kulturore dhe historike shumë të pasur, përmes projektit të tyre ia kanë dalë të rrisin vetëdijen e komunitetit për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.


Gjithçka filloi kur pajisjet micro:bit, që përdoren për kodim në kuadër të programit ‘Shkollat e shekullit 21’, arritën në klasat e shkollës. Këta kompjuterë të madhësisë së xhepit jo vetëm që kanë zgjeruar njohuritë e nxënësve dhe të kuptuarit e lëndës nga ta, por kodimi në pajisjet micro:bit i ka motivuar nxënësit që ta zbatojnë një projekt me ndikim më të gjerë shoqëror. 


Projekti i zbatuar nga kjo shkollë, përmes përdorimit të micro:bit-it, kishte në fokus “Trashëgiminë kulturore”. Projekti kishte për qëllim promovimin e vlerave kulturore të qytetit dhe ngritjen e vetëdijes për mënyrën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së këtyre vlerave. Pajisjet micro:bit u përdorën për të shpërndarë mesazhe për ruajtjen e monumenteve kulturore. Rezultatet ishin pozitive dhe vetë projekti pati ndikim në komunitet, duke përfshirë shumë individë në këtë nismë të filluar nga nxënësit.


Me gjithë mungesën e laboratorëve dhe infrastrukturën e TIK-ut, mësuesit e kësaj shkolle vendosën ta përfshinin micro:bit-in në secilën lëndë për ta lehtësuar ndërveprimin mes nxënësve dhe pjesëmarrjen e tyre aktive.

Programi ‘Shkollat e shekullit 21’ është program arsimor tre vjeçar, në vlerë 10 milion pound, i zbatuar nga British Council dhe i financuar nga qeveria e MB-së. Programi synon të zhvillojë aftësitë kryesore të shekullit 21 të mbi një milion nxënësve të moshës 10 deri 15 vjeç të shkollave fillore në vendet e Ballkanit Perëndimor. 



Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,568 Lexime
3 vjet më parë