Shkrimi i dorës në epokën digjitale: Traditë apo domosdoshmëri pedagogjike?

Në epokën e ekraneve, shkrimi me dorë mbetet më shumë se një traditë. Ai ndihmon në zhvillimin e përqendrimit, kujtesës, koordinimit dhe të menduarit. Por si duhet të bashkëjetojë lapsi me teknologjinë në shkollën e sotme?

Edlira Hani

American British STEM Academy


Nëse sot do të hynim në një klasë të arsimit fillor dhe do të shihnim fletoret e nxënësve, me shumë mundësi do të vërenim një ndryshim që deri pak vite më parë ishte i rrallë. Edhe pse në shkollë mësojnë të shkruajnë me shkronja të dorës, shumë fëmijë zgjedhin të vazhdojnë të shkruajnë me shkronja të shtypit. Kjo ndodh jo vetëm gjatë shënimeve personale apo detyrave të shtëpisë, por shpesh edhe gjatë punës në klasë.


Ky fenomen ngre një pyetje të rëndësishme për mësuesit dhe prindërit: A po humbet dalëngadalë shkrimi me shkronja të dorës dhe, nëse po, a duhet të na shqetësojë kjo?


Përgjigjja nuk duhet kërkuar te nostalgjia për mënyrën se si kemi mësuar dikur të shkruajmë, por te pedagogjia, te dokumentet kurrikulare dhe te kërkimet shkencore që flasin për rëndësinë e kësaj aftësie në zhvillimin e fëmijës.


Historia e shkrimit me shkronja të dorës është e lidhur ngushtë me historinë e vetë qytetërimit. Për shekuj me radhë ai ka qenë forma kryesore e komunikimit të shkruar dhe mënyra përmes së cilës janë transmetuar dijet, kultura dhe historia e njerëzimit. Në sistemet arsimore evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë, mësimi i shkrimit me shkronja të dorës ka qenë gjithmonë pjesë e formimit bazë të nxënësit, jo vetëm për arsye estetike, por sepse konsiderohej një etapë e domosdoshme në zhvillimin e aftësive të të shkruarit.


Edhe sot, kjo qasje mbështetet nga dokumentet zyrtare të arsimit shqiptar. Programi i lëndës "Gjuhë shqipe" për arsimin fillor e trajton zhvillimin e të shkruarit si një kompetencë themelore dhe përfshin shkrimin e dorës në kuadër të tematikës "Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale". Kjo do të thotë se shkrimi me shkronja të dorës nuk është një praktikë që ruhet për traditë, por një pjesë e planifikuar e procesit mësimor.


Në klasat e para, fëmijët fillimisht mësojnë shkronjat e shtypit për të krijuar lidhjen ndërmjet tingullit dhe simbolit grafik. Më pas, ata kalojnë në shkrimin me shkronja të dorës, duke mësuar të lidhin shkronjat, të respektojnë drejtimin e shkrimit, përmasat dhe ritmin. Ky kalim nuk është rastësor. Ai synon të zhvillojë koordinimin sy-dorë, kontrollin e lëvizjeve të imëta, përqendrimin dhe automatizimin e procesit të të shkruarit.


Gjatë më shumë se tridhjetë viteve të punës sime në arsimin fillor kam parë qindra fëmijë të kalojnë këtë proces. Kam parë emocionin e shkronjave të para të shkruara me dorë, përpjekjet për të lidhur saktë shkronjat dhe kënaqësinë që ndiejnë kur arrijnë të shkruajnë një tekst të plotë me rrjedhshmëri. Por vitet e fundit kam vënë re edhe një ndryshim tjetër: shumë nxënës, sapo fitojnë siguri në të shkruar, rikthehen te shkronjat e shtypit, sepse u duken më të shpejta, më të thjeshta ose sepse janë mësuar t'i shohin më shpesh në ekranet e telefonave, tabletave dhe kompjuterëve.


Natyrisht, përdorimi i shkronjave të shtypit nuk është një gabim. Ato janë pjesë e jetës së përditshme dhe të domosdoshme në mjedisin digjital. Megjithatë, pyetja që duhet t'i bëjmë vetes është nëse braktisja e shkrimit me shkronja të dorës ndikon në zhvillimin e aftësive të tjera të fëmijës.


Kërkimet shkencore japin një përgjigje të qartë. Karen H. James (2012) ka treguar se formimi i shkronjave me dorë aktivizon zona të trurit të lidhura me njohjen e shkronjave, leximin dhe zhvillimin e gjuhës. Në të njëjtën linjë, Vander Weel dhe Vander Meer (2024) evidentojnë se shkrimi me dorë krijon lidhje neuronale më të gjera sesa shkrimi në tastierë, duke favorizuar kujtesën dhe proceset e të nxënit. Ndërsa Steve Graham argumenton se automatizimi i shkrimit të dorës ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e të shkruarit, pasi nxënësi mund të përqendrohet më shumë te idetë dhe më pak te formimi i shkronjave.


Edhe përvoja e përditshme në klasë e mbështet këtë. Nxënësit që përdorin rregullisht shkrimin me shkronja të dorës zhvillojnë më mirë rrjedhshmërinë e të shkruarit, organizojnë më qartë mendimet, mbajnë shënime më funksionale dhe kanë më pak vështirësi në drejtshkrim. Kjo nuk do të thotë se çdo fëmijë duhet të ketë një shkrim perfekt, por se procesi i të shkruarit me shkronja të dorës mbetet një ushtrim i rëndësishëm për zhvillimin e tij.


Sigurisht, askush nuk mund ta mohojë rolin e teknologjisë në arsimin bashkëkohor. Kompetencat digjitale janë të domosdoshme dhe shkolla duhet t'i zhvillojë ato. Megjithatë, teknologjia nuk duhet të zëvendësojë aftësitë bazë mbi të cilat ndërtohet të nxënit. Lapsi dhe tastiera nuk janë kundërshtarë; ato plotësojnë njëri-tjetrin. Sfida e arsimit nuk është të zgjedhë mes tyre, por të sigurojë që fëmija t’i zotërojë të dyja.


Shkrimi me shkronja të dorës nuk është një simbol i së kaluarës. Ai është një aftësi që ndihmon fëmijën të zhvillojë përqendrimin, durimin, koordinimin motorik, organizimin e mendimit dhe komunikimin me shkrim. Pikërisht për këtë arsye, ruajtja dhe kultivimi i kësaj aftësie duhet të mbetet një objektiv i përbashkët i shkollës dhe familjes.


Në një epokë ku ekranet janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, ndoshta nuk duhet të pyesim nëse shkrimi me shkronja të dorës i përket së kaluarës. Pyetja e vërtetë është: A mund ta përgatisim një fëmijë për të ardhmen duke hequr dorë nga një aftësi që e ndihmon të mendojë, të mësojë dhe të shprehet më mirë? Besoj se përgjigjja është e qartë.


Referenca

1. Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP). Programi i lëndës "Gjuhë shqipe" për arsimin fillor. 

2. James, K. H. (2012). The Effects of Handwriting Experience on Functional Brain Development in Pre-Literate Children. Trends in Neuroscience and Education, 1(1), 32–42. 

3. Graham, S. (2019). Changing How Writing Is Taught. Review of Research in Education, 43(1), 277–303. 

4. Vander Weel, F. R., & Vander Meer, A. L. H. (2024). Handwriting but not type writing leads to widespread brain connectivity: A high-density EEG study with implications for the classroom. Frontiers in Psychology, 14.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

105 Lexime
1 orë më parë