Si lindi profesioni i mësuesit?

Në prag të vitit të ri shkollor, Geron Kamberi sjell një udhëtim historik mbi lindjen dhe zhvillimin e profesionit të mësuesit, nga Konfuci e sofistët e Greqisë së lashtë, te shkollat mesjetare e institucionet moderne. Një rrëfim që tregon pse mësuesi mbetet figurë e pazëvendësueshme.

Nga Geron Kamberi 


Në prag të fillimit të vitit shkollor për arsimin parauniversitar, vëmendja natyrshëm shkon te një nga profesionet më jetëgjata në botë: profesioni i mësuesit.


Që nga lashtësia e deri më sot, ky profesion ka mbajtur mbi supe përgjegjësinë e përçimit të dijes dhe formimit të brezave. Sot, në botë numërohen rreth 94 milionë mësues, të cilët me durim e përkushtim vazhdojnë të mësojnë gjenerata të pafundme nxënësish.


Pavarësisht zhvillimit të teknologjive digjitale dhe prirjes drejt të vetë-mësuarit, mësuesi mbetet një figurë e pazëvendësueshme: ai nuk transmeton vetëm dije, por krijon edhe marrëdhënie njerëzore, lidhje emocionale dhe modele jetësore.


Nga antikiteti te mësuesi: Konfuci si shembulli i parë


Në lashtësi, burrat e ditur shndërroheshin menjëherë në mësues. Tradita thotë se Konfuci ishte i pari që e ktheu mësimdhënien në një profesion të vërtetë. Ai ndryshoi rregullin e kohës, kur vetëm fëmijët e familjeve fisnike kishin të drejtë arsimi, duke mësuar këdo që dëshironte të mësonte. Nxënësit e tij mësonin jo vetëm dije, por edhe përgjegjësi, moral dhe karakter.


Në shumë qytetërime të tjera, priftërinjtë dhe profetët shërbenin si mësues, sidomos në tempuj, ku formonin udhëheqësit e ardhshëm. Në Greqinë e lashtë, edukimi i djemve aristokratë iu besohej “pedagogëve” – shoqëruesve të fëmijëve. Ndërsa sofistët ishin mësuesit e parë profesionistë, me Protagorën në krye, i cili përmes retorikës e dialogut ndikoi thellë te të rinjtë.


Sokrati e ngriti më tej këtë traditë, duke vendosur në qendër të mësimit të menduarit kritik dhe kërkimin e së vërtetës.

Në Romën e lashtë, arsimi fillonte në familje, por më vonë u zgjerua me mësues privatë dhe shkolla të vogla. Aty, retorika, gramatika dhe oratoria ishin shtyllat kryesore, ndërsa disiplina shpesh mbështetej në ndëshkime fizike.


Kuintiliani i Romës – mësuesi i parë me pagesë


Marcus Fabius Quintilianus (35–95 e.s.) ishte mësuesi i parë i paguar zyrtarisht në Romë. Ai hapi një shkollë publike retorike, të mbështetur financiarisht nga Perandori Vespasian. Nxënësit e tij ishin personalitete të njohura si Plini i Riu dhe Taciti.


Vepra e tij madhore, Institutio Oratoria, një manual me 12 vëllime mbi artin e oratorisë dhe procesin e arsimit, mbeti bazë e pedagogjisë në Mesjetë dhe Rilindje. Quintiliani e portretizoi profesionin e mësuesit si një punë të vështirë, por të vyer dhe shpërblyese.


Mesjeta: kisha dhe arsimi


Pas rënies së Perandorisë Romake, arsimi u zhvendos në gjirin e kishës. Shkollat e Katedraleve (Scholae Cathedrales), të drejtuara nga murgj dhe priftërinj, ofronin mësim për klerikët, por shpesh edhe për laikët.

Këto shkolla u bënë pararendëse të universiteteve europiane dhe ndihmuan ringjalljen e mendimit filozofik dhe kulturës skolastike.

Mësimi zhvillohej mbi Triviumin (gramatika, retorika, dialektika) dhe Quadriviumin (aritmetika, gjeometria, astronomia, muzika). Kjo bazë formoi strukturën e parë të arsimit klasik europian.

Pas Reformimit, Kisha Katolike dhe sidomos Jezuitët themeluan shkolla të reja me kurrikula të rrepta, duke forcuar më tej rolin e mësuesve në përhapjen e dijes.


 “Shkolla Normale” – përgatitja e mësuesve


Termi “shkollë normale” vjen nga frëngjishtja École Normale, që nënkuptonte përgatitjen e mësuesve sipas një modeli shembullor.

Shkolla e parë e tillë u themelua në Francë në vitin 1685 nga Shën Jean-Baptiste de La Salle. Më pas, koncepti u përhap në gjithë botën: në SHBA, Kanada, Gjermani, Kinë e më gjerë.

Shkollat normale ishin pararendëse të fakulteteve të edukimit, që sot përgatisin mësues profesionistë.


Pedagogjia dhe pedeutologjia – shkencat e mësuesit


Pedagogjia – nga greqishtja paidos (fëmijë) dhe ago (udhëheq), është shkenca që merret me procesin e mësimdhënies dhe të nxënit. Ajo studion metodat, teoritë dhe ndikimet shoqërore, psikologjike e kulturore në arsim.


Pedeutologjia – degë e pedagogjisë që fokusohet posaçërisht tek mësuesi: roli, etika, përgatitja profesionale dhe marrëdhënia me nxënësit. Kjo disiplinë, e zhvilluar në Europë dhe e forcuar gjatë shek. XIX-XX, thekson jo vetëm transmetimin e dijes, por edhe formimin moral e qytetar të nxënësve.



Historia e profesionit të mësuesit është një udhëtim i gjatë, nga pleqtë e familjes dhe priftërinjtë e tempujve, te sofistët, Quintiliani, murgjit mesjetarë, e deri te mësuesit e sotëm me formim universitar. Në çdo epokë, mësuesi ka pasur një rol kyç në formimin e njeriut dhe shoqërisë. Dhe, pavarësisht sfidave të kohës moderne, mësuesi mbetet simbol i dijes, i urtësisë dhe i përkushtimit për brezat.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

192 Lexime
23 orë më parë