Kurrikula e re, punimi i planit mësimor

Si mund të hartojmë planet mësimore të vitit shkollor 2020-2021 mbi bazën e temave mësimore të dala nga ministria

Po ju paraqesim një dokument se si punohen planet mësimore të vitit shkollor 2020-2021 mbi bazën e temave mësimore të dala nga ministria. Material i nevojshëm për mësuesit e arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët.

Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka prekur çdo fushë të veprimtarisë në arsim dhe të gjithëve na është dashur të përshtatemi me këtë ndryshim të papritur. Për të pasur një koherencë ndërmjet të gjitha formave të mësimit dhe për t’i paraprirë zbatimit të çdo skenari në sistemin arsimor: mësimit në mjediset e shkollës, mësimit të kombinuar, mësimit në distancë online me platformë të dedikuar akademi.al, mësimeve të transmetuara në RTSH, mësimeve të transmetuara në kanalin youtube të MASR-së dhe mësimeve përmes platformave të ndryshme që mundësojnë krijimin e klasave virtuale, ASCAP ka përgatitur një listë temash për secilën lëndë dhe për secilën klasë të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë që do të përdoret nga të gjithë mësuesit sipas profileve përkatëse. 


Lista e temave për çdo lëndë dhe për çdo klasë është një radhitje e tyre sipas periudhave tremujore të caktuara në kurrikulën me kompetenca. Këtë listë temash secili mësues do ta pasurojë dhe do ta plotësojë me rubrikat e tjera, të përcaktuara në udhëzuesit kurrikularë, duke hartuar kështu planet vjetore dhe planet përkatëse të periudhave. Lista e temave i përmbahet programit lëndor dhe përfshin të gjitha orët vjetore sipas planit mësimor të klasës përkatëse. Në të gjitha lëndët dhe klasat gjatë dy javëve të para të shkollës janë planifikuar orë përsëritjeje për njohuritë kryesore të zhvilluara gjatë periudhës së mësimit në kushtet e shtëpisë (mars-maj 2020). Temat e përsëritjes mund të ndryshojnë në varësi të specifikave që ka secili mësues lidhur me nevojat e nxënësve. Megjithëse temat e listuara do të përdoren nga të gjithë mësuesit, ata janë të lirë të bëjnë ndryshime apo spostime në lidhje me orët e projekteve, orët e testeve, orët e vlerësimeve të portofolit etj., hap pas hapi në varësi të specifikave të lëndës së tyre dhe të nevojave të nxënësve. Procedura për hartimin dhe për dorëzimin e planeve vjetore dhe të periudhave do të jetë njësoj siç është parashikuar në udhëzuesit kurrikularë lëndorë, duke ruajtur radhitjen e emrave mësimore. 

Edhe gjatë vitit shkollor 2020 – 2021, planifikimi i mësimdhënies për lëndën përfshin:

  • planifikimin vjetor;
  • planifikimin për secilën periudhë;
  • planifikimin ditor.

Në fillim të vitit shkollor mësuesi do të dorëzojë pranë drejtorisë së shkollës planin vjetor të lëndës ose të modulit, i cili shërben si një kornizë e ndarjes së përgjithshme të përmbajtjes lëndore dhe të orëve mësimore, si edhe planin e periudhës së parë (shtator- dhjetor). Temat mësimore janë të përcaktuara, ndërsa plani i periudhës do të pasurohet me rubrikat e mëposhtme.

  • Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyç.
  • Rezultatet e të nxënit sipas kompetencave lëndore.
  • Numri rendor
  • Kapitulli ose tematika
  • Tema mësimore (kjo rubrikë është plotësuar nga ASCAP, por mësuesi ka fleksibilitet për të ndryshuar ndonjë temë apo për ta spostuar).
  • Situata e të nxënit
  • Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve
  • Vlerësimi
  • Burime

Planet e periudhës së dytë dhe të periudhës së tretë do të dorëzohen para fillimit të secilës periudhë. Gjatë vitit, sipas rrethanave që i krijohen, mësuesi mund të bëjë ndryshime në planin fillestar mësimor. Mësuesi mund të vendosë të përparojë më ngadalë nga sa e ka parashikuar, kur vë re se nxënësit   e tij hasin vështirësi. Në këtë mënyrë mësuesi planifikon duke u bazuar në përparimin e nxënësve dhe në vështirësitë e hasura në periudhat paraardhëse, duke u përqendruar te arritjet e kompetencave kyç dhe të lëndës.


Për këtë po ju paraqesim edhe një dokument se si punohen planet mësimore dhe mund ta shkarkoni atë.

 

Materiale ASCAP të referuara nga Florinda Palaj.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

36,284 Lexime
9 muaj më parë