Analizë

"Skena më prekëse e dashurisë në Iliadën e Homerit"- nga Ardi Stefa

“Në Iliadën e Homerit, përshkruhet skena prekëse kur Priami i Trojës gjunjëzohet para Akilit, vrasësit të djalit të tij, Hektorit, dhe i kërkon trupin. Kjo përulësi dhe ndjenja e thellë e prindit shpalos anën njerëzore dhe fuqinë e dashurisë që tejkalon hakmarrjen dhe dhimbjen e luftës”, shkruan Ardi Stefa.

Nga Ardi Sefa


A e dini se te Iliada Homeri përshkruan një nga skenat më të bukura dhe më prekëse të dashurisë në të gjithë letërsinë botërore? 


Dhe jo, nuk po flas për dashurinë e Paridit me Helenën!


As për dashurinë e Hektorit me Andromakën!


Është skena kur kufoma e Hektorit është zvarritur nga Akili në kampin e grekëve dhe Priami i maskuar si lypës ecën gjatë natës për të arritur në tendën e heroit grek.


Dhe çfarë ndodh?

Ai gjunjëzohet para vrasësit të djalit të tij!


Ky është një nga çastet më të fuqishme e më prekëse të të gjithë Iliadës: është ky njeri, një njeri i fuqishëm, një njeri që fjalë për fjalë ka fuqinë e jetës dhe vdekjes në tokën e tij, i cili gjunjëzohet dhe puth këto “duart e gjakatare”. 


I puth dorën atij që i vrau djalin! 


Ky gjest është më i fuqishëm se një mijë fjalë, në këtë lëvizje ka gjithçka: përulësi, guxim, dashuri pa kushte, por edhe dinjitet. 


Dhe në atë çast  lufta nuk është më e lavdishme, nuk është më heroike, ka vetëm dhimbjen e këtij babai që kërkon kthimin e trupit të të birit.


Dhe pastaj Priami bën diçka po aq tronditëse: FLET. Por ai nuk flet vetëm, ai i flet dhimbjes së tij, i flet zemrës së tij. “Ki mëshirë për mua”, i thotë ai Akilit, “Kam duruar atë që nuk ka duruar asnjë i vdekshëm,/ kam bërë atë që s’do të bënte asnjë i gjallë mbi dhe:/ të afroj te buzët dorën e vrasësit të djalit tim...”.


Shikoni se çfarë ndodh.


Përballë janë dy armiq. Të dy të rrënuar nga dhimbja: njëri për mikun e vrarë, tjetri për birin e vrarë e të dhunuar.


Por edhe në këtë çast Priami është dinjitoz. Edhe pse i rrënuar nga dhimbja; edhe pse i ulur në gjunjë përpara kundërshtarit, ai nuk e përkul kokën të puthë duart gjakatare, por te buzët afron duart që i vranë të birin...


Rrëqethëse...


Madhështore!


E paimagjinueshme se çfarë shpirti njerëzor ka përshkruar Homeri tre mijë vite më parë. Çfarë force në rrëfimin e tij! Sa lakonik për të thënë me shumë pak vargje atë që të tjerë sot duan me mijëra fjalë, gjeste, fotografi, kostume e melodi për ta thënë dhe shpesh herë nuk arrijnë ta thonë!


Sa njerëzor, sa delikat e sa fin ishte Homeri në përshkrimin e një kohe aq të ashpër, në përshkrimin e një situate kaq tragjike, që nga çasti në çast mund të mos ishte më njerëzore, por e egër...


Çfarë ndodh më pas? 


Akili, i pamposhturi, i palëkunduri, i egri e gjakatari e kap Priamin nga gjunjët dhe e përqafon. Qajnë të dy bashkë. 


Njëri për djalin, tjetri për mikun e vdekur. Të dy për jetën mizore e vdekjen!


Kështu përfundon Iliada, me këtë skenë.


Çfarë na thotë Homeri në leximin mes vargjeve?


“Forca” e vërtetë nuk është te muskujt, pasuria apo pushteti i një njeriu. Priami ka të gjitha këto dhe, megjithatë, i gjunjëzohet vrasësit të të birit; Akili nuk i frikësohet askujt mbi dhè, por qan.


Forca e vërtetë nuk matet me atë që fiton, por me atë që MBRON, nuk është vetëm ajo për të cilën lufton, por ajo për të cilën gjunjëzohesh.


Fuqia qëndron në fjalën që bashkon zemrat ose i ndan ato, dhe qëndron në PËRULËSINË, sepse të duash dhe të jesh i përulur janë e njëjta gjë.


Dhe në fund ajo që lëviz malet, ajo që “lëviz diellin dhe yjet e tjerë” siç do të thoshte Dante, është vetëm DASHURIA.


Dashuria për birin; dashuria për mikun; dashuria për jetën...


Kjo skenë është njëra nga skenat më të fuqishme, rrëqethëse e njerëzore në të gjithë poemën.


Sepse tregon që dashuria është aq e fuqishme sa edhe mes armiqve mund të gjendet gjuha e mirëkuptimit dhe e tolerancës, për të përcjellë kështu mesazhin universal të paqes.


Kjo është madhështia e NJERËZVE TË VËRTETË.


(Duke shpjeguar fragmentin: "Priami i lutet Akilit t'i kthejë kufomën e të birit".- Letërsi 10)



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

760 Lexime
1 muaj më parë