Të jemi shembull për nxënësit
Sfidë mbetet (sidomos në Kosovë), që mësuesit të ndikojnë në mënyrën se si shqiptohen tingujt: ç, q dhe gj, xh; meqë ky dallim i këtyre tingujve në të folur është rrafshuar dhe paraqet problem edhe në të shkruar.
Një teori tjetër për të nxënit është social-kognitivizmi, përfaqësues kryesor i së cilës është Albert Bandura. Kjo teori është konsideruar si urë lidhëse midis biheviorizmit dhe kognitivizmit, meqë merr parasysh edhe studimin e sjelljes, por nuk anashkalon as proceset kognitive (njohëse).
A. Bandura thekson se njeriu mëson përmes shembujve dhe modeleve. Siç e dimë, ai bëri një eksperimentim për të parë efektin e televizionit në sjelljen e njeriut dhe me këtë rast vërejti se fëmijët manifestonin agresivitet pasi panë skena të dhunshme nga filmat.
Pra, ne mësojmë duke vëzhguar sjelljen e të tjerëve. Artistët, sportistët, këngëtarët, mësuesit, mjekët, politikanët, shpesh i marrim si model të sjelljes sonë, sepse ata paraqesin shembullin e suksesit në shoqëri. Për fëmijën fillimisht model sjelljeje janë prindërit, pastaj mësuesit, e kështu me radhë, të gjitha ato profesione që kanë prestigj në shoqëri.
Në shkollë, mësuesi është dhe duhet të jetë shembulli kryesor për të gjithë. Kemi parë dhe shohim mësues që kanë integritet sepse janë të qartë në shpjegimin e lëndës, të përpiktë me rregullat dhe disiplinën dhe përçojnë siguri tek të tjerët, por kemi edhe model mësuesish që s’janë konsistent në qëndrimin e tyre dhe për pasojë, mund të kenë problem sa i përket menaxhimit të klasës etj.
Në lëndën e gjuhës shqipe mësuesi përdor një numër metodash e shembujsh që kanë lidhje me social-kognitivizmin. Nëse i duhet të shpjegojë se si duhet të flasim shqipen standarde, merr si shembull njërin nga folësit më të mirë të radios dhe televizionit, ose mund të jetë vetë mësuesi shembull në këtë rast. Po ashtu, për të shmangur shqiptimin dialektor identifikohen nxënës në klasë, shqiptimi i të cilëve është më i përafërt me të folurit standard. Sfidë mbetet (sidomos në Kosovë), që mësuesit të ndikojnë në mënyrën se si shqiptohen tingujt: ç, q dhe gj, xh; meqë ky dallim i këtyre tingujve në të folur është rrafshuar dhe paraqet problem edhe në të shkruar.
Një mënyrë tjetër, do të ishte inkurajimi i nxënësve që të hulumtojnë në qytet apo fshat, reklama, emra dyqanesh e mbishkrime të tjera. Mundësisht t’i fotografojnë dhe pastaj përmes sllajdeve t’i paraqesin në klasë për t’i diskutuar nëse këta shembuj janë shkruar në bazë të rregullave apo jo, si dhe vënia në pah e të gjitha atyre rasteve kur janë përfillur normat e standardit gjuhësor.
Në letërsi, për deklamimin e një poezie, shembuj më të mirë se artistët tanë të mirënjohur: Reshat Arbana dhe Mirush Kabashi nuk besoj që mund të ketë diku.
( Nga: Astrit Hoxha, Master - Mësimdhënie e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe - Fakulteti i Edukimit )
Model Plan i Ekipit Lëndor për Arsimin Fillor
Program kopshti për Festat e 28-29 Nëntorit
“80-vjetori i Çlirimit të Atdheut”, projekt klasa IV