Interneti

Të rinjtë e sotëm dhe “individualizmi romantik”

Emocionet e bukura që dikur shokët e klasës i shprehnin ndaj njëri-tjetrit në mënyra të drejtpërdrejta, sot shprehen vetëm nëpërmjet një figure. Po përse vallë jemi ngurtësuar kaq shumë? Ndoshta nuk kemi më emocione?

Të ulesh në bankat e shkollës së mesme nuk do të thotë pak. Përveç se të lexosh e të mësosh; duhet të përpiqesh të bësh edhe një jetë të mirë sociale; të zgjedhësh një shoqëri ku të ndihesh imirëpritur në çdo rast; të krijosh marrëdhënie pozitive me mësuesit, etj. Sa e lehtë duket t’i realizosh të gjitha këto, por t’i zbatosh në jetën reale, është me të vërtetë shumë e vështirë.

Në bankat e shkollës sot, sheh nxënës të cilët janë vetëm fizikisht të pranishëm. Mendërisht ndodhen diku tej, në një botë virtuale, përballë një mjeti të quajtur celular, tablet, ose mund t’i vendosni ju çfarë emri të dëshironi. Gjithnjë duke u fshehur nën shprehjen: - Jam duke kërkuar informacione të reja.

Sa shqetësuese është kjo për mësuesit? Një pyetje shumë e thjeshtë dhe që përgjigjen e kanë të gjithë ata që janë mësues.- Sigurisht që përbën një nivel të lartëshqetësimi. Një problematikë kjo, e cila mbart me vete një sërë problemesh të tjera të fshehura. Nxënësi nuk ndjek procesin e mësimdhënies dhe nxënies ashtu siç duhet. Ai humbet shumë nga marrëdhëniet sociale që nxënësit mund të krijojnë me njëri-tjetrin brenda klase ose me këdo që mund të jetë pjesë e një institucioni të quajtur shkollë. Fjalët e përdorura janë gjithnjë e më të pakëta. Emocionet e bukura që dikur shokët e klasës i shprehnin ndaj njëri-tjetrit në mënyra të drejtpërdrejta, sot shprehen vetëm nëpërmjet një figure. Po përse vallë jemi ngurtësuar kaq shumë? Ndoshta nuk kemi më emocione? JO, ato janë gjithnjë brenda nesh dhe ndonjëherë mezi presin që të bëhen publike e të ndahen me të tjerë. Por, sa keq kur ato ndahen me një mjet, celular, tablet, ose mund t’i vendosni çfarë emri të doni… 

“Virusi internet”, po shkakton atë që Thomas Streeter e cilëson si “individualizëm romantik”. Ne mund të kalojmë një ditë shumë normale po të jemi pa miq e shokë, por, ky normalitet mund të prishet në qoftë se ne jemi një ditë pa celularin tonë. Një mjet gjithnjë e më i dashur për ne. Nëse deri dje i drejtoheshim njeriut më të dashur për ne me fjalët - Kur të kam ty pranë, kam gjithë botën - Këto fjalë tashmë ia drejtojmë një mjeti. Sa keq!

Ajo që mund të themi me zë të lartë është se jemi në një luftë kundër robotizmit. Por, sa mund të ndikojnë institucionet arsimore në minimizimin e rasteve të tilla? Të vetme, sigurisht që nuk mund të bëjnë asgjë. Gjithnjë e më shumë kërkohet bashkëpunim ndërmjet njerëzve; mësuesve, prindërve dhe nxënësve. Të gjithë së bashku mund të jemi një shoqëri që e përdorë mjetin, por jo që mjeti e përdorë shoqërinë.

Adoleshentët e ditëve të sotme konsiderohen si “gjenerata e internetit”, por nuk duhet të harrojmë se kompjuteri asnjëherë nuk mund të zëvendësojë miqtë realë dhe vetë realitetin. Interneti nuk mund të përmbushë funksionet e familjes ose të shkollës. Prandaj, disa këshilla të cilat mund të jenë të vlefshme për prindërit se si duhet t’i edukojnë fëmijët e tyre në përdorimin e kompjuterit janë:

-         Të zbulojnë internetin së bashku me fëmijët.

-         Të hartojnë një marrëveshje familjare dhe një rregullore për përdorimin e internetit.

-         Të kenë komunikim të hapur me fëmijët e tyre.

-         Kompjuteri të vendoset në një hapësirë publike të familjes, dhe jo në dhomën e fëmijëve.

-         Të bëhet kujdes që lojërat dhe filmat të përshtaten me moshën e fëmijës.

-         Të sqarojnë fëmijën lidhur me anët pozitive dhe negative të internetit.

Me këto këshilla për prindërit, mendoj se nxënësit do të jenë më të ndërgjegjësuar për mos përdorimin e celularit gjatë orës së mësimit. Gjithashtu, edhe mësuesit do ta kenë disi më të thjeshtë punën e tyre të transmetimit të dijeve dhe njohurive. Kurse shokët e klasës do të ndihen më mirë nëse kanë pranë një mik për të diskutuar e për të ndarë mendimet së bashku.

(Përgatiti: Eljana Brahja)

4,507 Lexime
7 vjet më parë