Digjitalizimi

Thaçi: Digjitalizojini tekstet shkollore me kosto zero

Jusuf Thaçi, njohës i mirë arsimit në Kosovë ka bërë një analizë në të cilën ai shpjegon se tani është momenti që të digjitalizohen të gjitha tekstet shkollore

MASHT tashmë veç pritet të fillojë procesin e ndryshimit dhe rishkrimit të teksteve shkollore. Prandaj, është mëse e domosdoshme që këto tekste të ndryshohen dhe të rikonceptohen tërësisht. Kështu që, ky është moment ideal që të shfrytëzohet për t’i digjitalizuar të gjitha tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, duke filluar nga niveli i arsimit të detyruar

Të gjitha analizat dhe hulumtimet e bëra viteve të fundit në lidhje me cilësinë e teksteve shkollore të arsimit parauniversitar në Kosovë kanë dëshmuar që, në përgjithësi, tekstet ekzistuese shkollore kanë probleme dhe të meta të mëdha, si: pasaktësi shkencore, mbingarkesa të shumta, nuk stimulojnë mendimin kritik e metodat bashkëkohore të mësimdhënies, përmbajnë gjuhë të papërshtatshme, probleme me aspektet didaktiko-metodike, etj.. Gjithashtu, tashmë Kosova po hyn në fazën e zbatimit të kurrikulës së re, që është e konceptuar krejt ndryshe nga ajo ekzistuesja, për zbatimin e së cilës tekstet ekzistuese shkollore nuk janë as për së afërmi të përshtatshme (realisht, sipas filozofisë së kurrikulës së re nuk do duhej të kishim fare tekste shkollore, por materiale mësimore, megjithëse në këtë tekst do ta përdor termin “tekste shkollore” për të qenë më e qartë për publikun).

Bazuar në të gjitha këto, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) tashmë veç pritet të fillojë procesin e ndryshimit dhe rishkrimit të teksteve shkollore. Prandaj, është mëse e domosdoshme që këto tekste të ndryshohen dhe të rikonceptohen tërësisht. Kështu që, ky është moment ideal që të shfrytëzohet për t’i digjitalizuar të gjitha tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, duke filluar nga niveli i arsimit të detyruar.

Bota moderne në të cilën jetojmë, po digjitalizohet e po virtualizohet çdo ditë e më shumë. Deshëm a s’deshëm ne, këtij trendi global nuk mund t’i ikim. Eventualisht mund të vendosim a do të jemi në trend me botën e zhvilluar, apo do të mbesim të fundit në këtë fushë. Unë konsideroj që Kosova nuk ka asnjë arsye që të mbetet e fundit në këtë drejtim, sepse Kosova ka qytetarë të aftë dhe penetrim e shfrytëzim shumë të madh të internetit e të teknologjisë informative. Mungon vetëm vizioni dhe vullneti për ta bërë Kosovën një ndër vendet që prijnë në përdorimin e teknologjisë moderne. Dhe kjo nuk është as ëndërr, as fantazi, as utopi!

Këtë duhet ta fillojmë që tani, me sistemin e arsimit, konkretisht me tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, meqë edhe ashtu jemi në fazën kur këto tekste do të rishkruhen tërësisht. Prandaj, këtë moment ideal duhet ta shfrytëzojmë si shtet e si shoqëri që t’i rikonceptojmë tekstet e reja shkollore në përputhje me metodat bashkëkohore dhe ato të digjitalizohen. Kjo nënkupton që në vend të teksteve shkollore të printuara që i kemi sot, nxënësi (edhe mësimdhënësi) do të pajiset me një pajisje teknologjike (si Kindle ose diçka të ngjashme), ku do t’i ketëtë gjitha tekstet shkollore për klasën përkatëse. Me tekst të digjitalizuar nuk nënkuptoj vetëm përfshirjen e përmbajtjes në formë të skanuar, por e kam fjalën për tekste, të cilat përveç përmbajtjeve të zakonshme të njësive mësimore, do të kenë edhe karakter interaktiv, si video-ligjërata, pyetje-përgjigje, lojëra edukative për të nxënë njësitë mësimore, mundësi që mësimdhënësi të shtojë materiale nga burime të ndryshme, teste vetë-vlerësuese, ese, laborator virtual, detyra shtëpie të programuara në kohë, lidhje me platforma të shumta online, të lidhura me pajisjen teknologjike të mësimdhënësit, etj., etj..

Kohëzgjatja dhe aktivitetet

Projekti i digjitalizimit të teksteve shkollore do duhej të përfshinte fillimisht shkollimin fillor dhe atë të mesëm të ulët (klasët 1-9), meqë ky është shkollim i detyruar dhe MASHT-i tash e disa vite i mbulon shpenzimet e teksteve shkollore për këtë nivel.

Digjitalizimi i teksteve shkollore dhe fillimi i përdorimit të tyre (për klasët 1-9) do të mund të bëhej për një periudhë 3 deri 4 vjeçare, ku përfshihet: hartimi i një plani dinamik, trajnime profesionale për tekst-shkruesit potencialë dhe të interesuar, hartimi i teksteve dhe përzgjedhja e teksteve për pilotim, trajnimi i mësimdhënësve të shkollave për pilotim, pilotimi i disa shkollave me karakteristika të ndryshme në mbarë Kosovën, përmirësimet e nevojshme gjatë dhe pas pilotimit, përzgjedhjae kompanisë/ve për furnizim me pajisje teknologjike, përzgjedhja e kompanisë/ve për mirëmbajtjen e pajisjeve teknologjike, përzgjedhja e teksteve shkollore për të gjitha lëndët dhe vitet, trajnimi i mësimdhënësve rreth përdorimit të teksteve digjitale dhe fillimi i zbatimit të teksteve digjitale në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë (klasët 1-9).

Kostoja zero

Para disa ditësh në Kuvendin e Kosovës ministri i arsimit tregoi se për një nxënës harxhohen afërsisht 20 euro në vit për pajisje me tekste shkollore falas. Kosova ka afërsisht 260 mijë nxënës në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta (klasët 1-9). Nga kjo del që MASHT-i harxhon rreth 5.2 milionë euro në vit për tekste shkollore falas (që në fakt është minimumi, shifra mund të jetë më e lartë). Ndërsa, për tri vite MASHT-t shpenzon 60 euro për kokë nxënësi apo rreth 15.6 milionë euro për tekste shkollore falas.

Nëse do të digjitalizoheshin tekstet shkollore, atëherë MASHT-i do të mund të blinte rreth 300 mijë pajisje teknologjike (rreth 260 mijë për nxënësit, rreth 17 mijë për mësimdhënësit dhe rreth 23 mijë rezervë). Këto pajisje teknologjike do të mund të bliheshin me porosi drejtpërdrejt nga prodhuesi, me kusht që të kenë jetëgjatësi dhe garancion 3-vjeçar, për mirëmbajtjen e të cilave prodhuesi do të kontraktonte kompanitë vendore, të cilat do të mirëmbanin këto pajisje sipas nevojës gjatë periudhës 3-vjeçare.

Bazuar në çmimin ekzistues të këtyre pajisjeve në tregun me pakicë dhe duke pasur parasysh që MASHT-i do të blinte numër të madh të këtyre pajisjeve drejtpërdrejt nga prodhuesi, atëherë një pajisje e tillë teknologjike maksimumi do të mund të kushtonte 40 euro. Rrjedhimisht, blerja e 300 mijë pajisjeve teknologjike me çmimin 40 euro për copë do të kushtonte 12 milionë euro.

Meqë garancioni dhe jetëgjatësia e këtyre pajisjeve do të jetë 3-vjeçare, atëherë del që me digjitalizimin e teksteve shkollore ne do të kursenim rreth 3.6 milionë euro brenda tri viteve (bazuar në shpenzimet aktuale për tekste shkollore). Në fakt, ky nuk do të ishte kursim, por këto mjete (3.6 milionë euro) do të përdoreshin për blerjen e të drejtave autoriale dhe për të gjitha aktivitetet tjera që lidhen me këtë projekt, të cilat u përmendën më sipër.

Si përfundim, del që digjitalizimi i teksteve shkollore dhe pajisja e të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve me mjetete duhura teknologjike për shkollat fillore dhe të mesme të ulëta (klasët 1-9) nuk do të kishte asnjë kosto shtesë financiare për buxhetin e Kosovës, ndërkohë që do të sillte jashtëzakonisht shumë përfitime.

Përfitimet

Nëse tekstet shkollore do të digjitalizoheshin, atëherë përfitimet do të ishin të shumta dhe të shumanshme, edhe për nxënësit e për sistemin e edukimit, edhe për ekonominë, edhe për zhvillimin e fushës së teknologjisë, edhe për ambientin, etj..

Përveç tjerash, tekstet e digjitalizuara, fleksibile, interaktive e atraktive, do t’i kontribuonin zhvillimit intelektual të nxënësve dhe stimulimit të mendimit kritik tek nxënësit, do të lehtësonin zbatimin e kurrikulës së re, do të impononin zbatimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe vlerësimit nga ana e mësimdhënësve, nxënësit do familjarizoheshin me teknologjinë dhe do të rrisnin kompetencën e tyre në këtë fushë, do të zvogëlohej maksimalisht pesha e çantave të nxënësve, në rast të gabimeve ose nevojës për përmirësime do të mund të ndryshoheshin pa kosto të printimit, do të nxitej shumë zhvillimi i kompanive të teknologjisë në Kosovë, do të ishim në trend me zhvillimet globalen në fushën e arsimit dhe përdorimit të teknologjisë, do të kursehej letra dhe do të ruhej ambienti, etj., etj..

Vështirësitë dhe problemet

Sigurisht që për jetësimin e kësaj ideje parashihet të ketë disa vështirësi e probleme, të gjitha të menaxhueshme dhe të tejkalueshme sipas meje.

Vështirësia e parë lidhet me kapacitetet e autorëve të teksteve për të përgatitur tekste të tilla shkollore. Mendoj që ky nuk është problem i madh, sepse çdo profesionist i fushës që do të ishte i interesuar do të mund të shkruajnë tekste të tilla, normalisht duke ftuar në ekip edhe profesionistë të dizajnit, të multi-medias, të programimit, të teknologjisë, etj.. MASHT-i do të mund të përgatiste manual të detajuar për hartimin e teksteve të tilla shkollore për të gjithë autorët e interesuar dhe po ashtu do të mund të ofronte trajnime për këtë gjë për të gjithë të interesuarit.

Vështirësia e dytë lidhet me atë se a janë disa nxënës dhe disa mësimdhënës të aftë të përdorin pajisje të tilla teknologjike në vend të teksteve të printuara. Fillimisht duhet thënë që këto pajisje nuk do të jenë shumë të ndërlikuara për t’u përdorur as nga nxënësit e as nga mësimdhënësit. Sot në Kosovë, pothuajse të gjithë posedojnë ose kanë qasje në pajisje të tilla teknologjike. Pavarësisht kësaj, MASHT-i do duhej të ofronte një trajnim për mësimdhënësit për mënyrën e funksionimit dhe përdorimit të këtyre pajisjeve teknologjike edhe nga ana e tyre edhe nga ana e nxënësve. Edhe po pati mësimdhënës që nuk mund të aftësohen për të përdorur këtë teknologji, numri i tyre mund të jetë shumë i vogël, prandaj kjo nuk do duhej të merrej për bazë për të sakrifikuar mbi çerek milioni nxënës, të cilët do të përfitonin nga kjo teknologji, për hir të një numri të vogël të mësimdhënësve që nuk mund të aftësohen për këtë gjë.

Vështirësitë dhe problemet e tjera teknike janë lehtësisht të zgjidhshme. Në rast defekti të pajisjeve teknologjike, MASHT-i do të ketë një numër të caktuar rezervë të pajisjeve teknologjike (që u përmend më sipër), në mënyrë që ato të zëvendësoheshin brenda dite në rastet kur ka nevojë. Pajisjet e tilla teknologjike nuk kanë probleme me bateri, meqë mund të jenë funksionale gjatë gjithë ditës me një mbushje të baterisë në shtëpi, nuk janë të dëmshme për sytë e njeriut, mund të mbështillen me mbrojtëse që i ruajnë nga dëmtimi, etj., etj..

Gjithashtu, është me rëndësi të përmendet që për nevoja të trajnimeve për këtë projekt dhe për ndihmë tjetër teknike e profesionale, MASHT-i mund të gjejë pa vështirësi donatorë ndërkombëtarë që janë të gatshëm të investojnë në këtë projekt, nëse veç do të kishte nevojë për një përkrahje të tillë financiare e teknike.

E di që shumë skeptikë do të mendojnë se kjo është veç një ëndërr e mirë, por e pamundur të realizohet në Kosovë. Por, vetëm në këtë tekst të shkurtër u argumentua mjaftueshëm se kjo mund të bëhet, pa kosto shtesë nga ajo që shteti paguan sot, për një periudhë relativisht të shkurtër, me përfitime të shumta e të shumanshme dhe me vështirësi e probleme që mund të tejkalohen (sigurisht që ka edhe gjëra të tjera që duhet të adresohen e të qartësohen në lidhje me këtë ide). Prandaj, konsideroj që ky projekt mund të realizohet në Kosovë. Duhet vetëm vizion, vullnet, guxim dhe punë për ta jetësuar. Po nuk e bëmë sot, të jeni të sigurt që e nesërmja do të na detyrojë ta bëjmë këtë, prandaj sa më parë aq më mirë!

1. Edhe digjitalizimi i teksteve shkollore për shkollat e mesme të larta do të mund të bëhej gjatë periudhës së njëjtë kur realizohet digjitalizimi i teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, apo edhe pas kësaj periudhe. Meqë tekstet shkollore për këtë nivel shkollimi nuk i paguan MASHT-i, atëherë koston për tekste të digjitalizuara për këtë nivel shkollimi do ta bartnin vet nxënësit, meqë do të ishte kostoja e njëjtë siç paguajnë aktualisht për t’u pajisur me tekste shkollore. Nëse MASHT-i do ta merrte përsipër koston për këtë, atëherë kjo do të kushtonte rreth 1.5 milionë euro në vit.

2. Më herët këtë ide ua kam propozuar disa institucioneve dhe disa subjekteve politike në Kosovë, që kanë kërkuar ide dhe sugjerime nga ana ime për reforma dhe përmirësime në fushën e arsimit në Kosovë. Prandaj, meqë deri më tani nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim dhe meqë tani është momenti kur do të diskutohet dhe vendoset për rishkrimin e teksteve të reja shkollore, vendosa që ta bëj publike këtë ide, me shpresë se kjo ide do të mund të gjej përkrahje për t’u jetësuar.

(Jusuf Thaçi, Express)

2,135 Lexime
7 vjet më parë