Intervistë

Xhensila Lluka, frymëzim mes brezave të vegjël dhe edukatoreve të ardhshme

Intervistë me Xhensila Llukën, një rast frymëzues në arsimin parashkollor. Ajo rrëfen se si pasioni për edukimin i është trashëguar nga gjyshja dhe nëna, duke e shndërruar këtë profesion në një mision. Mes brezave të vegjël e edukatoreve të ardhshme, ajo ndan mesazhet dhe përvojën e saj.

Xhensila Lluka është një emër i njohur në fushën e arsimit parashkollor në Shqipëri. Si pronare e Institucionit Arsimor Parauniversitar “Luledielli” dhe pedagoge pranë Fakultetit të Edukimit, ajo ka ndërtuar një karrierë të mbushur me pasion, përkushtim dhe dashuri për fëmijët dhe për formimin e edukatoreve të ardhshme. 


Me një qasje që përmbledh trashëgimi, mision dhe pasion, Xhensila e sheh edukimin jo vetëm si profesion, por si një rrugë shpirtërore dhe një mision për të ndriçuar jetët e fëmijëve që kalojnë në kopshtin e saj.


Në këtë intervistë, e kemi ndjekur si një rast frymëzues, duke zbuluar mendimet e saj mbi sfidat dhe kënaqësitë e punës me fëmijët e vegjël, mënyrën se si ruan ekuilibrin mes pjesës administrative dhe përkushtimit të drejtpërdrejtë, dhe vizionin e saj për edukimin parashkollor në Shqipëri. Përmes fjalëve të saj, ndjejmë jo vetëm përkushtimin profesional, por edhe dashurinë dhe empatinë që e bëjnë punën e një edukatoreje një mision të veçantë dhe të paharrueshëm.



Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 



Xheni, Ju e keni quajtur edukimin “trashëgimi, mision dhe pasion”. Çfarë ka ndikuar më shumë që ta përjetoni në këtë formë, si i kujtoni fillimet tuaja?


Edukimi për mua është një dhuratë brezash. Është trashëgimi, sepse unë mbaj në duar dritën që ndezi gjyshja ime, e ruajti mami dhe sot e jetoj unë, si një zinxhir dashurie që nuk këputet kurrë. Është mision, sepse e ndjej që kjo rrugë nuk më është dhënë rastësisht, është thirrje shpirtërore për të mbjellë dije, për të ushqyer shpresën dhe për të rritur ëndrra të vogla që nesër do të bëhen të mëdha. Është pasion, sepse kur jeta më çoi në drejtime të tjera, zemra më tërhoqi gjithmonë këtu, atje ku gjej dritën dhe kuptimin. Fillimet e mia i kujtoj si hapa të vegjël, të mbushur me ndrojtje, por edhe me lumturi të pastër, atë lumturi që falin vetëm sytë e fëmijëve kur të besojnë. Në atë çast kuptova: kjo nuk është vetëm puna ime, është rruga ime, është jeta ime.



Si e kujtoni gjyshen dhe nënën tuaj në këtë profesion, çfarë ju kanë lënë trashëgim?


Gjyshja më la shpirtin e butë të edukimit, mami më dha forcën, përkushtimin dhe besimin që askush më mirë se unë nuk mund ta bëjë këtë mision. Sot unë jam bashkimi i tyre… një trashëgimi drite që ndriçon rrugën time.



A mendoni se dashuria për fëmijët është diçka që mësohet apo lind natyrshëm?


Empatia, ndjeshmëria, aftësia për të kuptuar një buzëqeshje apo një lot, për të ndjerë dhimbjen apo gëzimin e një fëmije… këto nuk të mëson askush në libra. Ato janë aty, pjesë e natyrës sime, e trashëgimisë shpirtërore që unë mbart. Ka lindur së bashku me mua.



Çfarë filozofie ndiqni në institucionin tuaj arsimor “Luledielli” për edukimin e fëmijëve të vegjël?


Filozofia ime si drejtuese e institucionit tim nuk është që çdo fëmijë të bëhet patjetër shkencëtar apo doktor. Unë dua që fëmijët e kopshtit tim të jenë të shëndetshëm në trup dhe në shpirt, të përgjegjshëm në veprimet e tyre dhe qytetarë të ndershëm që i shërbejnë me dashuri komunitetit të tyre. Ky është thelbi i edukimit për mua: të rrisim njerëz të mirë, dhe çdo arritje tjetër do të vijë natyrshëm.


Cila është sfida më e madhe që hasni si pronare dhe edukatore njëkohësisht?


Sfida ime më e madhe si pronare dhe edukatore është të gjej ekuilibrin mes dashurisë së pakushtëzuar për fëmijët dhe nevojës për të vendosur rregulla, struktura dhe disiplinë. Dua që ata të ndihen të sigurt dhe të vlerësuar, por njëkohësisht të mësojnë përgjegjësinë dhe respektin. Çdo ditë është një test i durimit, kreativitetit dhe aftësisë për të kuptuar secilin fëmijë në mënyrë më të mirë.



Si arrini të ruani ekuilibrin mes pjesës administrative dhe asaj të përkushtimit me fëmijët?


Ruajtja e ekuilibrit mes pjesës administrative dhe përkushtimit me fëmijët nuk është e lehtë, por është thelbësore për suksesin e kopshtit. Pjesa administrative më sfidon të jem e organizuar, e disiplinuar dhe të marr vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e fëmijëve. Çdo planifikim, raport apo vendim menaxhimi bëhet me kujdes, duke mos humbur kurrë fokusin mbi misionin tonë edukativ. Kam një ekip të mrekullueshëm, për të cilin jam pafund mirënjohëse, sepse ata kanë përqafuar filozofinë time të punës dhe ndajnë me mua vizionin për të rritur fëmijë të shëndetshëm, të përgjegjshëm dhe qytetarë të ndershëm. Ky ekuilibër arrihet gjithashtu duke qenë e pranishme në çdo moment të rëndësishëm për fëmijët, duke dëgjuar dhe kuptuar nevojat e tyre, dhe duke mos humbur kurrë fokusin mbi atë që ka më shumë vlerë: lumturinë dhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm.



Ju jeni gjithashtu pedagoge pranë fakultetit të edukimit për studentët që përgatiten të bëhen mësues të arsimit parashkollor. Si është të edukoni jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe edukatoret e ardhshme?


Të jem pedagoge pranë Fakultetit të Edukimit është një përvojë që më mbush me një ndjesi të veçantë përgjegjësie dhe lumturie. Nuk edukoj vetëm fëmijët, por edhe edukatoret e ardhshme, ata që do të ndjekin rrugën time dhe do të vazhdojnë misionin e madh të formimit të brezave. Ndihem e privilegjuar për besimin që më është dhënë që mund t’i udhëzoj, t’i frymëzoj dhe t’i ndihmoj të zhvillojnë empatinë, ndjeshmërinë dhe dashurinë për fëmijët, duke i përgatitur jo vetëm për profesionin, por edhe për misionin shpirtëror që ky profesion kërkon. Kjo më jep kënaqësi dhe e bën punën time edhe më të plotë.



Çfarë mendoni se duhet të ketë një edukatore e mirë përveç njohurive profesionale?


Njohuria profesionale hap rrugën, por dashuria dhe përkushtimi, empatia dhe ndjeshmëria, durimi dhe qetësia, kreativiteti dhe fleksibiliteti, përgjegjshmëria dhe integriteti, aftësia komunikuese dhe pasioni për edukimin e bëjnë një edukatore të përgatitur për çdo situatë dhe të aftë të frymëzojë e të rrisë njerëz të përgjegjshëm dhe të ndershëm.



A vëreni ndryshim në mënyrën se si të rinjtë e sotëm e përjetojnë këtë profesion, krahasuar me kohën tuaj?


Duke qenë çdo ditë në auditor, i prek dhe i shoh nga afër këto ndryshime tek të rinjtë që e përjetojnë profesionin e edukatorit. Ata kanë energji, njohuri dhe ambicie, por shpesh duhet të ndihmohen të kuptojnë se edukimi nuk është vetëm një profesion, por një mision shpirtëror që kërkon dashuri, durim dhe ndjeshmëri. Jam e lumtur që me praninë time të drejtpërdrejtë kam ndikuar tek ata, për t’i udhëzuar dhe frymëzuar, për të kuptuar thelbin e punës që do të zgjedhin.



Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit diçka thelbësore në edukimin parashkollor, cila do të ishte?


Vizioni im është një arsim parashkollor ku çdo fëmijë ndihet i vlerësuar dhe çdo edukator ndihet i frymëzuar.



Si e shihni të ardhmen e kopshtit tuaj dhe të profesionit të edukatores në Shqipëri?


Kopshti im ka hedhur themele të forta dhe jam e bindur që do të ndriçojë për shumë vite. Nuk është rastësi që investoj çdo ditë në përmirësimin dhe zhvillimin e tij; dua të krijoj një institucion me jetëgjatësi dhe me potencial të plotë. Këtu rriten breza që shkëlqejnë jo vetëm në shkollë, por në çdo fushë të jetës, duke bartur vlerat, njohuritë dhe dashurinë që u japim çdo ditë. Mësuesi i arsimit parashkollor duhet të jetë një profesion i respektuar dhe absolutisht më i vlerësuari. Me to nis jeta.



Si ndikon puna juaj në jetën personale dhe familjare?


Do të gënjeja nëse do të thoja se puna ime nuk ndikon në jetën time personale dhe familjare. Puna ime prek çdo pjesë të jetës sime, sjell lumturi dhe sfida, por edhe lodhje dhe sakrifica. Nuk do ta kisha përballuar pa mbështetjen e bashkëshortit tim dhe pa mënyrën si ai ka menaxhuar Kloen dhe Glauk kur unë jam ndjerë e lodhur. Mundohem të gjej balancën, por ndonjëherë dashuria për fëmijët dhe për edukimin kërkon gjithë shpirtin tim.



A mendoni se do të vazhdojë kjo trashëgimi edhe tek fëmijët tuaj?


Do të doja shumë që ime bijë, Kloe, të vazhdonte gjithçka që mami i saj po ndërton me kaq durim, pasion dhe përkushtim, diçka që, besojeni, sot nuk është e lehtë. Kloe që në vogëli ka dalluar për shpirtin e saj të lidershipit dhe për empatinë. Sot, në moshën 10-vjeçare, gjatë pushimeve verore ajo ndihmon dhe mundohet të angazhojë fëmijët e grupmoshave të ndryshme me lojëra dhe aktivitete kreative, duke treguar që pasioni dhe kujdesi për të tjerët janë vlera që tashmë i ka brenda vetes.



Çfarë këshille do t’u jepnit prindërve të rinj për edukimin e fëmijëve të tyre?


Është pjesa që e bëj më me pasion:

Prindër të rinj, shijojeni çdo çast me bebat tuaj, qeshjet, lotët, lodhjen dhe prapësitë e tyre. Lejoni që fëmijët të eksplorojnë botën, të bëjnë gabime, të luajnë dhe të shijojnë fëmijërinë e tyre me gëzim. Dashuria, durimi dhe pranimi juaj janë dhurata që do të mbajnë në zemër për gjithë jetën.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

827 Lexime
2 javë më parë