Studentja e talentuar

Xhulia Kurti, e reja shqiptare që fitoi çmimin e dytë në konkursin e shpikjeve inovative për vitin 2021

Xhulia është shqiptarja e parë që fitoi një çmim të dytë në konkursin e shpikjeve inovative për vitin 2021 e së fundmi ka marrë dhuratë librin e Bill Gates nga ana e të cilit kishte edhe një mesazh falënderues për të.

Xhulia Kurti është një studente e vitit të tretë të Shkencave Kompjuterike.


Ajo u rendit e dyta në botë në konkursin botëror të shpikjeve të reja kompjuterike për vitin 2021 dhe ku në fazën finale ishin përzgjedhur 26 pjesëmarrësit më të mirë nga e gjithë bota.

Ky konkurs prestigjioz IAA mobilitython, u zhvillua në Mynih, Gjermani për studentet e apasionuar ndaj teknologjisë. 


Në përfundim, shqiptarja ka marrë edhe një surprizë të bukur.

Miliarderi Bill Gates, bashkëthemelues i Microsoft-it, i ka dhuruar librin e tij (ende të pa dalë në treg) , së bashku me një mesazh përgëzimi për suksesin e merituar.


Pasioni i saj ka nisur që në vitin 2008 në internet - kafenë e babait të saj nga ku mësonte pjesët e kompjuterit. Ajo nuk mjaftohet as sot me njohuritë që fiton në universitet dhe ndjek kurse dhe specializime të Google, Amazon e plot të tjera. 


“Unë studioj për shkenca kompjuterike në universitetin e Durrësit. Aplikova online dhe kalova në tre stade derisa arrita te fitorja. Në fakt, ky projekt ishte puna e një viti dhe nuk kisha gjetur ku ta prezantoja, derisa projekti gjeti vend në konkursin në Gjermani. Të përdorësh internetin pa Wifi nuk është vjedhje, është një mënyrë se si të logohesh. Unë si synim kam tregun global, jo Shqipërinë. Babi është një nga partnerët më mbështetës që unë kam gjatë gjithë jetës sime. Di të them që është një libër interesant dhe ja vlen që të blihet. Është goxha interesant sepse tregon historitë për shkatërrimin e piratërive dhe histori të shkencëtarëve të tjerë”, është shprehur Xhulia për disa media. 

Përtej specializimeve, Xhulia bën të pamundurën të gjejë projekte e mënyra inovative për t’i vënë idetë e saj në zbatim, për të përmirësuar sadopak jetën e njerëzve nëpërmjet teknologjisë. 


Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,141 Lexime
2 vjet më parë