INFORMIM

10 mësues me COVID-19 te “Emin Duraku”, DPAP: Mësimi po vijon normalisht, mësuesit janë zëvendësuar

Mësimi në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet po vijon normalisht, edhe pse 10 mësues dhe 3 punonjës kanë rezultuar të prekur me COVID-19. Njoftimin e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar teksa ka thënë se mësuesit janë zëvendësuar dhe ambientet janë dezinfektuar.

Në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet 10 mësues dhe 3 punonjës kanë rezultuar me COVID-19. Në media është thënë se 29 mësues të tjerë janë vetkarantinuar


Por pavarësisht kësaj situate, mësimi në këtë shkollë po vijon ende në mënyrë normale. Këtë njoftim e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, MASR. 


“Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht”, thuhet në postimin e faqes zyrtare të Facebook të DPAP.  


Ndërkohë në njoftim thuhet gjithashtu se për situatën janë marrë masat e menjëhershme nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. 


“Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social. Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme. Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave”, thuhet në njoftimin e DPAP .



Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,414 Lexime
3 vjet më parë