Bursa

100 bursa për studentët e universiteteve publike

Ministri Bajrami mori pjesë ceremoninë e ndarjes së 100 bursave për studentet e universiteteve publike

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së 100 bursave për studentet (femra), që studiojnë në universitetet publike të Kosovës, të cilat financohen nga Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Ministri Bajrami, me këtë rast, ka shprehur falënderimin ndaj gjithë kontribuesve të këtyre bursave dhe është zotuar se fituesit, do të kenë mbështetejen e plotë të Ministrisë së Arsimit jo vetëm në përfundimin e studimeve akademike, por edhe në kyçjen në procese të zhvillimit ekonomik dhe transformimin e përgjithshëm nëpër të cilin po kalon vendi ynë.

Ministri Bajrami ka vlerësuar se, ndarja e këtyre bursave është një shembull i mirë i ndihmës që mund të japin bizneset e sukseshme, në ngritjen dhe edukimin e rinisë sonë.

“Financimi i studentëve tanë në kryerjen e studimeve akademike është një parakusht për zhvillimin e një shoqërie të re siç është Republika e Kosovës, për promovimin e një gjenerate të re, e cila nesër do të marrë barrën e zhvillimit ekonomik të vendit. Jam i sigurt se këto studente që sot kanë përfituar këto bursa, nesër do të jenë biznesmenë të suksesshme, sepse kjo i duhet Kosovës” është shprehur ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka folur edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Arsimit me qeverinë gjermane, në transformimin e shkollave profesionale dhe promovimin e mësimit dual, por edhe në profilizmin e universiteteve publike për profilet e shkencave të aplikuara.

1,688 Lexime
8 vjet më parë