LIBËR I RI

100 fotografitë që ndryshuan botën

100 Fotografitë më të famshme në historinë bashkëkohore, shkrepje që I treguan botës çastet që kanë bërë epokë dhe pikat pa kthim, imazhe, të cilat përmes forcës së tyre shprehëse trazuan vetëdije njerëzore dhe nxitën ndryshime në politikë dhe në shoqëri.

100 FOTOFRAFITË QË NDRYSHUAN BOTËN

Shekulli i njëzëtë ende nuk kishte mbërritur, por tashmë njerëzimi ishte gati ta mirëpriste, ta zhbirilonte dhe ta përjetësonte me një aparat fotografik. Instrumenti ishte ende i ri, e megjithatë u përhap me kaq shpejtësi dhe qe aq i efektshëm saqë do ta ndryshonte përgjithmonë mënyrën tonë të përjetimit dhe lidhjen tonë me historinë – si me historinë private të individëve dhe të familjeve të çfarëdolloj prejardhjeje shoqërore, duke u lënë brezave të tërë prova të prekshme të ekzistencës së tyre – ashtu edhe me historinë me një “H” të madhe, e cila është shënjuar dosmosdo nga personalitete dhe ngjarje më të pakta, por më të mëdha.


Kjo nuk është një histori fotografie, por një vëllim fotografish për historinë. Këtu janë përmbledhur fotografitë e ngjarjeve dhe personaliteteve që janë tepër të largëta dhe të ndryshme, e megjithatë thelbësore për të krijuar tablonë e një faze që ishte kaq e mbushur me pritshmëri dhe me kontradita.


Në librat e historisë dëshmohet se historia e fotografisë i pati fillesat në vitin 1839, kur prestigjozja Academie des Sciences de l'institut de France, si edhe Academie Des Beaux Arts njohën teknikën e re të dagerrotipit (portret i fotografuar me një procedurë të hershme) të shpikur nga Lous Daguerre, një burrë me mendjemprehtësi të gjithanshme. Në të vërtetë, historia jozyrtare pati filluar të paktën dymbëdhjetë vjet më parë, kur Joseph Nicephore siguroi imazhin e parë të paqëndrueshëm “të nxjerrë me dritë.” Mandej ai nisi bashkëpunimin e ngushtë me Daguerre-in. 


Siç ndodh shpesh me shpikjet e mëdha, edhe në lidhje me fillimet e shpikjes së fotografisë ka shumë debate dhe “kundër-histori”. Për shembull, çifti francez Niepce-Daguerre shpesh kundërshtohet nga dy shkenctarë britanikë, Thomas Wedgeood-i dhe William Henry Fox Talbot-i. Ajo çka është e sigurt është se teknika e re e pati zanafillën në Francë dhe në Britani në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe se qysh prej atëhere I kapërceu kufijtë dhe kontinentet me shpejtësi të madhe.


Mes fotografëvë të zgjedhur janë disa gjigandë, si Henri Cartier-Bresso-i, Robert Capa, Dorothea Lagne dhe Cecil Beaton-i; reporterë të mëdhenj dhe dëshmitarë okularë me mprehtësi dhe kurajë, duke filluar nga Elliott Erwitt-i e deri tek Abbas Attar-i, nga Eugene Smith-i e deri te Kevin Carter-i, te Lerry Burrows-i, sipërmarrës fotografie nga të cilët u morën pjesëza filmash fotografikë që bartin me forcë të pamasë simbolike, si vëllezërit Lumiere dhe Sergej Ejzenstejn-i. Por për më shumë imazhe ne u detyrohemi artizanëve dhe amatorëve të ndershëm të fotografisë, të cilët ndonjëherë mbetën të paemër dhe patën fatin e mirë të ishin në vendin e duhur në kohë e duhur, sepse historia nuk është gjithmonë e parashikueshme. E rëndësishme është që, kur të troket në derë, të kesh në dorë një aparat fotografik dhe të jesh gati për ta kapur çastin.


100 Fotografitë më të famshme në historinë bashkëkohore, shkrepje që i treguan botës çastet që kanë bërë epokë dhe pikat pa kthim, imazhe, të cilat përmes forcës së tyre shprehëse trazuan vetëdije njerëzore dhe nxitën ndryshime në politikë dhe në shoqëri.


(Portali Shkollor) 

2,649 Lexime
5 vjet më parë