"31 dhjetor ora 22:30 festë në sheshin “Nënë Tereza”"

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do e presë vitin e ri në sheshin “Nënë Tereza” bashkë me qytetarët në një koncert festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do e presë vitin e ri në sheshin “Nënë Tereza” bashkë me qytetarët në një koncert festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Erion Veliaj së bashku me qytetarët do të numërojnë së bashku sekandat e fundit të këtij viti dhe do të shikojnë spektaklin e fishekzjarreve. 

Ndryshe nga vitet e tjera, Bashkia e Tiranës ka zgjedhur që festën e ndërrimit të viteve ta presë së bashku me qytetarët në sheshin “Nënë Tereza”, me një koncert festiv dhe spektakël fishekzjarresh.

Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës, Julinda Dhame, ftoi qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen festës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për numërimin mbrapsht të sekondave të fundit të këtij viti dhe për të ndjekur surprizat e përgatitura për natën e ndërrimit të viteve. Festa nis në orën 22:30.

“Dua t’u jap një lajm shumë të mirë qytetarëve të Tiranës. Në datën 31 dhjetor, natën e ndërrimit të viteve do ta festojmë së bashku në sheshin “Nënë Tereza”, me njëkoncert festiv që fillon nga ora 22:30 dhe përfundon pas mesnatës”, tha Dhame.

Bashkia e Tiranës ka menduar që Viti i Ri të pritet ndryshe qoftë me aktivitete kulturore-artistike, por edhe përmes atmosferës së krijuar në qytet.

“Këtë vit kemi një dekor ndryshe dhe shumë elegant në të gjithë Tiranën. Gjithashtu, janë organizuar aktivitete dhe projekte artistike e kulturore të shumta. Do e përfundojmë këtë vit me koncertin festiv, me emra të njohur të muzikës shqiptare se si: Kamela Islamaj, Eugent Bushpepa, Marsela Çibukaj, Vesa Luma etj. Gjithashtu, do të kemi trupën e cirkut kombëtar dhe disa DJ të njohur”, shtoi Dhame.

Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të mos përdorin mjete piroteknike, pasi edhe për këtë detaj ka menduar bashkia.

“Dua t’iu kujtoj qytetarëve se Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake kanë marrë të gjithë masat për të mos pasur asnjë incident në këtë natë. Gjithashtu, lutemi të kemi mirëkuptimin tuaj sa i përket përdorimit të mjeteve piroteknike, pasi Bashkia e Tiranës do të garantojë një spektakël shumë të bukur dhe festiv me fishekzjarre”, përfundoi Dhame.

2,547 Lexime
8 vjet më parë