Aktualitet

8-vjeçarja nga Fieri që zgjohet në 5 të mëngjesit, lan, gatuan e niset për shkollë

Për një fëmijë vetëm 8 vjeç është e pazakontë që të zgjohet në 5 të mëngjesit për t’u kujdesur për shtëpinë dhe gjyshen e moshuar, para se të niset në shkollë. Por për Sheilën kjo është e përditshmja. Edhe pse shkolla ka nisur vogëlushja akoma nuk ka mjete mësimore pasi nuk ka me çfarë t'i blejë...

“Sot nuk shkova në shkollë se nëna ishte sëmurë, dhe kështu mungoj shpesh”, thotë Sheila, 8 vjeçe, e cila jeton vetëm me gjyshen e saj të moshuar. 


Sheila thotë se zgjohet në orën 5 të mëngjesit, pasi i jep ilaçet gjyshes, duhet të bëjë mëngjesin, të laj, pastrojë dhe të bëjë të gjitha punët e shtëpisë. 


“Zgjohem që në 5 të mëngjesit  bëj punët pastaj shkoj në shkollë, edhe mungoj kur gjyshja është  sëmurë”, tregon e mitura. 


Ndërkohë për prindërit flet pak. Ajo thotë se të atin në burg nuk e ka takuar se nuk ka kush ta çojë ta takojë, vetëm komunikon në të telefon, ndërsa me të ëmën nuk flet fare. 


Në prezencë të gazetarëve ajo gatuan mëngjesin e gjyshes. Në frigorifer ka vetëm një kokërr vezë dhe atë nuk mendon ta hajë vetë, por ia gatuan nënës e cila më pas do  marrë ilaçet. 

Gjithashtu para se të niset në shkollë ajo vendos edhe rrobat për t’u larë. 

Kur gazetarët e pyesin se për çfarë ka nevojë ajo përgjigjet: Kam nevojë për lodra, rroba, mjete mësimore.

Edhe pse shkolla ka nisur Sheila akoma nuk ka mjete mësimore pasi nuk ka me çfarë t'i blejë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,066 Lexime
7 muaj më parë