88 olimpiadistët shqiptarë vlerësohen në Kryeministri, Kumbaro: Teknologjia në duart tuaja për të zhvilluar mendimin kritik

88 olimpiadistë fitues u vlerësuan në një ceremoni në Kryeministri. Ministrja Mirela Kumbaro vlerësoi sukseset e nxënësve dhe theksoi rëndësinë e mendimit kritik, ndërsa njoftoi edhe një risi: nga ky vit, olimpiadave kombëtare do t’u shtohet edhe olimpiada e gjuhëve të huaja.

U zhvillua sot në kryeministri ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për 88 olimpiadistë fitues të olimpiadave kombëtare e ndërkombëtare. Në aktivitetin me pjesëmarrjen e kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vlerësoi të gjithë olimpiadistët për suksesin e arritur.


Jemi të gjithë bashkë, 88 fitues të olimpiadave kombëtare në matematikë, fizikë, kimi, biologji, informatikë, gjuhë shqipe dhe letërsi, histori e gjeografi, fituesit e olimpiadës së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Është dhe një kategori tjetër për të cilën dua të shpreh mirënjohjen dhe të falenderoj një grup prej jush që mbasi marrin çmime të para, të dyta e të treta në olimpiadat komëtare, kanë guximin, dëshirën dhe ambicien të garojnë nëpër olimpiada të tjera ndërkombëtare, sidomos në fushën e matematikës, informatikës dhe shkencës, ku jo vetëm dilni ndër më të mirët, po ngrini lart edhe flamurin kombëtar.


Më tej, në fjalën e saj ajo u ndal tek arritjet e Shqipërisë në rezultatet e Testit PISA 2025, të cilat përmirësim të ndjeshëm të performancës së nxënësve shqiptarë në të tre fushat e vlerësimit, përkatësisht +65 pikë në matematikë, +59 pikë në shkencë dhe +50 pikë në lexim, duke e renditur Shqipërinë në nivelet më të larta të rajonit të Ballkanit Perëndimor në matematikë dhe shkencë. Nga ana tjetër, gjetjet e PISA evidentojnë për nxënësit shqiptarë nivele të larta kurioziteti, këmbënguljeje përballë detyrave të vështira dhe bindjeje se arsimimi ia vlen.


“U ndjeva jashtëzakonisht krenare që Shqipëria u rrit ndjeshëm në të treja fushat e vlerësimit dhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para në pikët e akumuluara në Matematikë, e para me Malin e Zi në shkencë dhe e treta në lexim. Ju jeni prova më e mirë se sa punë bëhet nga ju, nga familjet tuaja, mësuesit që ju udhëheqin dhe ekipit të sektorit publik e privat të arsimit që kemi synim të përbashkët, të kemi nxënës me aftësi që të jenë jo ata vegël e teknologjisë, por teknologjia të jetë në dorën e tyre për të zhvilluar mendimin kritik. Dua të shuaj edhe disa zëra që nuk e di pse nuk gëzohen për fëmijët e Shqiëprisë që dalin të parët por kapen në detaje teknike të cilat përpiqen t’i përdorin për t’u ulur meritat tuaja. Merita është juaja, e shkollës shqiptare, e gjithë mësuesve që ju rrinë mbi kokë”, tha ministrja Kumbaro. Ministrja Kumbaro njoftoi se nga ky vit, olimpiadave kombëtare do t’u shtohet edhe ajo e gjuhëve të huaja.


Në fund të ceremonisë, olimpiadistëve iu shpërndanë certifikatat dhe dhurata nga kryeministri dhe ministrja e Arsimit.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

131 Lexime
15 orë më parë