A është dhunues një mësues?

Ngjarja e fundit e dhunës në shkollë ndezi debat: a është mësuesi dhunues apo një profesionist i lodhur dhe i pambrojtur? Shkrimi i Alma Marës nxit reflektim mbi presionin ndaj mësuesit, përgjegjësinë e sistemit dhe nevojën për dialog, mbështetje profesionale dhe respekt të ndërsjellë.

Opinioni publik është tronditur nga një ngjarje në shkollën “Pavarësia”, ku një mësues ka ushtruar dhunë ndaj një nxënësi. Reagimi ka qenë i menjëhershëm, i ashpër dhe shpesh i njëanshëm; dënim moral, etiketime, gjyq publik. Por pyetja që duhet të na shqetësojë më shumë nuk është vetëm çfarë ndodhi, por çfarë po ndodh me figurën e mësuesit në shoqërinë tonë.


Le ta themi qartë: dhuna ndaj nxënësit është e papranueshme. Asnjë rrethanë nuk e justifikon. Por po aq e rrezikshme është ta reduktosh një mësues në një moment gabimi, duke fshirë vite pune, përkushtimi dhe presioni të heshtur.


A është mësuesi dhunues nga natyra, apo një profesionist i lodhur, i pambrojtur dhe i lënë vetëm përballë një sistemi që kërkon gjithçka dhe nuk jep pothuajse asgjë?


Sot mësuesi nuk është më vetëm edukator. Ai pritet të jetë psikolog, prind zëvendësues, punonjës social, administrues konflikti (shpesh pa trajnim), pa mbështetje institucionale dhe pa autoritet real. 


Çdo gabim i tij amplifikohet, çdo dështim personalizohet, ndërsa përgjegjësia e sistemit zhduket.


Në këtë klimë, një shpërthim emocional nuk është shenjë force, por simptomë e një krize më të thellë; krizë e respektit për shkollën, për profesionin, për kufijtë.


Ta mbështesësh mësuesin nuk do të thotë të mbrosh dhunën. Do të thotë të kërkosh drejtësi, jo linçim, të kërkosh analizë, jo sensacion, të kërkosh Të kërkosh përgjegjësi në sistem dhe jo tek individi. 


Nëse sot mësuesi trajtohet si armik, nesër kush do të guxojë të hyjë në klasë? Kush do të marrë përgjegjësinë për të edukuar breza, nën frikën e një gabimi që mund ta shkatërrojë publikisht?Shkolla nuk ka nevojë për heronj të rremë dhe as për fajtorë të gatshëm. Ka nevojë për dialog, rregulla të qarta, mbështetje profesionale dhe respekt të ndërsjellë. 


Sepse në fund, pyetja e vërtetë nuk është: “A është dhunues një mësues?” por: “Çfarë e shtyn një mësues të thyejë kufirin që nuk duhet thyer kurrë?”


…dhe aty fillon përgjegjësia jonë si shoqëri. 


Në fakt, aty nis interesi kolektiv jo për të kthyer kokën nga shkolla dhe problemet e saj, por tek dëshira për të shpërndarë videon dhe për të përbuzur një mësues të vënë në shënjestër  që “detyrohet të grushtojë” për të mbrojtur veten.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

598 Lexime
8 orë më parë