Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore, nis transformimi i sistemit të provimeve dhe shërbimeve arsimore
Ministria e Arsimit dhe AADF nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Reforma synon modernizimin e provimeve dhe shërbimeve arsimore sipas standardeve ndërkombëtare, me fokus digjitalizimin, transparencën dhe cilësinë.
U nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Kjo marrëveshje synon të transformojë institucionin përgjegjës për administrimin e provimeve kombëtare dhe shërbimeve të tjera kyçe arsimore në një institucion modern, autonom dhe të bazuar në standarde ndërkombëtare.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në prani të kryeministrit Edi Rama, Ministrja Mirela Kumbaro, Kryetari i Bordit të AADF-së Michael Granoff, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Cambridge University Press & Assessment.
Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit nga Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro me bashkë-drejtuesit e AADF-së, Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata, shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve arsimore në Shqipëri. Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro theksoi se kjo nismë përfaqëson një qasje të re që synon të reformojë shërbimet duke i përshtatur ato me epokën digjitale në arsim.
“Takohemi në një moment që vjen si nevojë e natyrshme për t’u zgjeruar dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm në kapacitete dhe organizim administrativ, por në një qasje të re që përtej mureve e sallave, reformon shërbimet dhe modernizon sistemet duke iu përgjigjur ritmeve që na dikton koha digjitale në arsim dhe çdo sektor tjetër. Për nga vëllimi i proceseve, që janë jo pak, por 158 mijë shërbime në vit të ofruara nga QSHA sot”, tha Kumbaro.
Sipas Kumbaros, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ligji për të cilën u miratua në Kuvend, do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare.
“Për nga ndjeshmëria institucionale, përgjegjësia publike dhe nevoja për standardizim, gjurmueshmëri, transparencë e integritet, së bashku me zgjerimin e vazhdueshëm të portofolit të shërbimeve, na kërkon një sistem më të modernizuar, i cili i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe nevojave të arsimit në vend, shërbim të cilin e kemi projektuar nën modelin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ligjin për të cilin e miratuam në Kuvendin e Shqipërisë vetëm 2 javë më parë”, tha Kumbaro.
Duke vlerësuar punën e AADF në reformat arsimore në Shqipëri, Kumbaro u shpreh: “Këtë rrugëtim e kemi bërë bashkë me AADF, një nga partnerët më mbështetës të reformave në arsimin shqiptar prej vitit 2009, që nga programet e bursave, ngritja e institucioneve si Shkolla e Drejtorëve, diaspora akademike e plot projekte të tjera me fokus rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, që e projektojnë Shqipërinë si një pol rajonal në këto fusha”.
Një rol të rëndësishëm në këtë transformim luan edhe bashkëpunimi me Qendrën e Vlerësimeve pranë Universitetit të Kembrixhit, e cila ka asistuar në analizimin e problematikave të sistemit, duke përfshirë cilësinë e testeve, përdorimin e të dhënave dhe standardet e administrimit të provimeve. Investimet në teknologji dhe logjistikë, përfshirë pajisjet moderne dhe sistemet e sigurisë, pritet të jenë pjesë integrale e infrastrukturës së re të agjencisë.
Marrëveshja e re hap një fazë të re bashkëpunimi, ku ekspertiza ndërkombëtare do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe optimizimin e proceseve, duke rritur besueshmërinë dhe cilësinë e sistemit të vlerësimit. Ky reformim i QSHA nuk synon vetëm ngritjen e një institucioni të ri, por realizimin e një misioni për garantimin e interesit publik dhe përmirësimin e shërbimeve arsimore.
Në aktivitet u prezantua gjithashtu projekti për ambientet e reja të AKSHA-së, një hapësirë moderne prej rreth 3,500 m², e projektuar për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare në administrimin e proceseve të testimit dhe vlerësimit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Listat emërore për kandidatët e Provimit të Shtetit, sezoni XXI maj-qershor 2026
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe