Aktivitet jashtëkurrikular

Aktiviteti jashtëkurrikular “Njëqind ditë të shkollës” përgatitur nga mësimdhënësja Albërie Rraci-Sejdiu

Mësimdhënësja Albërie Rraci-Sejdiu nga SHFMU “Hasan Prishtina” në Prishtinë çdo vit shkollor pas 100 ditësh mësimi të rregullt organizon aktivitetin “Njëqind ditë të shkollës”, bazuar në sistemin amerikan, duke bërë që të jetë e vetmja në Kosovë që organizon një aktivitet të tillë.

Qëllimi i këtij projekti është që të përmblidhet puna e 100 ditëve, që nga fillimi i vitit shkollor. Ky projekt përfshin nxënësit që nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Varësisht nivelit të klasës dhe moshës së nxënësve, mësimdhënësja Rraci aktivitetet dhe punën e nxënësve e bën duke u mbështetur në planifikimet mujore. 


Përmbledhje kryesore të planifikimit mujor. Këtu përfshihen muajt shtator-dhjetor (sepse në dhjetor bëhen 100 ditë nga fillimi i vitit shkollor).  “Njëqind ditë të shkollës” kryesisht zhvillohet përmes aktiviteteve, lojërave, si dhe garave të ndryshme që bëhen brenda në klasë. Materialet kryesisht merren nga interneti si dhe nga punimet e mësimdhënëses me nxënësit. Ky aktivitet jashtëkurrikular integron të gjitha lëndët mësimore, duke përfshirë të gjitha kompetencat dhe parimet e kurrikulës. 


Të gjitha kriteret janë të arritshme dhe realiste, sepse janë përshtatur me njësi të zhvilluara më herët.


Mësimdhënësja paraprakisht njofton prindërit rreth projektit përmes emailit apo një letre të shkruar, si dhe i paraqet nevojat dhe kërkesat për ta realizuar këtë projekt. Materialet e nevojshme i sjell mësimdhënësja edhe nxënësit sjellin ato gjëra që ju ka kërkuar më heret që na duhen për ta realizuar këtë projekt. Aktivitetet zhvillohen kryesisht në çifte dhe në grupe.



Portali shkollor ishte prezent gjatë mbajtjes së këtij aktiviteti për këtë vit shkollor. 


Aktiviteti filloi me nxënësit e klasës II/1 në SHFMU Hasan Prishtina, të cilët kishin veshur pizhamet e tyre, kishin vënë nga një kurorë në kokë ku shkruante 100 DITË MË I/E MENÇUR dhe ishin ulur në jastëkët e shtrirë nëpër tokë. Fillimisht mësimdhënësja shpërndau fletë pune me aktivitete të ndryshme, ku nxënësit patën mundësinë të zgjidhnin vetë se me cilën fletë pune dëshirojnë të fillojnë.


“Pse në pizhama? Këtë e bëj gjithmonë një ditë gjatë vitit shkollor, në mënyrë që fëmijët të ndihen si me qenë në shtëpi të relaksuar në pizhama e në jastëk, për të dalë nga rutina e përditshme”, tha mësimdhënësja Rraci për Portalin shkollor. 


Nxënësi që përfundoi fletët e punës i pari, mori një shpërblim. Sipas kësaj metode, nëse nxënësi mbledh 20 shpërblime të tilla, atëherë bëhet asistent. Shpërblimet u jepen edhe nxënësve që ngritin dorën rregullisht për të marrë leje për të folur, atyre që lexojnë, që kanë sjellje të mira, që rregullojnë klasën, që mbledhin mbeturinat e tyre, që bëjnë detyrat me rregull, e të tjera. Ata që bëhen asistentë ndihmojnë mësuesen për të shpërndarë fletët e punës. Në fund të muajit mësimdhënësja Rracaj shpërndan edhe shpërblime tjera, si: Ylli i javës dhe Ylli sekret i javës për nxënësit që janë të qetë dhe punëtorë. Nxënësve iu dhurohet nga një bonbon si shpërblim. 


Pas këtij aktiviteti, mësimdhënësja filloi t’ia lexonte klasës librin me poezi të zgjedhura “Goni trazovaçi”. Më pas nxënësit realizuan edhe një diskutim rreth poezive. 


Aktiviteti tjetër ishte shikimi i një filmi ndërkohë që nxënësit hanin pica. Filmi i përzgjedhur ishte “Një vonesë e vogël” nga KINO studio. Pastaj nxënësit shkruan në fletoret e tyre përshtypjet për filmin që panë. 


Aktiviteti i fundit i këtij projekti ishte shpërndarja e 100 gjërave të imëta ushqimore që nxënësit kishin marrë me vete nga shtëpia dhe i shpërndanë me të gjithë. Këto 100 gjëra përfshinin bonbone dhe çokollata. 


Mësuesja Albërie Rracaj-Sejdiu tha për Portalin Shkollor se nxënësit e presin me padurim këtë aktivitet gjatë gjithë vitit shkollor. 

“Fëmijët kanë nevojë për më shumë aktivitete gjatë procesit mësimor. Këtë na obligon edhe kurrikula, edhe pse jo lehtë të oraganizojmë këso aktivitete, sepse numri i nxënësve tepër i madh në klasa na vështirëson menaxhimin e tyre. Po ne ia dalim e kënaqemi shumë”, tha mësimdhënësja Rraci.

Dy nëna të pranishme gjatë aktivitetit thanë se fëmijët e tyre kënaqen gjatë këtij aktiviteti dhe se metodat e mësimdhënies së mësueses janë gjithmonë kreative dhe të suksesshme. 

“Fëmija im kënaqet gjatë gjithë aktiviteteve që mësuesja bën, dhe fletët e punës që ajo krijon janë gjithmonë shumë interesante dhe kreative”, tha njëra nga nënat e pranishme në këtë projekt.

Më poshtë mund të gjeni organizimin e aktivitetit për klasat nga 1 deri në 5 dhe fletët e punës. 


Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,595 Lexime
2 vjet më parë