pANAIRI 37-të

Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj

Albas Tetovë merr pjesë në Panairin e 37-të të Librit në Shkup, nga 8 deri më 14 maj në Arenën “Boris Trajkovski”. Vizitorët do të gjejnë mbi 65 tituj të rinj, ulje deri në 30% dhe një atmosferë të pasur kulturore. Një festë për librin dhe lexuesin!

Nga data 8 deri më 14 maj, qytetarët e Shkupit dhe më gjerë do të kenë mundësinë të vizitojnë Panairin e 37-të të Librit, i cili këtë vit organizohet në ambientet e Arenës “Boris Trajkovski”. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, ku lexuesit, autorët dhe botuesit takohen për të ndarë pasionin për librin dhe për të zbuluar botimet më të reja.


Në këtë panair do të jetë e pranishme edhe Shtëpia Botuese Albas Tetovë, e cila i ka ftuar me shumë dashuri të gjithë lexuesit të vizitojnë stendën e saj nga ora 10:00 deri në 20:00 (me përjashtim të ditës së fundit, kur panairi mbyllet në ora 18:00). Në njoftimin e saj zyrtar, Albas shpreh kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe premton një atmosferë të pasur me tituj të rinj dhe ulje që shkojnë nga 20% deri në 30% për tituj të ndryshëm, për të gjitha grupmoshat. 


“Vizita juaj do të jetë kënaqësi për ne dhe shpresojmë që së bashku të shijojmë atmosferën e bukur që krijohet në këtë panair, përplot me libra,” – thuhet në ftesën e Albas Tetovë.



Titujt e rinj të ALBAS-it në Panair


Nga fillimi i vitit 2024 e deri më sot, Albas ka sjellë një sërë botimesh të reja, që shfaqin kujdesin për përzgjedhjen cilësore të veprave shqiptare dhe ndërkombëtare. Mes mbi 65 titujve të rinj përmendim:


Letërsi bashkëkohore ndërkombëtare:

"Macja dhe miu" – Gunter Grass (përktheu Anna Kove), fitues i Çmimit Nobel

"Kënga e profetit" – Paul Lynch (përktheu Loran Gami), fitues i Man Booker Prize 2023

"Ms. Osmond" – John Banville (përktheu Granit Zela), autor fitues i Booker Prize

"Mosha e brishtë" – Donatella Di Pietrantonio (përktheu Diana Kastrati), fitues i Çmimit Strega 2024

"Hënat e fundit" – Furio Bordon (përktheu Diana Kastrati)


Seria “Klasikë & Modernë” përfshin:

"Retorika" – Aristoteli (përktheu Romeo Çollaku)

"Antigona" dhe "Edipi mbret" – Sofokliu (përktheu Sokol Çunga)

"Elias Portolu" – Grazia Deledda (përktheu Klodeta Dibra), fituese e Çmimit Nobel

"Portreti i artistit në rininë e tij" – James Joyce (përktheu Krenar Hajdëri)


Autorë shqiptarë:

Vepra e plotë e Petro Markos

Romane të autorëve bashkëkohorë si: "Shtatë dritaret" – Virion Graçi, "Tri tavernat" – Ervin Nezha, "Fshesarja e Republikës" – Anisa Markarian, "Gjallimi i skërkave" – Zhaneta Barxhaj, "E shkuar, e pakryer" – Ermal Hasimja, "Purple 2" – Ermal Lala.


Libri kulturologjik dhe eseistikë përfshin:

"Udha e gjatë nën tunelin e Platonit" – Luan Rama

"Epistular. Prof. Jup Kastrati – At Justin Rrota O.F.M"

"Urime dhe mallkime" – Vlora Nikçi

"Gratë vs feminizmit" – Joanna Williams

"Pasuria që s’e blejnë dot paratë" – Robin Sharma

"Si të rritësh një fëmijë të lumtur, një fëmijë autik" – Jessie Hewitson


Letërsi për fëmijë dhe të rinj:

Seria “Klasikët për të rritur”: "Përralla italiane" – Italo Calvino, "Aventurat e Çipolinos" – Gianni Rodari, "Historia pa mbarim" – Michael Ende

Seria “Më quajnë…” me titullin e ri "Më quajnë Nexhmije Pagarusha" nga Meliza Krasniqi dhe Ylber Cërvadiku


Për më tepër klikoni në ALBAS TETOVË



Përveç ofertave të shumta, këtë vit Panairi i Librit në Shkup sjell edhe një dimension solidariteti: nga çdo biletë e shitur (100 denarë për të rriturit dhe 50 denarë për nxënësit), 15 denarë do të dhurohen për SOS Fshatin për fëmijë, ndërsa fëmijët nën moshën 12 vjeç do të kenë hyrje falas. Panairi i Librit në Shkup vazhdon të mbetet një pikëtakim i rëndësishëm kulturor, edukativ dhe shoqëror, ku libri festohet si vlerë e çmuar dhe e përhershme.


Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

16 Lexime
2 ditë më parë