ALBAS sjell librin “Tranzicioni i vonuar: shkaqe dhe shkaktarë” nga Prof. dr. Llambro Filo
Libri “Tranzicioni i vonuar: shkaqe dhe shkaktarë” nga Prof. dr. Llambro Filo, është botimi më i ri i shtëpisë botuese ALBAS. Autori në të shtjellon “shkaqet” dhe “shkaktarë” për tranzicionin e vonuar nga regjimi komunist në “demokracinë funksionale”.
Pse “shkaqe” e “shkaktarë” për tranzicionin e vonuar nga regjimi komunist në “demokracinë funksionale” apo e thënë ndryshe, të instalimit të demokracisë por të një “demokraci me defekte”?
Një mënyrë shpjegimi e ofruar nga autori është ajo e ballafaqimit me idetë politike, normat, standardet dhe vlerat e “demokracisë së etabluar – funksionale” të argumentuara nga teoricienët e sistemit politik të demokracisë liberale dhe të politikave. Nga interpretimet e tyre evidentohen “shkaqe” që janë objektive, por që kanë domosdoshmërish “komponentin subjektiv”, që shprehet me “shkaktarë” për “demokracinë me defekte”.
Vetë tranzicioni nga regjimi komunist në demokraci si një “shndërrim” sistemesh nuk mund të realizonte një shkëputje të menjëhershme nga trashëgimia komuniste, sidomos në aspektin e mendësisë komuniste.
Për autorin, shfaqjet e “demokracisë me defekte” nuk mund të konsiderohen rastësi. Shpjegimi gjendet tek qasja metodologjike “kulturaliste – individualiste” e elitave politike.
“Demokracia me defekte” vihet në pozitë edhe më të vështirë kur autoritetet partiake, që synojnë të jenë në vazhdimësi në pushtet, stisin “populizmin” si një mobilizim social e politik të individëve në rrugë jo institucionale.
Por populizmi, siç argumenton autori, edhe në “demokracinë funksionale” është i pashkëputur nga autoritarizmi, prandaj përcaktohet edhe si “populizëm autoritarist”.
Është më se e kuptueshme që në shoqëritë e sotme masive, komplekse dhe heterogjene është i pamundur realizimi i populizmit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës si “populli në qeverisje apo në politikë”, si “minim i ndarjes politike të punës” dhe si “ushtrim i demokracisë së drejtpërdrejt”. Përkundrazi, ai shprehet si një mobilizim politik i individëve të veçantë mbi bazën e ndjeshmërisë emocionale reaguese me përmbajtje kundërshtuese ndaj institucioneve të denoncuar si “establishment i vjetër” dhe “kastave partiake burokratike” në qeverisje. Kundërshtime të tilla nxiten nga efektet kontradiktore të Revolucionit të Teknologjisë Informative që ka afirmuar edhe të ashtuquajturin “individualizëm institucional”, ku fatet e secilit përcaktohen nga aftësitë individuale, por edhe “globalizmin” që jep efekte te tkurrja e veprimtarive të qeverive për realizimin e politikave ekonomike e sociale në kontekstin e shtetit kombëtar të pavarur dhe që reflektohet përmes “krizave të politikave” apo “krizës së qeverisjes”.
Një mobilizim i tillë mundësohet së tepërmi nga mjetet që ofron “epoka dixhitale”, të prirura më shumë për nxitjen e anës emocionale se sa të asaj racionale.
Ndonëse është një mobilizim mbi bazën e pozitave dhe të kërkesave tepër individuale, e përbashkëta është atakimi i “demokracisë përfaqësuese” dhe, që në një mënyrë apo tjetër, i hap rrugë “populizmit autoritarist”. Kjo ndodh sepse populizmi, si një mobilizim social i individëve, nuk mund të ofrojë qeverisje konsensuale sa i përket realizimit të interesave, pasi mbart pozicionime tepër të njëanshme, madje duke kundërvënë përkrahësit të “ekonomisë së tregut të lirë” kundër atyre të “drejtësisë sociale”.
Mbi të gjitha, në çdo rast, sidomos në “demokracitë me defekte”, që populizmi të zbatohet, atij i duhet patjetër demagogu me aftësi për manipulimin emocional të masës dhe që me qëllim kapjen e pushtetit, ai e ka në natyrën e tij shtrembërimin e së vërtetës.
Kështu, mbi baza krejtësisht subjektive, pretendohet prania e “krizave”, përfshirë “krizën e vetë sistemit politik”, por edhe i faktit që zgjidhja e tyre të bëhet mbi baza populiste, që pikënisjen e ka tek shtrembërimi i kuptimit të vërtetë të asaj që quhet “mosbindje civile”, që në vetvete orientohet kundër institucioneve të ligjshme demokratike, të shtrembërimit të asaj që quhet “qeverisje me qytetarët”, që në fakt lidhet me shtrembërimin e përkufizimit të A. Lincolmit për demokracinë, si dhe përmes ringjalljes së “nacionalizmit të sovranitetit”, çka nënkupton qasjen për t’iu kundërvënë rolit të faktorit ndërkombëtar, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë kështu në pikëpyetje përkushtimin e natyrshëm të SHBA-ve në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë në botë. Si rezultat, synohet heqja e pengesave në realizimin e autoritarizmit, por në shkencën politike është pranuar faktori ndërkombëtar, dhe në veçanti SHBA, si “shkaktarë” në përmbysjen e regjimeve komuniste.
Përmes argumenteve të sjella nga autori, evidentohet ajo që teoricienët e sistemit politik të demokracisë liberale dhe të politikave, në unison me njëri-tjetrin, e kanë konsideruar rolin e veçantë të politikanëve si “elementin themelor të shëndetit të rendit demokratik” kur bëhet fjalë për interpretimin e ideve politike, normave, standardeve dhe vlerave të demokracisë funksionale. Për ta, “nëse demokracia futet në rrugën e tronditjeve, të rënies dhe të shkatërrimit, atëherë përgjegjësitë janë të tyret (të politikanëve)”.
(Portali Shkollor)
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Koni dhe shoqëria