Thirrja

Apeli i nënës së djalit me autizëm: Ju përgjërohem, hapni një shkollë profesionale për këta fëmijë!

Historia që do të ndajmë me ju sot mund të prekë ndoshta edhe realitetin tuaj, ndaj edhe ne vendosëm që ta bëjmë publik mesazhin e një nëne, e cila njëkohësisht është dhe mësuese. Brunilda Kondakçiu kërkon që shteti të mundësojë një shkollë të posaçme për arsimimin e fëmijëve me autizëm.


Në datën 28 tetor të vitit 2006 ajo është bërë për herë të parë nënë. Kjo ka qenë data kur Brunilda është njohur me ndjesinë më të bukur, atë të amësisë. Pa dyshim, siç ajo na shkruan, për të ka qenë dita më e lumtur e jetës. Por fatkeqësisht kjo lumturi nuk zgjati shumë, pasi kur djali i mbushi 1 vjeç, Brunilda kuptoi se diçka nuk po shkonte normalisht. 


“Pas shumë kontrollesh dhe diagnostikimesh, më thanë se djali ka autizëm. Nuk e kisha fare idenë çfarë ishte autizimi. M’u desh të punoja shumë me djalin tim”, shprehet zonja Kondakçiu për Portalin Shkollor. 

Brunilda Kondakçiu është nënë dhe me profesion mësuese. Aktualisht punon në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”. Në foto është me djalin e saj Grein, në vitin 2013, kur ai nisi klasën e parë. 

Brunilda Kondakçiu kujdeset për djalin e saj me autizëm që prej 15 vjetësh. 


 “Jeta për mua ka qenë një sfidë e madhe, pasi fati më sprovoi duke më goditur në mënyrën më të keqe të mundshme. Kam vuajtur në heshtje për djalin tim, Grein. Nuk e kam menduar të më ndodhte asnjëherë diçka e tillë, por jeta paska surpriza të dhimbshme. Nuk ia uroj askujt!”.


Por pavarësisht gjithë vështirësive që kjo nënë ka kaluar, duket se deri më tani është e kënaqur për faktin se djalit nuk iu privua marrja e dijeve të para në shkollë. Grei tashmë është në klasën e 9-të. Nëna e tij, na tregon se ai është një fëmijë shumë i qetë, i edukuar dhe komunikon. Pra ai ka bërë hapa para në përmirësimin kundër autizmit. 

“Ikën vitet pa kuptuar, por jam e kënaqur, sepse falë mbështetjes së familjes, unë dhe im bir arritëm shumë. Ai sivjet mbaron klasën e nëntë në shkollën 'Drita Pelingu'. Kam qenë shumë e qetë deri më sot, pasi djali shkon në shkollë pa kujdestare dhe atje e trajtojnë shumë mirë. Klasës dhe stafit pedagogjik u jam shumë mirënjohëse!”, rrëfen Brunilda. 


Por, gjithsesi, shqetësimi i saj më i madh tanimë është fakti se çfarë do të ndodhë me shkollimin e mëtejshëm të djalit të saj!


“Shqetësimi im më i madh tani është se ku do ta dërgoj djalin pasi ai të mbarojë klasën e nëntë. Ku do të shkojë ky fëmijë? Si nuk mendon njeri për këtë kategori fëmijësh?, - vazhdon më tej Brunilda teksa ka edhe një lutje për instancat kompetente: “Ju lutem, ju përgjërohem në emër të djalit tim dhe të shumë prindërve të tjerë që kanë të njëjtin shqetësim si unë, le të hapet një shkollë e veçantë për fëmijët me autizëm. Mendoj që djali im për shembull mund të marrë një zanat”. 


Mesazhi me të cilin kjo nënë dhe mësuese u drejtohet instancave më të larta shtetërore është fare i qartë: “Na lehtësoni pak dhimbjen që na ka kapluar shpirtin, na jepni mbështetje, hapni një shkollë profesionale për fëmijët me autizëm. Ju lutem, mos më detyroni të shkoj jashtë shtetit. Unë jam mësuese dhe e dua profesionin tim”. 


Grei ka pasion kuzhinën dhe pikturën. Në të ardhmen dëshiron që të vazhdojë edhe më tej njërin prej këtyre pasioneve dhe më kryesorja, t'i jepet mundësa për të ecur më tej, si të gjithë fëmijët e tjerë.


Shpresojmë që lutja e nënës së tij dhe dëshira që ai ka të bëhen realitet një ditë! 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,985 Lexime
2 vjet më parë