“AT” apo “ATË"
Shpeshherë ndihemi të pasigurt për formën e saktë drejtshkrimore të këtij titulli: me “ë” apo pa “ë”; “At” apo “Atë”. Duhet të dimë se kjo fjalë dy forma (me ë dhe pa ë), si dhe kuptime të ndryshme.
AT GJERGJ FISHTA apo ATË GJERGJ FISHTA?
Shpeshherë ndihemi të pasigurt për formën e saktë drejtshkrimore të këtij titulli: me “ë” apo pa “ë” fundore; “At” apo “Atë”?
“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” na kanë dhënë përgjigjet e shumë pikëpyetjeve që ne, si përdorues të gjuhës standarde shqipe, na lindin çdo ditë.
Duhet të dimë se kemi të bëjmë me dy fjalë të ndryshme AT dhe ATË, pra, që kanë edhe kuptime të ndryshme:
a) AT, -I, shumësi: ATLLARË. Kalë shale. At i zi (i kuq). Shaloj atin. I hipi atit. Kjo fjalë ka fituar edhe një kuptim të figurshëm: “Njeri i fuqishëm e i shkathët, njeri i zoti.”. Kjo fjalë është huazim nga turqishtja.
b) ATË - ATI, shumësi ETËR. 1. Prindi mashkull kundrejt fëmijëve të vet, baba. Atë e bir. Im atë. 2. Themeluesi i një fushe të dijes ose të veprimtarisë shoqërore, frymëzuesi e drejtuesi kryesor i një veprimi me rëndësi historike, babai. Ati i mjekësisë. 3. fet. Titull fetar, që u jepet priftërinjve a murgjve; shenjtorët që i kanë sjellë shërbime kishës në veprimtarinë e saj: Atë shpirtëror. Etërit e kishës. Kjo fjalë është trashëguar nga brumi indoeuropian i shqipes dhe bën pjesë në atë grup të vogël emrash mashkullorë, që shkruhen me -ë fundore, si: djalë, gjumë, kalë, lumë etj.
Pra, fjala ATË, si titull fetar, shkruhet me ë në fund, p.sh.: atë Stath Melani, atë Mihali, atë Sofroni etj. Por më herët, sipas traditës letrare katolike të gegërishtes së Shkodrës, është shkruar Át, d.m.th. me shkronjë të madhe, me theks dhe pa -ë fundore (sipas shqiptimit të sotëm të gegërishtes veriore). Kur duam të respektojmë atë traditë dhe të shkruajmë sipas mënyrës që kanë përdorur vetë personat përkatës, mund të përdorim formën Át, për shembull: Át Benedikt Dema. Át Gjergj Fishta, Át Justin Rrrota etj. Përndryshe duhet shkruar “Atë”, p.sh., atë Dhimitri, atë Gjoni,atë Nikolla, atë Zefi etj., pra ashtu si im atë, yt atë etj.
(Përgatiti: Prof. Emil Lafe; Sevi Agolli)
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
Gabime në përdorimin e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe
Takimi i dy shkronjave të njëjta në një fjalë