Atmosfera festive gjatë natës së ndërrimit të viteve

Tirana ka festuar me një spektakël fishekzjarresh ardhjen e vitit të ri 2016. Një koncert me këngëtarët më të mirë të muzikës moderne shqiptare

Tirana ka festuar me një spektakël fishekzjarresh ardhjen e vitit të ri 2016. Një koncert me këngëtarët më të mirë të muzikës moderne shqiptare si: Eugent Bushpepaj, Marsela Çibukaj, Kamela Islamaj ka mbledhur në sheshin Nënë Tereza që në orën 22:30, qytetarë, të rinj e të reja që i kanë dhënë së bashku lamtumirën vitit të vjetër. Në shesh ishte edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili bëri dhe numërimin mbrapsht të sekondave të fundit të 2015-s.

Bebja e parë e vitit quhet Ambla Shahu dhe është fëmija i parë i 25-vjeçares Iselva Shahu.

Kjo ka qënë atmosfera në sheshin Skëndërbej në momentin kur trokiti 2015. Mediat kanë përcjellë atmosferën drejtpërdrejtë. Spektakli i fishekzjarreve edhe pse pa një organizim nga institucionet si në vende të tjera ka vazhduar gjatë. Në tryezën e ngrohtë familjare  në lokale, në sheshe dhe kudo shqiptarët kanë uruar njëri-tjetrin për një vit të mbarë e të begatë.

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Shkodër, bashkimet e akrepave qe lajmëruan ardhjen e Vitit të Ri, u pritën nga një pjesë e qytetarëve në sheshin kryesor “Nënë Tereza”. Hedhja tradicionale e fishekzjarreve nga Bashkia, por jo vetëm, dhe urimet, ishin kryefjalë e festimeve. Më pas qytetarët e shumtë festuan në lokalet e nates, deri në orët e para të mëngjesit të 1 janarit.

Edhe në Lezhë, momenti i ndërrimit të viteve, i mblodhi qytetarët në qëndër të qytetit. Atmosfera u monitorua nga policia dhe kaloi pa incidente.

Ndërrimi i viteve nga fierakët është pritur ndryshe nga një vit më parë. Qytetarët pas hedhjes së fishekzjarreve në sheshin qëndror, iu drejtuan lokaleve ku festuan me të afërmit ditën e parë të vitit.

Në Berat qindra qytetarë u mblodhën në qendër të qytetit, ku pritën ndërrimin e viteve me një spektakël fishekzjarresh.

Në Korçë, qytetarët u mblodhën pranë katedrales për të shijuar spektaklin e ofruar nga bashkia e qytetit, shoqëruar me fishekzjarre momentin e ndërrimit të viteve. Qindra vizitorë që kishin zgjedhur Korçën për këtë fundvit, iu bashkuan festës.

Spektakli i fishekzjarreve shoqëroi dhe qytetin e Elbasanit.

Në Lushnje dhe Fushë Krujë, atmosfera ka qenë disi më e vakët, pasi shumë prej qytetarëve kanë zgjedhur të festojnë në shtëpi, ndërkohë që të rinjtë kanë zgjedhur të argëtohen nëpër lokale dhe klube nate, deri në orët e para të mëngjesit.

Qindra qytetarë kosovarë u mblodhën në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të pritur së bashku ardhjen e Vitit të Ri 2016. Gjatë mbrëmjes pati një sërë aktivitetesh, përfshirë një koncert live ku ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ahmeti u bëri thirrje që qytetarëve t'u falin sa më shumë dashuri njerëzve të afërt. 

Nën tingujt e muzikës dhe magjisë së fishekzjarreve, qytetarët kaluan një mbrëmje të këndshme pranë njerëzve të tyre më të afërt. 

Në Kosovë fëmija i parë i vitit ishte një djalë.

2,238 Lexime
8 vjet më parë