
Balil Gjini: “Egrushja” është romani që rrit keqkuptimet dhe sfidon botën e ashpër
Intervistë me autorin Balil Gjini për romanin e tij më të ri Egrushja, botuar nga Albas. Një vepër letrare e mbushur me metafora e nëntekste, ku figura e pazakontë e Egrushes dhe pyetjet mbi rolin e librit në një botë të ashpër, shpalosin mendimin krijues të autorit.
Balil Gjini vjen para lexuesve me romanin e tij më të ri, “Egrushja”, botuar nga shtëpia botuese Albas. Një vepër që nuk ndjek një rrëfim të drejtpërdrejtë, por përshkohet nga filozofi, metafora dhe nëntekste të shumta. Sipas redaktores së librit, Artemisa Bushi, ky botim mund të shihet si një qasje avangarde, për mënyrën se si është ndërtuar rrëfimi dhe për faktin se i lë lexuesit hapësirë të pafund interpretimi.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor Albas, gazetarja Nanila Biçaku bisedon me autorin Balil Gjini për fillesat e Egrushes, filozofinë që mbart ky roman, figurën e pazakontë të personazhit kryesor, marrëdhënien mes autorit dhe letërsisë, si dhe sfidën e librit për të mbijetuar në një botë gjithnjë e më të ashpër. Përgjigjet e autorit janë po aq të ngarkuara me metafora dhe alegori, sa edhe vetë faqet e romanit të tij.
Sapo keni botuar një roman me titullin “Egrushja”. Çfarë është ky libër për ju?

E ç'mund të jetë tjetër, përveçse ca degë pylli të prera, të presuara, të bëra qull, e pastaj letër. Po të vësh veshin mbi këto fletë letre, mund të dëgjosh akoma cicërimat e zogjve, psherëtimat e luleve për dashuritë e humbura, pingërimat e erës së dimrit, ulërimat e ujqërve dhe bishave të tjera.
Pikërisht mbi këto letra ne lëshojmë hazat një urdi me shkronja të rrumbullakëta si merimanga të zeza gjithë helm, shkronja të tjera me bishtin e ngritur përpjetë si akrepa që janë gati të pickojnë, por edhe shkronja të tjera më paqësore (bletë me krahët e mbushura me polen lulesh). Këto shkronja dalin si furrtare nga dollapët e kujtesës, apo arkat e imagjinatës. Janë të rrezikshme për atë që mund të bëjnë. Duhet të ruhemi prej tyre.
Mundet që e gjithë kjo urdi shkronjash të bashkohen me njëra-tjetrën dhe të rrjedhin nga kapakët si rrëshirë vishtulloze pishash, bash nga plagët e tyre. Po gjasa më e madhe është që të jetë një vrazhdë e zezë misteri e fshehtësie, që s’do ta dimë kurrë çfarë është, sepse rrjedh nëpërmjet shkazave të pavetëdijes sonë. Libri, në fakt, kur botohet, shkon përtej autorit, di gjëra që atij s’i shkojnë ndër mend.
Romani juaj nuk ndjek një rrëfim të drejtpërdrejtë, nuk është thjesht artistik, por mbart një filozofi që duket sikur ia lini në dorë lexuesit interpretimin e fjalës suaj. Mund të na flisni për veçantinë dhe për veçorinë e boshtit të këtij romani?
E drejtpërdrejta është vija e rregullit, kurse autori, duke shkruar, krijon një botë tjetër, një Olimp tjetër, me zotat dhe vdekëtarë të zakonshëm. Ai, kësisoj, hyn në garë me Zotin, kryen një blasfemi. Në këtë kuptim çdo krijim është njëkohësisht edhe një krim. Duke shkatërruar rregullin, autori krijon kaosin. Kaosi është vija e shtrembër. Libri është vetë dragoi i zjarrtë që del nga ujërat e kaosit, apo lulëkuqja që mbin mes gërmadhave, ose plehërishtave të tij. A do të arrijë të gjallojë? Ta shohim. Kjo nuk varet vetëm prej autorit.
E mira e do që autori të mos flasë për veten e tij, për kuptimet e librit. Unë e di që koha jonë, e mësuar t'i ketë gjërat të qëruara mbi pjatë, e mësuar të marrë me majën e gishtit veç cipën e bardhë të qumështit që zënë gjërat përsipër, s'ka se si të mos e shikojë edhe librin si një pëllumb që i është bërë autopsia dhe ka mundësinë t'i kundrojë gjithë rropullitë e tij: zemberekët e zemrës së fabulës, helmet që nxjerrin mëlçitë e personazheve e kështu me radhë. Jo. Autori nuk duhet t’i shpjegojë kuptimet e librit, sepse, më vonë, koha jonë, ashtu përtace siç është, në vend të thellohet te vetë libri, thellohet te shpjegimet e autorit. Kësisoj libri është balsamosur, është kthyer në një flutur anatomie dhe këto shpjegime bëhen pineska që i ngulen atij te koka. Është e mira që libri të mos ketë kuptime, por keqkuptime. E kush i hedh më sytë një libri për të cilin dihet gjithçka? E kundërta: një libër i paftilluar është një libër kurioz. Lexuesi, krenar siç është, s’mund t’ia lejojë vetes që t'ia hedhë dikush, të mos t'i dijë kuptimet e librit: ai do t'i rikthehet atij, do të lexojë kritikat për të, e kështu varg e vistër. Autori duhet të veprojë vetë për të rritur trashësinë e keqkuptime, të vendosë brenda tij nëntekste kuptimore, fenomene ambige etj.
Në qendër keni vendosur një personazh kryesor që quhet “Egrushja”, një figurë jo e zakonshme. Pse një figurë femërore në qendër të këtij romani dhe pse të gjitha ngjarjet zhvillohen rreth këtij personazhi? Çfarë e bën atë të pazakontë dhe si trajtohet figura femërore në këtë vepër?
Egrushja është ashtu siç e ka emrin: e egër, primitive, barbare. Ajo vjen nga kohë që s’mund t'iu vendosësh dot zhalonë përcaktimi. Gjatë librit ajo përmend veç dy fraza (të mara njëra nga Dantja dhe tjetra nga Gëtja) që vijnë nga gjuha para rrënimit të kullës së Babilonit, pra, ironikisht, nga vetë gjuha e parajsës. Ajo, me tarbietet dhe zakonet e saj, vjen të prishë gjithë rehatinë e një katundi të vogël provincial. Të gjithë e shajnë, ndërkohë që të gjithë duan ta kenë në shtrat (virtytet publike, veset private). Së bashku me të ia mbërrin edhe një taborë me flutura të zeza: janë shpirtrat e të vdekurve, të cilët, që nga përtejvarri, kërkojnë të dërgojnë një kumt. Fshati ishte mësuar me rregullsinë e bletëve, kurse fluturat sjellin kaosin. Ja ku e hoqëm perden ku fshihet Polloni dhe para syve të gërdoqur të lexuesit zbulojmë një nga sekretet e librit.
Diku në roman keni përmendur edhe Huldrën. Çfarë ishin Huldrat dhe çfarë simbolike mbartin ato në rrëfim?
Ky është një nga çelësat kryesorë të librit, madje dua të them se, fillimisht libri e ka pasur titullin “Huldra”. Ia ndërrova sepse ishte shumë i individualizuar, shumë i përcaktuar, ndërkohë që Egrushja mund të përfshijë brenda vetes gjithë xhinsin femëror.
Huldrat janë vajzat e Lilitës, gruas së parë të Adamit, sipas shkrimeve Apokrife. Ajo u nda nga Adami, sepse ai ishte tmerrësisht i vobektë në njohjen e disa pozicioneve seksuale. I bie që ajo të jetë krijuesja e parë e Kamasutrës. Vajzat e Lilitës, Huldrat, janë bisha seksuale që jetojnë nëpër pyjet e Evropës, iu dalin meshkujve përpara, bëjnë dashuri me ta dhe i mbysnin. Egrushja ka marrë penjuarin e përgjakur nga shtrati i dashurisë së një Huldre dhe e ka hedhur mbi supe.
Ky është një tjetër kod i rëndësishëm i librit. Si mund të justifikohen tani për zbulimin e tij? Epo, dreqi ta hajë, fundja-fundit shkrimtari nuk është maçok që të gërmojnë dheun me thonj për të mbuluar të pëgërën e tij: fabulën e librit.
Duket sikur ju e keni njëjtësuar veten me personazhin, duke shpjeguar gjithë filozofinë e tij brenda librit. Një lloj romani brenda romanit, ku duket sikur ju komunikoni me personazhet. Në një pjesë të romanit ju shkruani:
“Unë shkruaj se njerëzit s’kanë durim të dëgjojnë gjer në fund mendimet e mia; secili kërkon të flasë vetë: blla, blla, blla!... Ngado zogj pushverdhë me sqepin e hapur. Po të më dëgjonin kur flas në kafene, rrugës, apo kudo tjetër, as që do të shkruaja fare. Dua të nxjerr dertin. Se derti është më i keq sesa deti: në të mund të mbytesh edhe duke ndenjur në breg. Letra është më e duruara: e masakroj, e përdhunoj dhe kurrë nuk është ankuar. Kurrë s’e kam marrë vesh në i pëlqen çfarë i them, apo jo. S’është si ato kanarinat e moteleve që veç cicërijnë e duan kokrra elbi nga mëngjesi në darkë. Është një femër e mrekullueshme memece. Plugoje sa ta ka ënda, derdh mbi të farën e shkronjave, ajo veç harliset e shumohet. Pa provo ta bësh këtë me një femër!”.
Si e shihni këtë marrëdhënie midis autorit, personazheve dhe vetë letërsisë?
Ka një klishe të Floberit për pozicionin e autorit në libër, e cila thotë: autori në vepër duhet të jetë si Zoti në qiell, kudo i pranishëm, askund i dukshëm. Disa nga shkrimtarët më të mirë të botës e kanë rrëzuar këtë klishe, gjer aty sa ajo mund të shikohet edhe e përmbysur: autori në vepër duhet të jetë si Zoti në qiell, kudo i dukshëm, askund i pranishëm. Dialogët e mi me lexuesit janë pjesë e kësaj filozofie. Ata janë herë ironikë, herë të vërtetë e herë dyshues.
Pjesa tjetër e diskutimeve me lexuesin është pjesë e gjithë narrativës së librit, e vetë estetikës së tij.
Një tjetër pyetje e vendosur brenda romanit është: “Ç’mund të bëjë libri yt në këtë botë të egër?”. Si e gjykoni sot këtë këndvështrim? Çfarë roli ka libri në një botë gjithnjë e më të ashpër?
Po. Mendoj që bota është e egër dhe njeriu është i pafuqishëm para saj. Hera-herës më duket se ne na kanë futur në një konvejer shpendësh, i cili na merr me vete një dreq e di se ku. Hamë kokrra misri që janë vendosur anash, kakarisim, po nuk dalim dot prej tij. Nuk ecin ne, ecën shtresa prej llamarine e konvejerit.
Në këtë botë libri është si një plagë e hapur. Ka shumë ngjashmëri midis plagës dhe librit. Të dyja dhembin, të dyja qepen me penj. Penjtë e librit kalben më vonë se ato të plagës. Në mos qoftë një plagë, libri është dora e mjekut mbi këto plagë: gjithë kujdes e dhimbsuri.
E gjithë letërsia e kaluar, tekstet kritike, profesorët e katedrabe, këmbëngulin për një letërsi me mesazh. Unë vetë nuk kërkoj mesazhin, por masazhin.
Në një pasazh tjetër, lexojmë:
“Shkrimtarët kudo janë hiena: ushqehen me kufomat e njëri-tjetrit. Hiena që sillen si karkale, apo gaforre; dalin që në mëngjes në rrugë, përgjojnë gjahun, e kapin atë me panxhat e llahtarshme të këmbëve dhe nuk e lëshojnë pa i shkulur nga gërlani një lëvdatë për librin e tyre. Bëjnë sikur të kërkojnë një këshillë, por, në të vërtetë, që të gjithë kërkojnë llokmën e lëvdatës, gjithë erëza e shije. Kur dikush ka botuar një libër të ri, gjithë të tjerët i shtrëngojnë dorën dhe i thonë urime, por me vete mendojnë: urinime!”. Është kjo një qasje satirike ndaj botës letrare, apo një realitet që ju e ndieni nga brenda?
Kjo është e pashmangshme. Letërsia është shiriti i lyer me mjaltë. Të gjitha mizat shkojnë ta ngjërojnë këtë mjaltë, por, në fakt, pothuajse që të gjitha ngecin në të. Ajo është ishulli i sirenave dhe ne s’kemi asnjë mundësi t'i zëmë veshët me dyllë për të mos dëgjuar zërat e tyre mahnitës. E kanë bërë aq shumë të tjerë, sa dylli është mbaruar. Të gjithë turremi përpara dhe të gjithë biem në rrjeta të thurura gjithë ëmbëlsi e joshje. Kësisoj jemi që të gjithë rivalë, që të gjithë e urrejmë tjetrin për atë që bëjmë po vetë. Një mallkim i madh rëndon mbi rodinën njerëzore.
Si duhet ta kuptojë lexuesi romanin “Egrushja”? Cili është çelësi i leximit që do t’u jepte atyre një përjetim sa më të plotë?Çfarë do t’u thoshit atyre për ta lexuar me kërshëri? Cili është elementi më interesant që e bën këtë roman ndryshe nga të tjerët?
Folëm për këtë. Më e mira është të mos e kuptojë. Të rrisë keqkuptimet. T'i kthehet e rikthehet librit.
Redaktorja e romanit, Artemisa Bushi, e ka cilësuar këtë roman si një vepër avangarde. Si e përjetoni ju këtë vlerësim dhe si e shihni veten brenda letërsisë shqiptare të sotme?
Jam kundër modave e rrymave letrare. Ato janë të përkohshme. Më e mira do të ishte që letërsia të studiohet me autorë. Te Shekspiri, ose Rabële, p.sh., i gjejmë shumë nga tiparet e atij që studiuesit e quajnë modernizim, apo postmodernizëm. Materia letrare është po ajo: që nga Homeri, gjer te Houellebecq: makarona të gjata që ziejnë në kazanë të mëdhenj për supën e përbashkët letrare. Ndryshojnë veç salcat që hidhen në të.
Ky term, avangardë, i sajuar nga kritika franceze, ka gjithë veshjet dhe arsenalin e luftës: veshjet ushtarake, pagurën me rrip pas brezit, dylbitë varur në qafë. Shkrimtari, duhet ta shkruajë një libër jo sikur niset në luftë, por në një ekskursion: me pajime të lehta, atlete e veshje sportive.
Sa për pyetjen tjetër, unë nuk e shikoj letërsinë si një rezervat dhe veten si një gjallesë që jeton së bashku me të tjerët. Më mirë ujku i vetmuar i pyllit, sesa manari i butë shtëpiak që e ushqejnë të tjerët me krunde.
Çfarë është për ju shkrimtaria: një mision, një revoltë, apo një mënyrë për të mbijetuar shpirtërisht?
Shumë herë jam munduar t'i jap përgjigje kësaj pyetje. Mision?! Jo. Egrushja në roman kur e pyesin çfarë misioni ka, thotë se i vetmi mision që ajo njeh është stili misionar gjatë aktit seksual.
As revoltë? Jo. Fjala revoltë e ka brenda fjalën revole, kështuqë është e përjashtuar vetvetiu.
Fjala “shkrim” e ka brenda fjalën “krim”. Në fakt akti i të shkruarit i tillë është: një krim. Nga dhjetra e dhjetra imazhe e figura që na vijnë ndër mendje, ne zgjedhim vetëm njërën. Të tjerat i vrasim. Nuk e di nëse është ky instinkt vrasësi që na shtyn të shkruajmë. Apo të jetë diçka tjetër: t’i japim formë dhe trajtë asaj që është e papagëzuar, që bie era kakë dhe pelena fëmijësh. Në një lloj forme e gjitha kjo ne na shndërron në Adamë, sepse, nëse Zoti krijoi botën dhe gjërat, ishte Adami që iu vuri emrat. Vëreni: gjatë harresës ne mbajmë mend imazhet dhe figurat e sendeve dhe gjërave (pjesën e përjetshme të Zotit) dhe harrojmë emrat e tyre (pjesën e përkohshme që e ka krijuar njeriu).
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Kompletohet paketa e teksteve për diasporën, botohet niveli III i “Gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare”
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri