Intervistë

“Besoni në vetvete, kapuni fort pas ëndrrave”

Hiljana Biba, nxënëse në klasën 11-G, në shkollën “Petro Nini Luarasi” ndan me ne nismat që ajo ka ndërmarrë për të realizuar dy filma me metrazh të shkurtër.

Hiljana dhe shokët e saj të klasës 11-G kanë punuar për të realizuar dy filma me metrazh të shukrtër. Filmi i parë ishte një thirrje për të ndaluar dhunën ndaj gruas dhe u transmetua në Kinema Agimi nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor. Të gjitha fitimit shkuan për bamirësi. Ndërsa filmi i dytë i cili tashmë ka përfunduar do të shfaqet në kinema pas datës 11 maj. Thelbi i këtij filmi është klima bashkëpunuese që duhet të mbizotërojë kudo. Hiljana dhe shokët e saj i kanë ndarë punët dhe shpenzimet. Mbështetësit kryesot të tyre mbeten familjarët. Njihuni me Hiljanën. 


Për ata që nuk të njohin, kush është Hiljana Biba?

Hiljana është një adoleshente 17-vjeçare, cila pëlqen artin dhe çdo gjë tjetër që rrethohet nga estetika dhe aftësia e për të përcjellë emocione. Më pëlqen piktura, libri është një mik shumë i dashur për mua dhe aktivitetet që organizoj apo marr pjesë plotësojnë më së miri ditën time.


Ju keni përgatitur një film me metrazh të shkurtër, si e realizuat? Kush janë bashkëpunëtorët e tu? 

Bashkëpunëtorët e mi janë miqtë e klasës të cilët ishin të gatshëm në realizimin e kësaj ideje. Dikush siguroi kamerën, dikush veshjet... kontribuuam të gjithë për të krijuar kushtet e përshtatshme për të realizuar këtë film.


Çfarë tematike trajtuat?

“STOP dhunës ndaj gruas” ky ishte mesazhe që ne përcollëm tek shikuesit. Transmetimi u bë në datat  25 nëntor - 10 dhjetor në kuadër të lëvizjeve që organizohen në vende të ndryshme të botës për t’i thënë stop dhunës ndaj femrës. 


Më pas e shfaqët në kinema dhe të ardhurat shkuan për bamirësi. Përse ky vendim? 

Nuk ka asgjë më të bukur sesa t'i përdorësh fitimet e një akti frymëzues, si burim për të  frymëzuar njerëz të tjerë. Buzëqeshja e atyre personave që ne ju dhuruam nuk kishte çmim. Të gjithë duhet të shtrijnë dorën për të ndihmuar ata që kanë nevojë. 


Kë lumturuat ju me këto para?

Si prag  festash, i shpenzuam të gjitha për ushqime, të cilat ua ndamë njerëzve në nevojë. 

Tani që po flasim, ju keni përgatitur filmin e dytë me metrazh të shkurtër. Për çfarë bëhet fjalë? Bashkëpunëtorët, tematika?

Filmi i dytë trajton frymën bashkëpunuese që duhet të mbizotërojë kudo, besoj se bota ka më  tepër se kurrë nevojë për këtë. Çdo aktor përfaqëson një shtet të caktuar, me gjithë elementët  përfaqësuese që e rrethojnë, anët pozitive e negative. Me anë të këtyre të fundit, ata nisin të  ndihmojnë njëri-tjetrin me shumë dashuri dhe vetëm atëherë kuptohet se ku fshihet çelësi i lumturisë. Bashkëpunëtorët janë po të njëjtit me filmin e parë.


Ku mund ta shikojmë këtë film?

Në ambientet e kinema Agimit. Menjëherë pas datës 11, në fundjavë.


Çfarë ju lidh ju me filmin?

Gjithçka. Në film janë përfshirë të gjitha dëshirat që mbaj unë në vetvete për paqe, dashuri, mirësi... vlera këto që frymëzojnë të tjerët. 


Është e vështirë të bëni realitet një nismë të tillë?

Për hir të së vërtetës po. Duket sikur njerëzit janë të fokusuar diku tjetër, janë tepër të shqetësuar për të ardhmen, pa i dhënë mundësi të tashmes për të ndryshuar diçka duke filluar nga ne. 


Kjo që ju bëni ka kosto, si i mbuloni shpenzimet pasi edhe fitimet ju i dhuroni?

Duke i ndarë punët, shpenzimet dhe gjithçka tjetër me njëri-tjetrin.


Kush ju mbështet dhe kush ju nxit të realizoni nisma të tilla?

Nxitja e vetme është aktualiteti dhe mbështetjen e kemi gjetur te familjarët.

Si është Hiljana si nxënëse? Cilën lëndë pëlqeni më shumë?

Jam nxënëse shumë e mirë, gjë të cilën e mbështesin dhe rezultatet ndër vite. Lënda e parapëlqyer është fizika.


Cili është profesioni që keni zgjedhur në të ardhmen?

Jam ende e pavendosur midis arkitekturës dhe mjekësisë.


A keni ju një person që ju frymëzon, cili është ai?

Përpiqem që frymëzimin ta gjej kudo, në sende ose natyrë, megjithatë vullneti i mamasë  sime është inspirues për mua.


Cili është mesazhi i Hiljanës për bashkëmoshatarët?

Besoni në vetvete dhe kapuni fort pas ëndrrave tuaja.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

2,980 Lexime
6 vjet më parë