
Bisedë me Marieta Mërkurin: Laboratori Mediatik i Universitetit të Vlorës, zë i ri për studentët
Në fund të vitit akademik, sjellim një intervistë me Marieta Mërkurin, përgjegjëse e Laboratorit Mediatik të Universitetit të Vlorës, një nismë e re që po fuqizon studentët përmes komunikimit, medias dhe përfshirjes aktive në jetën universitare.
Në Universitetin e Vlorës ka nisur të marrë jetë një nismë që shkon përtej auditorëve dhe orëve të mësimit, një hapësirë ku studentët praktikojnë fjalën, komunikimin, debatimin dhe mendimin kritik në mënyrë të organizuar e të ndërgjegjshme. Laboratori Mediatik është një risí që po zbatohet prej disa muajsh dhe, në këtë fundvit akademik, fillon të tregojë rezultatet e para premtuese.
Në këtë intervistë me Marieta Mërkurin, përgjegjëse e Laboratorit, zbulojmë se si ky projekt, i mbështetur me vizion nga Rektorja Prof. Dr. Aurela Saliaj, po u jep studentëve jo vetëm aftësi praktike në fushën e medias dhe komunikimit, por edhe zë dhe vetëbesim për të qenë qytetarë aktivë në një shoqëri që ka nevojë për mendim të lirë dhe për fjalë me peshë.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Marieta, së pari më lejo të shpreh urimet e mia për Laboratorin Mediatik të Universitetit të Vlorës, që me plotë gojën mund të konsiderohet një nismë inovative në arsimin e lartë shqiptar. Për të nisur këtë bisedë, si lindi kjo ide dhe cili ishte roli i Rektores Aurela Saliaj në konkretizimin e saj?
Ideja për të krijuar një Laborator Mediatik lindi si një përgjigje ndaj një nevoje reale që ishte identifikuar , mungesa e një hapësire të dedikuar ku studentët të mund të zhvillonin aftësi praktike në komunikim, media dhe debat publik. Universiteti i Vlorës ka studentë me shumë potencial, dhe u mendua se ishte momenti të krijohej një platformë që i nxiste ata të shprehnin mendimin e tyre, të eksperimentonin me formate të ndryshme mediatike dhe të përfitonin një përgatitje më të plotë për tregun e punës.

Roli i Rektores Prof. Dr. Aurela Saliaj ka qenë vendimtar. Që në fillim, ajo e mirëpriti idenë me entuziazëm dhe e mbështeti fuqimisht, duke e konsideruar Laboratorin Mediatik jo thjesht një hapësirë fizike, por një investim strategjik për identitetin publik të Universitetit. Pa mbështetjen e saj institucionale, ky projekt nuk do të kishte marrë jetë.
Cili ishte momenti që shënoi zyrtarisht nisjen e këtij laboratori dhe çfarë përfaqëson për ju podcasti i parë me Rektoren, i realizuar më 26 nëntor 2024?
Momenti simbolik i nisjes zyrtare të Laboratorit ishte pikërisht realizimi i podcastit të parë me Rektoren, më 26 nëntor 2024. Ishte një episod historik për ne. Nuk ishte thjesht një intervistë, por një deklaratë publike që Universiteti i Vlorës po hapte një kapitull të ri në mënyrën e komunikimit dhe në mënyrën e përfshirjes së studentëve në jetën akademike.
Ky podcast i parë shënoi lindjen e një platforme të re të fjalës së lirë, dialogut dhe mendimit kritik brenda universitetit.
Laboratori Mediatik është konceptuar si një hapësirë për zhvillimin e aftësive mediatike dhe komunikative të studentëve. Si po ndikon ky projekt në formimin e tyre profesional dhe qytetar, ose më mirë çfarë mund të na thoni pikërisht tani për rezultatet, kur edhe vitit akademik po i vjen fundi?
Rezultatet janë shumë inkurajuese. Studentët janë përfshirë me entuziazëm në realizimin e podcasteve, intervistave, kronikave mediatike. Aty ata do të fitojnë aftësi konkrete në fushën e gazetarisë, intervistimit, editimit audio-vizual dhe menaxhimit të përmbajtjes. Por mbi të gjitha, besim tek vetja duke u bërë më të ndërgjegjshëm për rolin e tyre si qytetarë aktivë. Laboratori po kthehet në një shkollë alternative komunikimi brenda universitetit.
Nga ana tjetër na keni thënë se jeni në një fazë të re të rikonceptimit të laboratorit. Na tregoni pak më shumë për këtë proces dhe çfarë do të sjellin ambientet e reja që po përgatiten?
Po, është e vërtetë. Aktualisht jemi në një fazë të re zhvillimi. Po përgatiten ambientet e reja të Laboratorit Mediatik, të cilat do të jenë më funksionale, më moderne dhe të pajisura me teknologji të përditësuar. Do të kemi një studio podcasti me standarde profesionale, një hapësirë të dedikuar për radion universitare dhe zona për realizimin e materialeve vizuale. Synimi është që studentët të ndihen pjesë e një redaksie të vërtetë dhe të mësojnë në kushte sa më afër realitetit të mediave profesionale.
Një nga shtyllat e laboratorit është Radio Universitare. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky projekt dhe kur pritet të nisin transmetimet e reja?
Radio Universitare është një nga projektet më ambicioze. Ne e shohim si një zë të ri, të freskët dhe energjik, që do të pasqyrojë jetën studentore, nismat akademike dhe temat që preokupojnë të rinjtë. Aktualisht jemi në fazën përgatitore dhe synojmë që transmetimet e para të nisin në fillim të vitit të ri akademik 2025-2026.
Si do të funksionojë Gazeta Universitare dhe si mendoni se do të ndikojë kjo platformë në nxitjen e mendimit kritik dhe të kulturës së debatit mes studentëve?
Gazeta Universitare do të jetë një platformë dixhitale, e cila do të përfshijë artikuj, opinione, reportazhe dhe intervista me fokus jetën universitare dhe çështje të aktualitetit shoqëror. Synimi ynë është të stimulojmë mendimin kritik, analizën dhe shkrimin argumentues tek studentët.
Kjo gazetë do të jetë një hapësirë ku studentët do të mësojnë të bëhen zëra aktivë në jetën publike, duke praktikuar edhe etikën profesionale të gazetarisë. Deri tani janë realizuar 30 episode të podcasteve që përfshijnë intervista me profesorë, studentë, studentë të huaj të programit Erasmus, personalitete nga fusha të ndryshme të arsimit, medias, letërsisë, kulturës dhe artit por dhe histori nga jeta universitare.
Cilat kanë qenë reagimet më domethënëse që keni marrë nga studentët dhe publiku?
Reagimet kanë qenë mbi pritshmëritë tona. Studentët ndihen të përfaqësuar dhe të dëgjuar. Ka pasur shumë feedback pozitiv, jo vetëm nga komuniteti universitar, por edhe nga prindër, ish-studentë dhe miq të Universitetit. Episodet që trajtojnë tema sociale dhe ato që sjellin historitë e suksesit të studentëve kanë pasur ndikim të veçantë. Shumë studentë kanë shprehur dëshirën të bëhen pjesë aktive e Laboratorit pas dëgjimit të podcasteve.
A mund ta quajmë Laboratorin Mediatik një platformë gjithëpërfshirëse ku studentët jo vetëm marrin aftësi, por edhe zë në jetën publike të universitetit dhe më gjerë?
Pa dyshim, po! Laboratori është konceptuar si një hapësirë e hapur, demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Studentët jo vetëm mësojnë, por edhe bëjnë zë, japin mendime, ngrejnë çështje dhe ndikojnë në frymën e debatit publik universitar. Është kthyer në një forum të vërtetë idesh dhe energjie rinore.
Cilët janë disa prej sfidave që keni hasur gjatë realizimit të këtij projekti dhe si i keni përballuar ato?
Sfida kryesore ka qenë ndërtimi i një kulture të re komunikimi brenda universitetit. Nuk është e lehtë të ndërtosh një platformë nga e para, të krijosh formate dhe të prodhosh përmbajtje me cilësi të mirë, në kushte të kufizuara infrastrukturore. Por me përkushtimin dhe mbështetjen e Rektores Prof. Dr. Aurela Saliaj dhe entuziazmin e studentëve, ia kemi dalë të ndërtojmë një model që sot shikohet me vlerësim.
Në të ardhmen, çfarë synimesh afatgjata keni për këtë laborator dhe çfarë roli do të ketë në përfaqësimin e Universitetit të Vlorës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar?
Synimet tona janë ambicioze. Duam që Laboratori Mediatik të kthehet në një markë identitare për Universitetin e Vlorës, një shembull i mirë për universitetet e tjera në Shqipëri. Synojmë rritjen e bashkëpunimeve me media të tjera , krijimin e projekteve me universitete partnere jashtë vendit dhe integrimin e Laboratorit në programet Erasmus+. Në planin afatgjatë, synojmë që Laboratori të bëhet një qendër trajnimi për komunikimin akademik dhe qytetar.
Për studentët që dëshirojnë të përfshihen, cilat janë hapat që duhet të ndjekin dhe çfarë u ofron konkretisht Laboratori Mediatik atyre?
Është shumë e thjeshtë, mjafton një email, një aplikim i shkurtër ose një kontakt direkt me ne në ambientet e Laboratorit. Studentët mund të angazhohen si gazetarë, reporterë, prezantues, redaktorë, teknikë audio-vizualë, fotografë apo edhe si pjesë e ekipit organizativ të projekteve mediatike. Laboratori u ofron atyre përvojë praktike, mundësi për të ndërtuar portofolin personal dhe mbi të gjitha, hapësirën për të ndërtuar rrjet profesional.
Në fund, a keni një mesazh për studentët e Universitetit të Vlorës dhe për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë në fushën e medias dhe komunikimit?
Po, kam një mesazh të thjeshtë dhe të sinqertë. Mos prisni që mundësitë të vijnë te ju, kërkoni t’i krijoni vetë ato! Laboratori Mediatik është një ftesë për të gjithë ata që kanë dëshirë të provojnë, të mësojnë dhe të rriten profesionalisht. Zëri juaj ka rëndësi. Energjia juaj është burimi më i madh i suksesit të këtij laboratori.
Ejani dhe bëhuni pjesë e Laboratorit Mediatik Univlora .
Faleminderit! Dhe suksese të mëtejshme në këtë rrugëtim inspirues!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Konkursi i Mjekësisë në 10-20 gusht. Për herë të parë provim për të rinjtë që do ndjekin Universitetin e Mjekësisë
Një risi në Universitetin e Tiranës dhe jo vetëm
Studentët mbeten të papunë dhe pa perspektivë