Buxheti për arsimin parauniversitar, Kumbaro: Nga viti i ardhshëm 1 mësues ndihmës për 1 fëmijë me aftësi ndryshe, zgjatet dhe programi “Pas Shkolle”

Projektbuxheti 2027 parashikon më shumë financim për arsimin parauniversitar, me mbi 1 miliard lekë shtesë. Ministrja Mirela Kumbaro njoftoi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe, zgjerimin e programit “Pas Shkolle” deri në orën 17:00 dhe investime të reja në shkolla e kopshte.

Në prezantimin e projektbuxhetit të arsimit për vitin 2027, ministrja Mirela Kumbaro pohoi nga Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet se të pesta programet buxhetore do të kenë një rritje të ndjeshme, ndërsa arsimi parauniversitar do të financohet me mbi 1 miliardë lekë më shumë se vitit 2026.


Ajo përmendi si një prej nismave më të rëndësishme të lidhura me gjithëprfshirjen në arsim, atë të vendosjes së një mësuesi ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe.


“Një prej nismave më të rëndësishme lidhet me vendosjen e një mësuesi ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe. E kemi pasur këtë raport 1 mësues ndihmës për 4 fëmijë, ndërsa në vitin 2027, e çojmë 1 mësues për 1 fëmijë. Dhe është një program shumë ambicioz, duke pasur parasysh se nga 4,500 nxënës me aftësi ndryshe që kemi pasur në sistemin parauniversitar, për këtë vit shkollor shifra është rritur në 6039 fëmijë me aftësi ndryshe, nga rreth 4000 nxënës të kësaj kategorie që kanë qenë në vitin 2024-2025.o detyrimisht sepse është rritur numri i fëmijëve që i përkasin kësaj kategorie, por vetë Ministria e Arsimit ka rritur moshën e trajtimit, bëhet fjalë për fëmijë dhe të rinj nga mosha 3 deri në 19 vjeç, si dhe për një kategori fëmijësh e kemi rritur deri 21 vjeç”, tha ministrja Kumbaro.


Më tej, ministrja Kumbaro bëri me dije se 500 milionë lekë nga buxheti i arsimit për vitin 2027 do të vendosen në dispozicion të programit “Pas shkolle”, duke e zgjeruar dhe zgjatur maksimalisht deri në 17.00 kohën e qëndrimit në shkollë.

"Programi "Pas shkolle" do të vijojë duke u zgjeruar edhe me dy orë në ditë, duke e shtuar kohën e qëndrimit të fëmijëve në shkollë maksimalisht deri në orën 17:00, por edhe duke ofruar module të reja. 500 milion lekë janë në dispozicion për këtë program dhe për mësuesit e angazhuar në vitin 2027", tha ministrja e Arsimit.



Për sa i përket financimit të ndërtimit dhe rikonstruksionit të objekteve arsimore, ministrja Kumbaro tha se: “Për 2027–2029 planifikojmë rreth 120 të tilla, me rreth 88 milionë euro. Vetëm në 2027 vijojnë të financohen 54 projekte, 40 shkolla e kopshte në arsimin bazë dhe 14 shkolla të mesme, me rreth 2,2 miliard lekë, Nga ana tjetër, një fond prej rreth 700 milion lekësh hap rrugën për rreth 40 projekte të reja, thirrja për të cilat është shpallur që në vitin 2026, që ato të jenë gati për financim në fillim të vitit buxhetor”.



Në lidhje me punën për sigurinë në arsism, ministrja Kumbaro sqaroi se 20.000–22.000 mësues vijojnë të trajnohen çdo vit përmes Programit Kombëtar të Zhvillimit të mësuesve, me fokus shkencat, gjuhët dhe aftësitë digjitale, në partneritet me 9 universitetet publike, ndërsa vijon puna për përditësimin e kurrikulave.



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

668 Lexime
5 orë më parë