FRIKA PATOLOGJIKE NGA DËSHTIMI

Çfarë është e dobishme të dimë për frikën dhe a duhet të miqësohemi me të?

Me kalimin e kohës, frika ka marrë konotacion negativ dhe kur flasim për këtë temë me fëmijë, të rinj dhe të rritur, ata mendojnë se frika është diçka negative.

Brezat e rinj po i nënshtrohen perfeksionizmit dhe një frike patologjike nga dështimi! 


Frika është ekzistenciale dhe produktive. Frika na shpëton nga rreziqe të ndryshme dhe roli i saj është shpesh pozitiv. Ndonjëherë kemi nevojë për zemërim apo trishtim për të avancuar. Veçanërisht prindërit, mësuesit, edukatorët, terapistët duhet ta dijnë këtë gjë. Ky shekull po vuan një sëmundje më e madhe: Indiferentizmi. 



A janë fëmijët më pak të frikësuar nga koronavirusi se të tjerët? Çfarë mekanizmash mbrojtës kanë zhvilluar brezat e shekullit 21?


Ne kemi frikë se ata kanë frikë dhe ne, të rriturit, ekzagjerojmë me ndërhyrjet tona. Brezat e sotëm na duken më sipërfaqësorë, por njëkohësisht ata e vendosin veten e tyre në plan të parë, që do të thotë i shmangen studimit me orë e orë të gjata, punës, detyrimeve, etj. 


Shumë prindër ankohen se të rinjtë mendojnë vetëm për nevojat e tyre dhe e interpretojnë këtë si egocentrizëm. Për ata asgjë nuk është e jashtëzakonshme. Me shumë sportivitet mund të thonë: “Kjo u ndodh të gjithëve”. 



Çfarë është frika ndaj humbjes?


Si të rritur, ne do të dëshironim t'i çlironim fëmijët tanë nga ndjenjat e frikës, por ata duhet ta kalojnë këtë përvojë. Ne i mbrojmë ata nga frika e vetmisë, errësirës, dentistëve, dhe pastaj ata krijojnë një frikë të re, frikën e dështimit. Kjo është një frikë shkatërruese, patologjike, që lind si dëshirë për perfeksionizëm. 


Shumë fëmijë janë të vetmuar dhe jetojnë në një shoqëri ku suksesi vlerësohet mbi gjithçka. Ekziston një pabarazi e madhe midis pritshmërive që vendos shoqëria dhe asaj se çfarë nxënësit mund të arrijnë. Kërkohet një lloj uniformiteti dhe përsosmërie. Nëse nuk je perfekt, nuk je i denjë. Kjo është sëmundja e ditëve tona.  



Përveç perfeksionizmit, çfarë tjetër mund të jetë e rrezikshme për fëmijët dhe të rinjtë?  


Indiferenca është e rrezikshme për fëmijët. Zhgënjimi, gëzimi, trishtimi, pakënaqësitë, të gjitha janë të mirëpritura, përveç indiferencës. 



Si duhet të sillen të rriturit para fëmijëve në situata kur ata vetë ndiejnë frikë? A duhet të jenë të sinqertë dhe ta pranojnë këtë ndjenjë përpara tyre? 


Gjithmonë! Ne duhet ta pranojmë frikën dhe t'u shpjegojmë fëmijëve se është normale të kesh frikë dhe se frika mund të jetë konstruktive dhe e dobishme sepse na shtyn drejt veprimit fizik dhe na tërheq nga rreziku. Transparenca me fëmijën është shumë e rëndësishme. 



Po mësuesit çfarë duhet të bëjnë në raste të tilla? 


Shkollat kërkojnë shumë përfshirje të prindërve në detyra dhe projekte. Kjo gjë është e panevojshme. Jepni detyra të thjeshta, që fëmijët t’i realizojnë vetë. Si rezultat kemi fëmijë të varur, të cilët në momentin e parë që përballen vetë me diçka ndiejnë pasiguri dhe frikë. Jini më liberalë dhe pranoni individualitetin e tyre. 




Përkthim i një interviste me Tanja Sever, terapiste e psikologjisë klinike

Burimi: https://www.skolskiportal.hr/sadrzaj/savjeti-strucnjaka/nove-generacije-podlozne-su-perfekcionizmu-i-patoloskom-strahu-od-neuspjeha/


Përktheu Parajsa Shtini

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,755 Lexime
3 vjet më parë