Dashuri pa kushte në klasë, momenti prekës që frymëzon përfshirjen në shkollë
Një dedikim prekës nga mësuesja Rezarta Kanushi për nxënësit me aftësi ndryshe: një moment dashurie në klasë kthehet në kujtim të paharruar. Ata na mësojnë pranimin, durimin dhe dashurinë pa kushte. Përfshirja dhe mbështetja janë çelësi i një shkolle të hapur për çdo fëmijë.
Aty në bankë, duke punuar… në një moment ai u kthye dhe më puthi dorën. E pashë me sytë hapur fort, sytë e tij qeshnin, të lagur nga lotët e gëzimit. Në atë çast, gjithçka u ndal. Janë ato momente që nuk paguhen, ku harrohet lodhja, sfidat dhe çdo vështirësi tjetër.
Nxënësi im me aftësi ndryshe di ta shprehë dashurinë në mënyra që nuk kanë nevojë për fjalë, në një vështrim të lehtë, në një buzëqeshje të sinqertë, në një shikim që flet më shumë se çdo fjali. Ai e ndjen botën thellë dhe na kujton çdo ditë sa e rëndësishme është të duam pa kushte.
Ata nuk kërkojnë shumë, vetëm pranimin tonë, durimin dhe një zemër të hapur. Dhe ajo që japin në këmbim është e pafund. Janë ata që na mësojnë të ndalemi për një çast, të vlerësojmë gjërat e vogla dhe të shohim përtej asaj që duket. Çdo hap i vogël për ta është një fitore e madhe për ne të gjithë.
Le të jemi bashkë, mësues, shokë klase dhe prindër, për t’i mbështetur, për t’i përfshirë dhe për t’i bërë të ndihen të vlefshëm çdo ditë. Le të ndërtojmë një mjedis ku askush nuk ndihet i lënë pas, ku çdo fëmijë ka hapësirën e tij për të shkëlqyer. Sepse përfshirja nuk është vetëm detyrë, është një akt dashurie që lë gjurmë përjetë.
Prindër, ju jeni heronjtë e heshtur të kësaj rruge. Forca juaj, durimi dhe dashuria e pakushtëzuar janë frymëzim për ne çdo ditë. Ju jeni shtylla më e fortë e këtyre fëmijëve dhe bashkë mund të bëjmë që rruga e tyre të jetë më e lehtë dhe më e bukur.
Me shumë dashuri,
Mësuesja ndihmëse, REZARTA KANUSHI.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fitorja e Dibrës në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe – Bisedë me Marsida Vishka, drejtoreshë e “Selim Alliu”
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit!