Gjimnazi “Andon Zako Çajupi”

Ditët e Hapura të Shkollës Qendër Komunitare

Në ambientet e gjimnazit “Andon Zako Çajupi” u zhvillua aktiviteti “Ditët e Hapura” pjesë e programit të MAS për “Shkollën Qendër Komunitare”. Aktivitetet kanë fokus shkollën, nxënësit dhe komunitetin.

I iniciuar rreth tre vite më parë projekti i “Shkollës Qendër Komunitare”, projekti i së ardhmes dhe transformimi i ambientit të shkollës në një mjedis, jo vetëm mësimi, por dhe edukimi e rivitalizimi, ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve ambicioze të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në kuadër të këtij projekti në ambientet e gjimnazit “Andon Zako Çajupi” u zhvillua aktiviteti “Ditët e Hapura” pjesë e programit të MAS për “Shkollën Qendër Komunitare”. Aktivitetet kanë fokus shkollën, nxënësit dhe komunitetin, pra, përfshirjen e shkollës në komunitet dhe komunitetit në shkolla. Projekti “Shkolla Qendër Komunitare” është një projekt i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe IADSA (Italian-Albanian Debt for Development Swap Program).

( Projekti IADSA )

Më 27 janar u zhvilluan një sërë aktivitetesh në shkollën “Andon Zako Çajupi” . Të pranishëm në aktivitet ishin: ministrja e Arsimitdhe Sportit Lindita Nikolla, përfaqësues të IADSA (Italian-Albanian Debt forDevelopment Swap Program), përfaqësues nga njësia bashkiake numër tre, kryetari i bordit të prindërve të shkollës, stafi pedagogjik i shkollës si dhe nxënësit.

Portali Shkollor ndoqi nga afër aktivitetet me ftesë të drejtoreshës së shkollës zonjës Margarita Shatro.

Arritëm në shkollë përpara se të fillonte aktiviteti për të parë pak nga detajet e fundit të organizimit. Gjithçka ishte në vendin e duhur. Drejtoresha, mësuesit dhe nxënësit ishin në të njëjtën linjë mendimi teksa vërenin me kujdes: aktivitete sportive, kërcime të ndryshme, ekspozitë me punime të realizuara me materiale të ndryshme nga vetë nxënësit... Nga ana tjetër disa nxënës u kujdesën për sallën dhe mikrofonat . Është ditë e shënuar, e pranishme do të jetë edhe ministrja e arsimit Lindita Nikolla dhe gjithçka duhet të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Aktiviteti filloi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së shkollës e më pas të gjithë përfaqësuesit e ftuar. E fundit mori fjalën ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila përshëndeti dhe falenderoi të gjithë të pranishmit për bashkëpunimin, rezultatet e të cilit janë të dukshme në këtë shkollë. 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla pa nga afër ekspozitën në hollin e shkollës, bisedoi me nxënësit dhe i përgëzoi ata për realizimin e objekteve dhe përzgjedhjen e materialeve.

Ma pas ministrja u bashkua me nxënësit teksa ata zhvillonin një orë mësimi të hapur. Të mbledhur në formë rrethi ata po bashkëbisedonin duke shkëmbyer mendime dhe ide të reja nën drejtimin e mësueses.

Ministres i tërhoqi vëmendjen ora e matematikës që po zhvillohej në klasën tjetër ngjitur me mësuese Gjinovefa Ormeni. Në fakt, ishte iniciativë e mësueses që dy herë në javë të zhvillonte orë mësimi më nxënësit të cilët kishin nevojë për të përforcuar njohuritë e tyre në këtë lëndë. Ministrja bashkëbisedoi me nxënësit e pranishëm dhe i përgëzoi ata dhe mësuesen për përkushtimin.

Vazhdimësia dhe suksesi i projektit “Shkolla Qendër Komunitare” ka bërë që vit pas viti, të rritet edhe numrii mbështetësve nga vet komuniteti, por dhe donatorët e bashkëpunëtorët. Falë mbështetjes së projektit IADSA, sot në ambientet e gjimnazit “Andon Zako Çajupi” ka një Qendër të re Burimore të ShQK-së, një hapësirë e dedikuar e shkollës për organizimin e aktiviteteve dhe shërbimeve komunitare me fokus të larmishëm dhe pjesëmarrje të gjerë të komunitetit. 

Përfaqësuesja e projektit IADSA, Mariarita Capirici, në fjalën e saj theksoi se falë mbështetjes së qeverisë shqiptare e Ministrisë së Arsimit Projekti i “Shkollës Qendër Komunitare” ka sjellë përmirësim të cilësisë në arsim.

Falë projektit “Shkolla Qendër Komunitare” është mundësuar krijimi i Qendrës Burimore në shkollë, një vend / hapësirë e cila ofron informacion, pajisje dhe mbështetje, me personel të specializuar për nxënësit.

Portali “Shkolla si Qendër Komunitare” i krijuar nga IZHA është në shërbim të shkollës dhe komunitetit, duke krijuar një database të të gjithë shkollave komunitare, nevojave të tyre dhe komunitetit, projekteve të reja, promovimit të tyre ndaj publikut dhe biznesit, si edhe krijimin e një forumi online ku shkëmbehen ide dhe projekte gjithëpërfshirëse.

Ky projekt është shoqëruar me investime të shumta duke përfshirë periudhën 2014 - 2016 në të cilën janë financuar 126 ndërtime dhe rikonstruksione shkollash (përfshirë dhe palestrat e shkollës “Andon Zako Çajupi”) si dhe 43 terrene sportive në 12 qarqe në vend. Në këto vite është rritur numri i Shkollave Qendër Komunitare nga 60 në 225 brenda vitit 2016, duke synuar që brenda vitit 2017 ky numër të jetë 350.

(Portali Shkollor)

2,838 Lexime
7 vjet më parë