Botim i ri

"Don Kishoti i Mançës" vjen rreth një shekull më vonë nga përkthyesi emblematik Bajram Karabolli

“Në stendën e Albasit do jetë varianti i librit më të madh në botë "Don Kishotit të Mançës" i ripërkthyer rreth një shekull ma vonë nga përkthyesi emblematik Z. Bajram Karabolli. Kjo është vërtet një ngjarje”- nga Ervin Nezha.

Panairi i librit është ngjarje e madhe e kulturës së një vendi. Aty shpalosen të gjitha botimet e reja që i japin mundësinë dhe kënaqësinë atij që vete atje të të rrëmuarit për librin që do, të takuarit të një shkrimtari, miku apo shoku. Udhën sivjet do ta bëj me dëshirë sidomos për një gjë. 


Në stendën e Albasit do jetë romani më i madh i të gjitha kohërave "Don Kishotit të Mançës" i ripërkthyer rreth një shekull ma vonë nga përkthyesi emblematik z. Bajram Karabolli. 


Kjo është vërtet një ngjarje që po të ishim në një shtet kulturalisht të rregullt do fitonte mjaft jehonë. Është e vërtet se përkthimi i Fan Nolit është një përkthim i arrirë që me gjuhën e vet nuk kategorizon lexuesin e kohës por, as të sotmin, mirpo gjuha dihet që është mjet që transformohet vazhdimisht dhe ndoshta kishte ardhur koha që këtë kryevepër ta kishim në duar edhe njëherë me një leksik më të freskët. Në çdo shtet europian kryeveprat janë të përkthyera në disa versione sepse ato janë aq shumë dimensionale, sa nuk mund të kushtëzohen nga variante të ndryshme përkthimesh. Përkundrazi këto përkthime veç pasurojnë gjuhën, ndaj nuk kemi përse në këtë rast të jemi paragjykues. 

 Bajram Karabolli, përkthyes 

Nga përkthimet e mëparshme nga spanjishtja, z. Karabolli ka sjellë autorë mjaft të vështirë si Ernesto Sabato, Marios Vargas Llosa, Juan Rulfo, Roberto Bolano etj. 


Gjuha e këtij përkthyesi është mjaft poetike dhe dallohet kryesisht për lirëshmeri në sintaksë pa ia cenuar veprës së përkthyer hapsirën dhe dimensionet e tjera  të vendit të origjinës, por pa harruar t'i japë edhe atë kumt që e indentifikon shqipen si gjuhë, që mund të përballojë përkthimin e çdo kryevepre, pa sforco. Ky libër do jetë një mundësi e mirë për të rilexuar edhe njëherë Don Kishotin e Mançës, këtë "diktator të magjepsur" që mendon se zotëron të vërtetën dhe na bën ashtu sikundër thotë Noli, të qeshim por edhe të qajmë siç thotë Konica, me këmbënguljen e marrë për t'u treguar të tjerëve të vërtetën që mendon se zotëron. Por rileximi i këtij libri është edhe një mundësi për studiuesit, pedagogët, mësuesit në mënyrë që të kenë edhe një variant të plotë dhe të shkëlqyer përkthimi. 


Z. Karabolli unë i uroj jetë të gjatë dhe shëndet që të na dhurojë në shqip të tjera vepra monumentale, përfshi edhe librin e dytë të Servantesit !



Nga Ervin Nezha, shkrimtar 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,282 Lexime
1 vit më parë