Drejtpërdorimi i numërorit "tre"
Driton Reshani trajton përdorimin e drejtë të numërorit "tre/tri" në gjuhën shqipe, duke shpjeguar ndryshimin sipas gjinisë së emrave dhe rastet e përdorimit të saktë e të gabuar. Theksohet rëndësia e normës standarde dhe shmangia e lajthitjeve gjuhësore.
Nga Driton Reshani, mësimdhënës i gjuhës shqipe, shfmu “Bajram Curri”- Petrovë, Shtime
Ai që zotëron gjuhën e vet – thotë një mendimtar i lashtë – vlen më tepër se ai që pushton një qytet.
Sipas Gramatikës së Akademisë i vetmi numëror që ka kategorinë gramatikore të gjinisë është numërori tre, i cili, kur shoqëron emra të gjinisë femërore, del në trajtën tri, p.sh. Mjeku më porositi të vij përsëri pas tri ditësh. Pra numërorët themelorë nuk e kanë të përcaktuar gjininë: ata përdoren me formë të njëjtë, si atëherë kur e përcaktojnë një emër të gjinisë mashkullore, ashtu edhe atëherë kur e përcaktojnë një emër të gjinisë femërore a asnjanëse. Nga kjo rregull bën përjashtim numërori tre, i cili e ndryshon formën sipas gjinisë së emrit që përcakton. Ky numëror kur shoqëron emra të gjinisë mashkullore del me formën tre, si: Ai ka tre shokë. Ajo ka vetëm tre djem etj., ndërsa kur shoqëron emra të gjinisë femërore del me formën tri (me i të gjatë), si: I bleva tri fletore për matematikë, Ato janë tri shoqe të mira.
Përkitazi me përdorimin e këtij numërori, nën ndikimin e varianteve dialektore, shpesh po bëhen lajthitje gjuhësore në rastet kur ky përdoret si përcaktorë i emrave që në shumës e ndërrojnë gjininë. Të tillë janë të gjithë emrat mashkullorë që shumësin e formojnë me – e, si: qytet, mal, katund, personazh, shtet etj., dhe një pjesë e emrave mashkullorë që shumësin e formojnë me – ra, si: vaj, ujë, mall, fshat, lesh, djathë etj. Prandaj para këtyre emrave duhet të përdoret numërori tri e jo tre, sikurse në shembujt e mëposhtëm:
Tri fshatra janë vërshuar nga lumi.
Tri parimet që duhet t’i mësojë secili nxënës.
Tri shtete i vizitova vitin e kaluar. Pra, këta emra bëhen femërorë.
Kështu, na ka rënë të dëgjojmë ose të lexojmë: tre qytete (katunde, male, personazhe), në vend që para këtyre emrave femërorë në shumës të jetë numërori tri i gjinisë femërore, d.m.th. tri qytete, katunde, male, personazhe etj.
Nuk duhet t’i ngatërrojmë as emrat mashkullorë që shumësin e sajojnë me-a, sikurse fjalët: lapsa, emra, urdhra, hapa, topa, libra etj., prandaj edhe para këtyre emrave vendoset numërori tre, sepse këta vazhdojnë të jenë në gjininë mashkullore edhe në numrin shumës. Ja disa fjali:
Bleva tre lapsa.
Maces sonë i kemi vënë tre emra.
Gjenerali dha tre urdhra të prerë.
Bëri tre hapa të shpejtë.
Fëmijëve u bleu tre topa.
Këtë vit do ti lexoj tre libra.
Kjo, që u tha më lart, vlen edhe kur numërori tre, gjegjësisht tri, është përcaktues i njësive më të vogla ose më të mëdha matëse, siç janë: milimetri, centimetri, kilometri, decilitri, miligrami, decigrami etj., pa marrë parasysh a përdoren këta emra si të plotë ose si shkurtesa, p.sh. Kjo duhet të jetë e gjatë vetëm tre centimetra (cm.); Më duhen vetëm tre gramë gjalpë (gr.).
Përdorimi i drejtë i numërorit tre/tri përbën një aspekt të rëndësishëm të normës së gjuhës standarde shqipe. Vështirësitë më të mëdha paraqiten tek emrat që në shumës ndryshojnë gjininë, gjë që shpesh çon në përdorime të pasakta në të folur dhe në të shkruar. Njohja e këtyre rregullave dhe ushtrimi i vazhdueshëm i tyre ndihmon në shmangien e gabimeve gjuhësore dhe në zhvillimin e një shprehjeje më të saktë e më të kultivuar. Prandaj, mësimi dhe zbatimi i drejtë i formave tre dhe tri është i domosdoshëm për zotërimin e normës standarde të gjuhës shqipe.
Literatura:
Gramatika e gjuhës shqipe I, Tiranë, 2022.
Praktikumi i gjuhës shqipe, Fadil Sulejmani, Prishtinë, 1981.
Të shkruajmë drejt, Jeton Koqinaj, Prizren, 2024.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
Driton Reshani: Fjalë të huaja, që mund të zëvendësohen me fjalët e gurrës shqipe
12 fjalët që shkruajmë gabim