Drejtuar Z. Kryetar të Bashkisë Tiranë: Ujërat e zeza mbulojnë rrugën, në trotuar s'kalohet!
Ankesat e shumta na detyrojnë t’ju shkruajmë një letër të hapur Z. Veliaj dhe në emër të atyre që nuk kanë zë apo që nuk i dëgjon njeri
Ujërat e zeza mbulojnë rrugën, ndërsa në trotuar nuk mund të kalohet! Kjo është pamja me të cilën përballen studentët e Fakultetit të Filologjikut çdo ditë. Të lodhur nga kjo situatë e cila nuk gjen zgjidhje prej vitesh ata i drejtohen Portalit Shkollor e cila është nje media që merret me problemet e studentëve dhe nxënësve.
Prej shumë vitesh ujërat e zeza vërshojnë të lira në Rrugën e Elbasanit duke shqetësuar studentët, pedagogët dhe banorët e lagjes. Në ditët me shi ujërat e zeza shpërndahen tej për tej rrugës, ndërsa makinat kalojnë me shpejtësi duke spërkatur me ujë të ndotur studentët, pedagogët, banorët e zonës, por edhe kalimtarët e rastit.
Është e kotë të mundohesh të kalosh në trotuar pasi ky pothuajse nuk ekziston. Në vend të tij janë ca shkallë, pak më tutje edhe një derë. “Derë në trotuar?! As në filma nuk kam parë, por ja ku e kemi”, shprehet një student. Kjo situatë është pikërisht pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranë ndërtesës ku strehohen diplomatët e huaj, pikërisht aty është kjo “diplomacia” jonë e varfër!
Kjo situatë bëhet akoma më e vështirë kur të gjithëve iu duhet të kalojnë në këtë anë të rrugës, nga krahu tjetër ku i ndalon transporti publik. Nuk ka vija të bardha, por kalojnë ashtu turmë, e nëpër fekale shkohet edhe në stacionin tjetër nëse iu duhet të shkojnë më tej në Sauk. Kjo përbën rrezik për qytetarët.
Takojmë një grup studentësh të veshur sport të cilët tentojnë të kalojnë në krahun tjetër për t’iu drejtuar kodrave të Liqenit Artificial. Kjo rrugë e ndotur është e vetmja hapsirë nëpërmjet të cilës mund të shkohet të Liqeni Artificial. “Kalojmë çdo ditë këtu, është e tmerrshme, askush nuk kujdeset për këtë, kjo është e dëmshme për të gjithë ne”, shprehen studentët.
Pasi studentët e ngriten këtë shqetësim në redaksinë e Portalit Shkollor ne menduam të bisedojmë edhe me banorët e zonës. A i shqetëson kjo situatë ata? Sigurisht që po. Kjo situatë ka vite që vijon dhe askush nuk mundohet t’i japë një zgjidhje. “Jemi ankuar pranë njësisë minibashkiake, na kanë thë se do të zgjidhet, por se dimë se kur do të ndodhë kjo”, shprehet një banore e zonës.
Trotuari është pushtuar. Kushdo që kalon aty kupton se trotuari nuk është më për të kaluar qytetarët, por në të mund të ndërtosh shkallë, dyer, lokale, ballkone... ndonjëherë mund edhe të parkosh makinën! Po këmbësorët ku do të kalojnë?
Hidhini një sy nëse doni Z. Kryebashkiak i Tiranës edhe ju zonja ministre e Arsimit dhe Sportit apo kushdo që është përgjegjës pasi ky është një shqetësim për studentët dhe jo vetëm, duke qenë se ujrat e zeza, më të lira se kurrë kanë ‘populluar’ rrugën kryesore të njohur si Rruga e Elbasanit.
Kjo zonë i përket njësisë minibashkiake numër 2. Kjo njësi administrative përfshin Qytetin Studenti dhe Saukun. Shpresojmë që ju të mund t’i jepni zgjidhje këtij problemi që shqetëson qytetarët dhe studentët.
Ankesat e shumta na detyrojnë t’ju shkruajmë një letër të hapur Z. Veliaj dhe në emër të atyre që nuk kanë zë apo që nuk i dëgjon njeri. Do t’ju luteshim që paralel me projektet artistike për të kënaqur estetikisht qytetarët e Tiranës, të mendonit edhe për shëndetin e tyre.
Hartimi i projektit kurrikular
Propozime për rishpërndarjen e kohës së punës dhe pushimit në arsim
Turi i takimeve me prindër, Rama dhe Manastirliu, në Kamëz: Plan masash, kamera inteligjente dhe edukim digjital