E fundit letër për nxënësit e mi
"Sfida jonë: T’ju bënim miq, të shpërndanim motive për të ardhur me dëshirë në shkollë. E vështirë të bëheshim miq me të gjithë, por ama së bashku mësuam se tek secili prej jush ka diçka speciale që tjetri nuk e ka..."
Ende e kujtoj kur u bëtë bashkë në klasë ditën e parë. Të heshtur, të trembur, dikush i pasigurtë. Ndoshta edhe ju e dinit se mes jush po vinin zysha paksa ndryshe…ndryshe sepse mes nesh do të vendosnim një raport. Një raport që thyente rregullat strikte mësues-nxënës, një raport që do t’ju jepte juve lirshmërinë për të cilën barka juaj ka aq shumë nevojë. Ndërsa ne e dinim atë që do të ndodhte: do të kishim përpara dikë që e donte shkollën, por edhe dikë që nuk e duronte librin; dikë që adhuronte numrat, e dikë që urrente shkronjat. Mbi punën tonë ishin ngulur sytë e prindërve tuaj, vëzhgues të rreptë, të gatshëm t'i tërhiqnin veshin mësuesit.
Sfida jonë: T’ju bënim miq, të shpërndanim motive për të ardhur me dëshirë në shkollë. E vështirë të bëheshim miq me të gjithë, por ama së bashku mësuam se tek secili prej jush ka diçka speciale që tjetri nuk e ka. Kështu do të jetë gjithmonë në jetën tonë. Duhet të dini se çdo takim është unik: mësoni të shihni në sy atë njeri që nesër do të jetë shoku juaj i bankës, kolegu juaj i punës, fqinji në sediljen e autobusit apo avionit. Me ju ne mësuam vlerën e ngadalësisë.
Ju ka ndodhur në fëmijëri të shihni kërmijtë që lëvizin në një fushë? Ata nuk konkurojnë. Arrijnë në finishin e tyre ngadalë, pa u nxituar, por duke përshkuar me përpikmëri rrugën e nisur. Ne në klasë ishim pak “si kërmijtë”. Kemi ecur ngadalë në tri vite mes gërmave e shkronjave, rajoneve e shteteve, formulave e lojërave për të arritur në këtë fund ku jemi sot. Ama ia dolëm. Mësuam diçka nga secili prej jush. Ka qenë e vështirë. Jemi puthur e sharë, jemi dashur e grindur. Por preferuam të vërtetën dhe jo maskën, sepse jeta maskat i gris shumë shpejt e barka juaj duhet të jetë e fortë edhe në furtuna. Ju kërkojmë ndjesë nëse në ndonjë rast nuk ju kemi dëgjuar sa duhet, nëse kemi gabuar, nëse nuk kemi qenë shokë të mirë. Tani ju takon juve.
Detyra për pushime këtë vit nuk po ju japim, sepse nuk ka detyra për jetën. Por ama disa këshilla vlejnë mes miqsh:
- Përdorni fjalën që ju kemi mësuar për t’u mbrojtur e për të mbrojtur atë që nuk e ka forcën tuaj.
- Mos jini spektatorë, por protagonistë. Historia nuk është vetëm ajo e Skënderbeut apo Mark Antonit, por edhe ajo që tani kemi përpara dhe e jetojmë. Bëhuni pjesë e saj, ngjyeni duart, bëjini pis, kafshojeni jetën, impenjohuni, merrni mbi shpinën tuaj edhe atë që nuk ia del dot vetë.
- Nëse dëgjoni për një barkë grabitqare që ka ankoruar në brigjet tona, mos thoni “nuk më intereson”, sepse ajo barkë do të bëjë apo do të zhbëjë historinë tënde.
- Mos besoni kur t’ju thonë: “Të rinjtë janë e ardhmja”. Politikanët, “të mëdhenjtë” e shpeshherë edhe mësuesit përdorin të tilla fraza. Përgjigjuni: “Të rinjtë janë e sotmja”.
- Mos jini kurrë indiferentë. Mos i ktheni shpinën të pastrehit që ju kërkon një moment vëmendjeje. Ndaloni, pyeteni se përse është aty, shtrëngojini dorën, jepini qoftë edhe pak dashuri. Moskokëçarja nuk i vlen askujt.
- Hapni hartën e Shqipërisë. Herë pas here zgjidhni një vend, një qytet, një fshat, qoftë edhe i humbur. Filloni të udhëtoni. Është mësimi më i bukur që do të përjetoni.
Tani është çasti juaj. Rrugët tona këtu ndahen, por mos harroni që ne jemi në portin nga ku nisët barkën tuaj. Edhe kur të ndjeheni të rritur. Ne jemi këtu për një këshillë, një zhgënjim, një rrëfim. Dini ku të na gjeni. Udhëtim të mbarë.
(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festojmë 28-29 nëntorin!
Letër falenderuese mësuesit