Edlira Çepani: Dialog-monologu në lidhje me arsimin
“Një mik nga Amerika që sapo ishte kthyer në Shqipëri, kërkonte një shkollë fillore për vajzën e tij. Pasi u interesua në një sërë shkollash, filloi dhe dialogu ynë, që e kam të përsëritur me disa miq…” nga Edlira Çepani.
Ai: Janë çmendur me këto çmime? Si mund të paguaj për shkollën 9-vjeçare sa për një universitet në Amerikë? Të gjitha shkollat ku shkova, me gjithë çmimet marramendëse janë plot!
Unë: A pyete në shkollë publike?
Ai: Pyeta, dhe më thanë që ishte me turne! Fëmija im shkonte në shkollë në drekë! Kjo nuk është normale! Përveç faktit që prindi duhet të punojë, nuk është produktiv mësimi në mes të drekës dhe pasdites! Pale që ishin 40 veta në një klasë! Çfarë vëmendje zhvillimore mund të marrë një fëmijë me 40 veta në klasë? S’e kuptoj, pse nuk ndërtohen shkolla të reja në këtë qytet?
Mikesha jonë e përbashkët: S’ke parë kopshtet ti! Mirë që janë më shtrenjtë se shkolla, po na ka zënë belaja që edhe nuk kujdesen siç duhet për fëmijët… Pamë dhe gjithandej për ta çuar në kopsht publik, por nuk kishte vende… ishin plot… Si t’ia bënim?
Ai: Ju jeni çmendur në këtë vend që paguani shumë lekë për shumë pak cilësi në arsim…
Unë: Ka kohë që nuk gjejmë zgjidhje, është e dhimbshme për çdo prind!
Ai: Zgjidhjen e keni në xhep! Reagoni që të mos ndodhë kjo gjë! Si ka mundësi që e përtypni këtë situatë prej vitesh dhe nuk bëni asgjë? Si ka mundësi që i lini fëmijët tuaj në këtë gjendje? Çfarë kujtoni, se duke i çuar jashtë për universitet do i shpëtoni? Dëmi bëhet që në shkollë fillore, fëmija nuk e do më arsimin, edukimin, nëse nuk i pëlqen që në fillim! A jeni në vete? S’kam parë kurrë të reagohet në Shqipëri për këtë gjë, as nga mësuesit, as nga prindërit! Mendoja se situata ishte e mirë për aq kohë sa nuk ankohej asnjeri! Nuk arrij as ta kuptoj, a i doni a s’i doni këta fëmijë?
Unë: Sa ndryshon njeriu kur jeton jashtë dhe mësohet natyralisht që të reagojë e të luftojë për të drejtat dhe për jetën e vet…
Shtatori është muaji kur fillojnë shkollat dhe në të gjithë botën prindërit mundohen të gjejnë arsimin më të mirë për fëmijët e tyre. Edhe në Shqipëri njëherë e një kohë, shkollat kanë qenë të thjeshta për prindërit. Dihej pak a shumë se cilën zonë e mbulonte një shkollë publike aty afër dhe lufta më e madhe bëhej për të patur mundësinë e regjistrimit në gjimnazet publike më të mira dhe me emër. Në fund të ditës diferenca nuk ishte aq e madhe, por sidoqoftë prindërit mundohen gjithmonë për më të mirën. Ndër vite, arsimi duket sikur është lënë pas dore në rastin më të mirë dhe është shkatërruar për qëllime të ngushta përfituese në rastin më të keq…
Në ditët e sotme nuk luftojmë më veç për gjimnazet, në ditët e sotme jemi duke vuajtur pafund për të gjetur që nga çerdhet e kopshtet e sakta… e pastaj më vonë shkolla fillore e të mesme. Prindërit në të gjithë botën, por shqiptarët ne veçanti, duket sikur janë gati të paguajnë edhe shifrat më të pamundura për arsimin e fëmijëve të tyre. Kjo është diçka që me sa duket është pikasur nga shkolla-biznese që kanë çmime te frikshme në krahasim me standardin shqiptar… Por problemi më i madh nuk është ky, por fakti që me gjithë shumat e paguara sërish shkollat janë problematike.
Ka mungesë informacioni zyrtar dhe një renditje vjetore për to (në bazë të cilësisë, kushteve, kurrikulës, etj., siç ndodh nëpër botë) e cila i jep mundësinë çdo prindi të bëjë zgjedhjen e duhur, në bazë të asaj që kërkon. Ka mungesë kontrolli serioz, në mënyrë që prindërit të dinë se çfarë standardi ofrohet e shumë probleme të tjera. Janë shumë arsyet për të cilat arsimi ka kohë që çalon në mënyrë të dhimbshme, që nga kopshti e deri tek universiteti. Janë të shumta arsyet për shkak të së cilave prindërit shqiptarë përplasen andej-këndej pa gjetur qetësi dhe cilësi. Po ashtu edhe fëmijët që janë viktimat kryesore të kësaj situate.
Njoh miq fëmijët e së cilëve, deri në klasë te 9-të kanë ndërruar nga 3 shkolla dhe megjithëse kanë provuar publik e privat, sërish nuk kanë gjetur paqe. Njoh miq fëmijët e së cilëve kanë patur probleme që me kopshtet. Ka patjetër, nga ana tjetër, edhe disa që janë të kënaqur me gjithçka, por fatkeqësisht janë të rrallë. Shumica e prindërve, të lënë në mëshirë të fatit, në një treg që është i pa rregulluar siç duhet, përpëliten nga njëra anë në tjetrën, duke kërkuar një kopsht, shkollë, a gjimnaz të saktë si gjilpërën në kashtë. Thuhet që arsimi është shpirti i një shoqërie dhe pasaporta jonë për të ardhmen, por sa po investojmë tek e ardhmja e shoqërisë sonë dhe tek e tashmja e fëmijëve tanë?
Arsimi dhe mjekësia janë fushat e jetës ku, “të bësh sikur” sjell pasoja të pariparueshme. Sa të vetëdijshëm jemi se arsimi ka vite që nuk merr vëmendjen e duhur?
Ndaj miku im kishte të drejtë, prindërit nuk duhet ta qetësojnë ndërgjegjen thjesht duke paguar më shumë për fëmijët e tyre, por të kërkojnë që arsimi të funksionojë si sistem për të gjithë. Ne jemi larg kësaj, sepse ndryshe nga shumë gjëra të tjera, arsimi, ndonëse është një rrugëtim individual, nuk zgjidhet në mënyrë individuale.
Arsimi duhet të funksionojë si sistem, me një bazë të shëndetshme për të gjithë bashkë e më pas me specifika për atë që paguan më shumë apo më pak.
Nga Edlira Çepani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Familja sot dhe roli i saj në shoqëri
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi
“Detyrat m’i bën kompjuteri”, nxënësit përballë inteligjencës artificiale