Opinion

Eliverta Balla: Mësuesia dikur, sot dhe si duhet të jetë

Mësuesja Eliverta Balla (Memisha) sjellë një shkrim reflektues duke berë një parantezë për profesionin e mësuesisë se si ka qenë dikur, si është dhe si duhet të jetë!

Ishte 


Qëndroj në bankën time, me bisht të syrit shikoj se të gjithë shokët po përsërisin mësimin, rishikojnë detyrat se tani fillon ora e matematikës!

Hapat e mësuesit u dëgjuan që larg, dhe  qetësia mbizotëron ende pa hyrë ai. Minutat e pushimit për ne janë koha e përgatitjes për orën në vazhdim, komunikimi mes nesh është miqësor dhe me fjalë të thjeshta brenda normave!

Hyri profesori, apelin e bën me një të hedhur të syrit. Shkumësin e nxori nga përparsja dhe sa la regjistrin mbi tavolinë iu afrua "ekranit" ngjyrë të zezë, tabelës, ku e mbushte e fshinte pa u lodhur me shembuj të pafund ekuacionesh!

Ishim në moshën e adoleshencës, jo të gjithë mësonim gjithçka dhe çdo lëndë, por atë siluetën e mësuesit e kishim portretin më të respektueshëm.

Ai ishte një njeri si të gjithë të tjerët, patjetër që edhe ai ka gabuar e vepruar si çdo qenie njerëzore në situata të ndryshme, por prapë në syrin tonë ai ishte "i pagabueshmi", "i dituri" shembulli ku gjithë shoqëria, e çdo prind e lartësonin!

 

***


Është


Jam përsëri në klasë. Tashme përballë kam nxënësit e mi. Dy të bankës së parë po qeshnin e tregonin batutën e fundit të një të ashtuquajtur VIP në Tik-Tok; ata të bankës së tretë po mekeshin së qeshuri se kishin vendosur  fotot e mësuesve në video qesharake; ata të rreshtit të mesit numeronin “ndjekësit” në instagram, ata në rreshtin tjetër kërkonin pak qetësi se kishin gjithë natën live dhe donin gjumë.....

Unë jam mësuesja që imitoj mësuesin tim në qendrim, shpjegoj, kërkoj, nuk thyej parime e rregulla.

Për ata jam ajo që duhet t’ju drejtohem me përulje, edhe kur të më bërtasin se pse i kërkoj detyrat, duhet t’i kërkoj ndjesë edhe kur të më filmojnë. Nuk duhet t’i kërkoj të ndalojnë, se i krijohet ankth dhe reagojnë me sharje banale.

Nëse dua t’i përgjithësoj duke u kujtuar sakrificën e prindërve ose notën, atëherë me vjen karrigia në kokë, dhe "Unë, mësuesja" gjendem aty në dysheme, e poshtëruar, e shkelur, pa dinjtet...

Në vesh më buçasin të qeshurat, brohorimat për trimin që bëri goditjen....

Hedh sytë e përlotur nga nxënësit që më qeshin në fytyrë, i shikoj me keqardhje; as "trimin" se marr dot inat, sepse ai është një fëmijë i një kohe të keqe, por aspak i keq.

Mundohem te mbledh forcën e të çohem por s’mundem, çuditerisht dhimbjen se ndjej aty ku më goditi hekuri, por e ndjej në kraharor, më dhemb shpirti..

Kam turp!

Po pse?

Çfarë kam bërë!?

***


Duhet 


Të nderuar prindër, e nisur nga vetja se dhe vet jam e tillë:

Edukimi i fëmijës vjen nga shembulli juaj; flisni me edukatë përballë tij dhe ai do skuqet kur t’i shkas ndonjë fjalë në vendin e gabuar, tregojini që shkolla është godina më e shenjtë e të gjitha feve, mësuesi është figura më e respektuar dhe nuk të duhet shoqëria e tij, por mësimi i tij!

Tregojini që dhuna është veprimi më i ndyrë i njerëzimit!

Në qoftë se ne si prindër do u përcjellim fëmijëve tanë vlerat e moralit dhe ndjenjave njerëzore, do shpëtojmë nga kjo errësirë e thellë ku ka rënë arsimi.

Shijoni statusin më të bukur, të qenit prind, duke dëgjuar fjalë të bukura nga fëmijët tuaj, duke u krenuar me edukatën dhe arritjet e tyre!

Ju lutem na ndihmoni t’i bëjmë fëmijët të jetojnë paqësisht, me cilësi kulturore, sepse, pa dashur të heq barrën nga kurrizi (se jam vet mësuese), por nga shembujt jetësorë, them me bindje se: 

FAMILJA ËSHTË GURI I THEMELIT NË JETËN E ÇDO NJERIU!

SIDOMOS NËNA KA ÇELËSIN E SUKSESIT TË FËMIJËS SË SAJ!

DUKE QENË PRINDËR TË MIRË, SË BASHKU MUND TË PËRMIRËSOJMË TË ARDHMEN E FËMIJËVE TANË! 




Nga Eliverta Balla (Memisha)

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,945 Lexime
5 muaj më parë