Elmira Rama: Përparësitë e vlerësimit të vazhduar në kurrikulën me kompetenca

Elmira Rama, specialiste në DRAP Fier, trajton rëndësinë e vlerësimit të vazhduar në kurrikulën me kompetenca si mjet për të nxitur të nxënit, përmirësimin e vazhdueshëm të nxënësve dhe mësimdhënien e personalizuar, duke tejkaluar notën si qëllim përfundimtar.

Nga Elmira RAMA,  specialiste në DRAP Fier.



Nëse flasim për arsim cilësor, nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin e nxënësve.


Vlerësimi është procesi ku mblidhen të dhënat për arritjen e rezultateve të të nxënit, duke u bazuar në nivelet e arritjes (Udhëzimi nr. 17, datë 05.07.2022, MAS).


Qëllimi themelor i vlerësimit në arsim është të vendosë dhe të kuptojë pikat që nxënësit (qoftë si individë ose grupe) kanë arritur në të nxënit e tyre në kohën e vlerësimit (Masters, 2015). Mund të ndodhë që nxënësi të përgjigjet saktë në një test të shumëfishtë, por në një situatë reale të mos e demonstrojë atë që di. Zëvendësimi i vlerësimit tradicional (përmbledhës) me vlerësimin alternativ (formues) u propozua nga Grant Wiggins, i cili paraqet një vlerësim jo të asaj që nxënësi di, por të asaj që nxënësi mund të bëjë me atë që di. 


Në kurrikulën me kompetenca,qëllimi i vlerësimit është gjykimi mbi arritjet e nxënësit, duke iu referuar përmbajtjes së kurrikulës që bazohet në kompetenca, si dhe mbështetja e të nxënit dhe përparimit të nxënësit. Ky qëllim përmbushet me kombinimin e vlerësimit tradicional (vlerësimi përmbledhës / i të nxënit) dhe inovacionit (vlerësimi formues / për të nxënë).


Vlerësimi i të nxënit të nxënësit kryhet nëpërmjet: 


a) Vlerësimit periodik. 

b) Vlerësimit përfundimtar.


Vlerësimi për të nxënë kryhet nëpërmjet:


a) Vlerësimit të vazhduar. 

b) Vlerësimit me test/detyrë përmbledhëse. 

c) Vlerësimit me projekt kurrikular.


Kuptimi i vlerësimit të vazhduar


Vlerësimi i vazhduar (formues) është një koncept i prezantuar për herë të parë nga Scriven dhe tregon një praktikë përmes së cilës është e mundur të mbështetet procesi i mësimdhënies-të nxënit (Bloom, 1969).



Ky vlerësim ofron reagime për t’u mundësuar mësuesve dhe nxënësve t’u përgjigjen tri pyetjeve kryesore:


  1. Çfarë duhet mësuar?
  2. Si po përparon të mësuarit?
  3. Çfarë do të mësohet më pas? (Hattie, J, 2003).


Vlerësimi i vazhduar për të nxënë është pjesë e mësimdhënies dhe motivon përparimin e nxënësit në të gjitha aspektet e të nxënit, në situata të njohura dhe të panjohura. Ai bazohet në vëzhgimet dhe në gjykimet e mësuesit për përgjigjet me gojë ose me shkrim, punët në grup, diskutimet si dhe në teknika të tjera të vlerësimit që zgjidhen nga mësuesi. 


Pesha në përqindje e vlerësimit të vazhduar në vlerësimin përfundimtar është 45 për qind për klasat IV-V dhe 40 për qind për klasat VI-XII. 

Shpesh, nxënësit përqendrohen vetëm në marrjen e një note dhe, pasi ta kenë arritur këtë qëllim, harrojnë shumë nga ato që kanë mësuar. 

Vlerësimi i vazhduar me notë në regjistër kryhet vetëm pasi mësuesi sigurohet që ky vlerësim është objektiv dhe i argumentuar.

Gjatë fazës së vlerësimit të vazhduar me shprehje nga mësuesi, nxënësit janë më aktivë dhe të stimuluar, ndjekin me interes dhe mësojnë të bashkëpunojnë, në vend që të konkurrojnë. Procesi mësimor është i orientuar drejt formimit të kompetencave dhe jo thjesht drejt notës. 


Rezultate studimi 


Nga hulumtimi i kryer në disa prej shkollave tona të arsimit parauniversitar rezulton se vlerësimi i vazhduar paraqitet si sfidë për 74,4 për qind të mësuesve të anketuar.


Sidoqoftë, 95.3 për qind e mësuesve pohojnë se e planifikojnë vlerësimin sipas niveleve të arritjeve dhe teknikën e vlerësimit e përshtatin me rezultatet e të nxënit.

Vlerësimi i vazhdueshëm kryhet gjatë gjithë orës mësimore nga 81.4 për qind e mësuesve të anketuar, gjatë fazës së evokimit kryhet nga 7 për qind e mësuesve dhe 11.6 për qind e mësuesve përdorin fazën e reflektimit.


Nga përvoja e tyre, 51.2 për qind e mësuesve i konsiderojnë përgjigjet verbale të nxënësve si më efektive për vlerësimin e vazhduar, 25.6 për qind e konsiderojnë minitestin, 14 për qind metodën e vlerësimit të njëri-tjetrit dhe 9.3 për qind vetëvlerësimin. 


Ndërkohë, 72.1 për qind e mësuesve pohojnë se vlerësimi i vazhdueshëm ndihmon në identifikimin e dobësive të nxënësve dhe për ndërhyrje të personalizuara.

Nga këndvështrimi i nxënësve të anketuar rezulton se 81.8 për qind ndihen të motivuar dhe arrijnë të vetëkorrigjohen nga vlerësimi i vazhduar. 

60.1 për qind e nxënësve pohojnë se ndodh që të demoralizohen nga vlerësimi i mësuesve dhe arsyet kryesore janë vlerësimi pas vetëm një ose dy pyetjesh, si dhe aktivizimi në klasë i vetëm pak nxënësve.


Disa sugjerime të nxënësve janë: 


- Mësuesi duhet ta realizojë orën mësimore sa më interesante, për të siguruar vëmendje dhe përqendrim. 

- Mësuesi duhet të fokusohet në vlerësimin e vazhdueshëm të nxënësve dhe të aktivizojë gjithë klasën. 

- Mësuesi duhet t’i drejtojë pyetjet të qarta dhe të kuptueshme.

- Mësuesi të jetë i kujdesshëm gjatë vlerësimit inkurajues me shprehje, për të minimizuar ndikimin emocional negativ te nxënësi. 


 PËRFUNDIM 


Vlerësimi i vazhduar ndihmon që nxënësit të inkurajohen gjatë gjithë orës së mësimit, identifikon aspekte që duhen përmirësuar, e ndihmon nxënësin të vetëkorrigjohet dhe mundëson mësimdhënien e personalizuar.


Burimi: THE ADVANTAGES OF FORMATIVE ASSESSMENT VERSUS SUMMATIVE ASSESSMENT IN THE CURRICULUM WITH COMPETENCIES



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

411 Lexime
4 orë më parë