Aktualitet

Fiktivitet notash në maturë, Hasi dhe Kavaja në krye. MAS: Këtë vit provimet do bëhen në hapësira të mëdha

Nga analiza e fundit e Maturës Shtetërore 2022, rezultoi se shumë mësues vendosin nota të pamerituara apo dhe lejojnë maturantët të kopjojnë gjatë provimeve.Hasi, Kavaja dhe Kukësi kryesojnë për fiktivitetin më të lartë, nga 3 deri 5 nota plus apo minus. Kushi: Matura 2023 do zhvillohet në hapësira të mëdha.

Diferenca e vlerësimit vjetor të nxënësve me provimet e maturës 2022 ka qenë shumë e theksuar sidomos në provimin e matematikës. Sipas raportit të maturës shtetërore, fiktiviteti i notës në maturë, në disa zyra arsimore ka arritur deri në 40% të nxënësve të cilët kishin diferencë me 3-4 nota në krahasim me rezultatet e gjimnazit.


“Në lëndën Matematikë ka një rritje me tre nota 1229 nxënës, me  katër nota 357 nxënës dhe me 5 nota 49 nxënës. Në total 1635 nxënës”, tha Aurora Balla, drejtore e QSHA. 


Fiktiviteti i notave ishte një shqetësim i madh që u ngrit edhe nga Ministria e Arsimit, Evis Kushi, e cila tha se për të shmangur këtë fenomen negative do i zhvillojnë provimet në ambiente të mëdha.


“Kjo flet ose për fiktivitet gjatë viti, apo për keqadministrim të procesit të maturës shtetërore. Për të garantuar miradministrimin e procesit ne këtë vit kemi menduar që provimet e maturës të zhvillohen në mjedise të mëdha që garantojnë edhe siguri më të lartë edhe monitorim më të madh”, u shpreh Kushi. 


Për shkak të fiktivitetit të lartë të notave, Ministria ka anuluar përkohësisht rankimin e gjimnazeve sipas cilësisë.


Ndërkaq, sipas Kushit futja e testiti të informatizuar te mjekësia këtë vit do të rrisë edhe cilësinë e maturantëve që shkojnë në këtë degë: “Kanë qenë gjithmonë rreth 3000 maturantë ata që aplikojnë dhe kërkojnë të studiojnë në programin Mjekësi e Përgjithshme, provimi do të zhvillohet brenda 10 ditëve. Do të jetë provim i digjitalizuar, në formatin e provimeve të licencave ku edh testi vlerësohet aty, ku edhe vlerësimi i tekstit është automatik”.


Nga 30 mijë maturantë që kanë hyrë në provimet e maturës në 2022,  3.485 prej tyre kanë patur nga 3 deri në 5 nota diferencë me rezultatet vjetore.



Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,274 Lexime
1 vit më parë