Finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, fitues gjimnazi “Zhani Ciko”, Patos me projektin “Parku Inteligjent i Bletëve”
Në finalen e parë të Festivalit Kombëtar të Shkencës, gjimnazi “Zhani Ciko” nga Patosi u shpall fitues me projektin “Parku Inteligjent i Bletëve”. Aktiviteti mblodhi mijëra nxënës nga e gjithë Shqipëria, duke nxitur inovacionin, mendimin kritik dhe përdorimin e teknologjisë në zhvillim.
Është mbajtur dje finalja e edicionit të parë të Festivalit Kombëtar të Shkencës me nxënësit e gjimnazeve të Shqipërisë. Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe kryeministri Edi Rama vizituan nga afër stendat e nxënësve ku u njohën me projektet dhe prototipet e krijuara prej tyre.
Gjatë fjalës së saj, ministjra e Arsimit Mirela Kumbaro falënderoi nxënësit dhe mësuesit për angazhimin në këtë festival.
“Ju jeni sot të gjithë fitues, mbi 300 gjimnaze të Shqipërisë janë angazhuar, 6 mijë nxënës kanë marrë pjesë dhe kanë vrarë mendjen duke përkthyer dijet e tyre që kanë marrë në shkenca në projekte të bukura bashkë me mësuesit. Bashkë me mësues të matematikës, informatikës, biologjisë të gjithë shkencave, sinqerisht duhet t'ju themi faleminderit të gjithë nxënësve që na injektuan këtë energjinë dhe adrenalinë sepse kemi të gjithë nevojë për këtë, prandaj përderisa keni mbërritur këtu jeni të gjithë fitues.
Ajo që është e bukur është se ju sot keni shumë më tepër mundësi, keni shumë mjete në duar, keni shumë më tepër përgjigje për shumë pyetje dhe më vjen mirë që do të keni mundësinë nesër dhe në vitet në vijim që do të keni projekte të zhvillimit të ekonomisë, shkencës por sidomos të mendimit kritik dhe ta gjeni vet rrugën që do të ndiqni në jetën tuaj.
Inteligjenca artificiale është ajo që është sot e pranishme dhe do të jetë bashkudhëtarja jonë e pashmangshme. E gjitha kjo bashkë me Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe që e përmbyllëm javën e kaluar, bashkë me programin Art -Zeje, bashkë me ekipet sportive dhe paketën e re ligjore që ne kemi bërë për të nxitur jo vetëm mësuesit por edhe të tjerë ekspertë të fushës të na bashkëngjiten të gjitha këto janë pjesë e programit që ne e kemi quajtur edhe me ndryshimet ligjore 'Pas Shkolle'”, tha ministrja Kumbaro.
3 çmimet e para të edicionit të parë të këtij festivali u fituan nga gjimnazet “Asim Zeneli” Gjirokastër (vendi i tretë), “28 Nëntori” Shkodër (vendi i dytë) dhe “Zhani Ciko” Patos (vendi i parë).
Gjatë dhënies së çmimit për grupin fitues të shkollës “Zhani Ciko” të Patosit, kryeministri Edi Rama u shpreh: “Ky çmim tregon se kjo kohë e teknologjisë, përtej zonës së madhe apo te vogël, qytetit apo fshatit, qendrës apo periferisë, ka sjellë qe mjafton dija, fuqia e ëndrrës dhe vullneti se bashku me një smartphone ose kompjuter per te sunduar fatin dhe për te ndryshuar boten dhe shembulli i vajzave dhe djemve nga Patosi është një shembull kuptimplote i këtij festivali, çdo gjë e prisja nga Patosi, duke qene se është i lidhur me zonën e naftës, por të vijnë vajza e djem nga Patosi te flasin për lulet dhe bletët, është diçka e jashtëzakonshme”, ishte fjala e kryeministrit Rama.
Projekti fitues i këtij edicioni të parë “Parku Inteligjent i Bletëve”, ishte një përpjekje ekosistem funksional ku ndërthuren të dhënat biologjike dhe digjitale për monitorim mjedisor, edukim STEM dhe zhvillim ekonomik lokal nga grupi i nxënësve të shkollës “Zhani Ciko” në Patos.
Ministrja Kumbaro falënderoi edhe partnerët e këtij festivali si Unicef, Save the Children, British Council edhe shumë partnerë të tjerë sidomos universitetet, Universitetit Politeknik, Universitetit të Tiranës, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Vlorës, Elbasanit që kanë mbështetur dhe mentoruar nxënësit në projektet e tyre.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600