Fiqiri Çifliku: Portali Shkollor Albas, hapësira ku fjalët e lira bëjnë ndryshimin

Ky dedikim i veçantë na erdhi nga eksperti Fiqiri Çifliku dhe e ndajmë me ju me shumë kënaqësi në Portali Shkollor Albas. Ai na sheh si një hapësirë ku fjalët e lira dhe mendimet e guximshme gjejnë zë, një vend ku arsimi diskutohen me sinqeritet dhe pa filtrore!

Këtë shkrim do ja dedikoj Portalit Shkollor, flet për ne, na jep zë. Ti kthejmë një falënderim është minimale. Personalisht e konsideroj si  një akademi të hapur për fjalën e lirë dhe mendimin kritik në fushën e arsimit.


Nuk kam përfitime financiare. Nuk jam pjesë bordesh. Nuk kam ndonjë lidhje institucionale. Jam thjesht një bashkëbisedues. Dhe kjo është mjaftueshëm.


Prej kohësh, bashkëpunoj me Portalin Shkollor dhe zonjën Nanila Allkja Biçaku, e cila më ka pritur gjithmonë me një “derë të hapur” e s’më ka pyetur kurrë “nga vjen”, por “çfarë ke për të thënë?”. Më është dhuruar një kënd i fjalës së lirë, ku nuk ka formate të sforcuara, as retorika ceremonialesh, por thjesht thirrje për të menduar dhe për të folur.


Në një kohë kur shpesh edhe komentet nëpër rrjete sociale kalojnë filtrin e kujdesshëm të algoritmeve apo të retorikës bosh, Portali më ka dhënë hapësirë pa e pastruar fjalën nga “tonet e vërteta”, ato që nuk janë gjithmonë të buta, por janë gjithmonë të ndershme.


Portali Shkollor është më shumë se një faqe me njoftime të rëndomta. Është një akademi e hapur, një portë diskutimi, laborator i ideve, ku çdo mësues, student, prind apo qytetar i përfshirë në jetën publike mund të ndalojë, të lexojë dhe më e rëndësishmja,  të ndjejë se është pjesë e një dialogu.


Kjo është një dritare e rrallë, sepse këtu fjala nuk shkon drejt një bunkeri, por del në dritë dhe fton të tjerë të reagojnë, të mendojnë, të shkruajnë. 


Në këtë platformë, çdo shkrim është një rrahje zemre e vetëdijes arsimore, një përpjekje për ta mbajtur arsimin si urë, jo si mur. Për këtë arsye, Portali përfaqëson shumë më tepër se çdo faqe zyrtare , përfaqëson një shpirt kolektiv që nuk ka frikë nga pyetjet e vështira dhe nuk kërkon konsensus të verbër, por mendim të pastër.


Nëse e ndjen se ke diçka për të thënë, një mendim që të rri pezull, një shqetësim që nuk e mban dot për vete, një përvojë që meriton të dëgjohet, mos prit ftesë zyrtare. Portali Shkollor është pikërisht “llogorja e mendimit”, ku çdo zë i sinqertë gjen strehë.


Mos mendo se fjala jote duhet të jetë perfekte, letrare apo akademike. Mjafton të jetë e vërtetë. Në këtë hapësirë, ndershmëria ka më shumë peshë.


Aty ku shumë dyert mbyllen, Portali Shkollor lë një dritare hapur, për të dëgjuar, për të reaguar, për të menduar ndryshe. E nëse edhe një shkrim i vetëm arrin të ndezë një reflektim, atëherë kjo nuk është më një faqe interneti, por një lëvizje mendimi që meriton të rritet.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

528 Lexime
16 orë më parë