“Fshesarja e Republikës”, Anisa Markarian rrëfehet për romanin e saj të ri
Në këtë intervistë, shkrimtarja Anisa Markarian flet për romanin e saj të ri, “Fshesarja e Republikës”, një pasqyrë e dhunës dhe korrupsionit në shoqërinë shqiptare, përmes personazhit të Vezullores. Markarian diskuton tematikat sociale, stilin e saj dhe mesazhet që synon të kalojë te lexuesit.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor Albas, shkrimtarja dhe aktorja Anisa Markarian flet për romanin e saj të ri, “Fshesarja e Republikës”, një vepër që sjell një pasqyrë të ndërlikuar dhe të thellë të shoqërisë shqiptare dhe të përplasjes mes individëve dhe sistemit. Botuar nga ALBAS, ky roman trajton tema të rëndësishme sociale, si dhuna ndaj grave, korrupsioni dhe përpjekjet për të sfiduar një regjim të shkatërruar, duke u fokusuar në jetën e Vezullores, një vajzë e re që është simbol i rebelimit dhe rezistencës ndaj padrejtësive. Me një stil unik, që kombinon realizmin magjik dhe humorin e zi, Markarian kërkon të shkaktojë një reflektim të thellë tek lexuesi, duke e ftuar atë të ndërgjegjësohet për rreziqet që vijnë nga indiferenca sociale dhe politike. Në bisedën e mëposhtme, ajo ndan mendimet dhe pasionin e saj për këtë vepër, duke përshkruar gjithashtu edhe sfidat që ka hasur në krijimin e saj dhe mesazhet që dëshiron të kalojë tek audienca.
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
Znj. Markarian, përse zgjodhët titullin “Fshesarja e Republikës”? Çfarë simbolizon ky titull në raport me tematikën e romanit dhe protagonisten e tij?
Nanila, më lejo ta filloj bisedën tonë me një falënderim për cilësinë e bashkëpunimit me Albas dhe kënaqësinë e raporteve njerëzore që u krijuan. Falënderoj veçanërisht Ritën dhe Dorinën, “bletën punëtore” që redaktoi librin, ty dhe gjithkënd tjetër që, me durim e pasion, dhatë ndihmesën tuaj në përgatitjen dhe botimin e tij. Për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, mendoj se është romani, që zgjodhi titullin e tij. Kush do ta lexojë, do të më japë të drejtë në çfarë po them, besoj. Në tri fjalët e titullit është përmbledhur bota e protagonistes. Njëkohësisht, edhe absurditeti i regjimit nën të cilin jetojnë personazhet e librit.
Vezullore Bega është një personazh kompleks dhe rebel. Çfarë ju frymëzoi në krijimin e saj dhe cilat mesazhe synoni të përcillni përmes këtij personazhi?
Kopertina e romanit "Fshesarja e Republikës"
Vezullorja është vashëza-sorkadhe e përfytyrimeve të mia fëmijërore e cila, me kalimin e viteve (siç e them në kopertinën e fundit të librit), m’u bë motër, shoqe, bijë dhe... betejë. Simbolizon përpjekjet tona dhe të të gjithë shoqërisë për të parandaluar, luftuar e dënuar çdo lloj dhune ndaj vajzave e grave dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit femëror. E parë në këtë prizëm, Vezullorja është një personazh që i tejkalon kufijtë shqiptarë. Personifikon një kauzë aktuale edhe për shtetet apo shoqëritë më të zhvilluara.
Romani trajton tema sociale dhe përplasjet mes individit dhe sistemit. Si e shihni këtë marrëdhënie dhe cilat janë disa nga çështjet kryesore, që dëshironi të adresoni?
Ndonëse është një tematikë dytësore (në krahasim me romanin tim të parë “15 ditë prilli”), përplasja e individit me sistemin ndihet në çdo faqe të librit. Për ta bërë sa më të natyrshëm gërshetimin me historitë personale të personazheve (Vezullorja, Festimja, Ola B., Ditila, Erblina, Nailja, Pikëpyetja, etj.), rrethanat politiko-shoqërore në të cilat zhvillohen ngjarjet e romanit i kam pikturuar me penelata humori (të zi) gjer në grotesk. Grotesku dhe absurdi janë dy elementet më shprehëse të stilit tim. Më ndihmojnë t’i përçoj mesazhet aty ku dëshiroj, me mprehtësinë që dëshiroj. Mesazhi më i fuqishëm i romanit (përveç kauzës së shenjtë që përmenda më sipër) është ndërgjegjësimi ndaj rreziqeve të korruptimit. Personazhet e romanit tim përballen me një demokraci të korruptuar në të gjitha nivelet.
Në këtë libër, keni krijuar një atmosferë të ngarkuar emocionale, shpeshherë edhe me nota satirike. Si i përzgjidhni elementet e humorit dhe të satirës në trajtimin e temave serioze?
Mendoj se nuk është çështje përzgjedhjeje. Ose më saktë, përzgjedhja që bëj s’ka lidhje me humorin, por me personazhet që do t’i japin jetë librit. Situatat komike, dialogët shpotitës e sarkastikë m’i diktojnë ata vetë kur ulem të shkruaj. Gjithashtu jam e mendimit se sa më serioze të jetë tema e një vepre artistike, aq më shumë nota humori e vet ironie duhet të përmbajë. U bën mirë të dyja palëve: veprës dhe lexuesve të saj.
Origjina dhe identiteti janë tema që shfaqen shpesh në veprat tuaja. Si ndikon identiteti dhe prejardhja e Vezullore Begës në trajektoren e saj në këtë roman?
Vezullorja si dhe shumica e personazheve të librit janë anëtarë të një komuniteti që e vëzhgoj prej kohësh me shumë kënaqësi. Ushqej ndaj tyre jo vetëm interes por edhe admirim. E kam fjalën për romët dhe egjiptianët. Në vitet kur jetoja në Shqipëri, i quanim arixhinj (ose ciganë) dhe evgjitë (ose jevgj). Kjo është arsyeja përse në libër kam përdorur termat e dikurshëm. Fakti që Vezullorja e ka origjinën nga komuniteti evgjit shpjegon karakterin e saj bohem, stilin e paimitueshëm në veshje e krehje dhe, sidomos, peripecitë e jetës dhe mënyrën se si u bën ballë.
A është “Fshesarja e Republikës” një kritikë ndaj sistemit arsimor dhe institucional? Cilat janë disa nga sfidat që nënvizoni dhe si mund të reflektojnë këto sfida realitetin tonë sot?
Ha haa! Më ke dalë në shteg, Nanila. Që prej 25 vjetësh, krahas punës si mjeke urgjentiste, kam edhe një aktivitet si lektore. Jap leksione në Institutin e Dietologjisë. Pa e pasur aspak si qëllim në vetvete, disa nga shqetësimet e mia kundrejt nivelit të kërkesave arsimore, që sa vijnë e ulen (flas për këtu në Francë), ia kam kaluar edhe Vezullores dhe drejtorit të gjimnazit profesional ku ajo është nxënëse. Më kujtohet se, vitet e para të mësimdhënies, në fund të orës së leksionit u jepja studentëve referencat bibliografike mbi të cilat isha mbështetur për të konceptuar diapozitivat. Në leksionet që pasonin, konstatoja me kënaqësinë më të madhe se disa nga studentët i kishin kërkuar artikujt e bibliografisë në bibliotekën e Institutit dhe i kishin lexuar. Vite më pas, referencat bibliografike nisa t’i jepja në formë linku elektronik. Duke menduar se konsultimi i artikujve në linjë do t’u kursente studentëve kohë dhe mund, kisha krijuar bindjen se do të lexonin më shumë. Më dhemb në shpirt të të them se, jo vetëm nuk lexuan më shumë por, me kalimin e viteve, linkëve të vënë në fund të diapozitivave nuk u kushtonte më njeri vëmendje. Fatkeqësisht, mjaftohen vetëm me tekstin e leksionit. E dinë që në provime dhe gjatë mbrojtjes së tezës, nuk do t’u bëhen pyetje jashtë teksteve “zyrtare” të programit shkollor. Ja, një sfidë e thepisur! Të gjejmë mënyrën për të (ri)ngjallur te nxënësit, që në moshë të re, kënaqësinë e punës kërkimore përtej teksteve të librave shkollorë.
Ky roman ngjall ndjenja dhe përvojë autentike të të rinjve, duke përfshirë edhe elemente të përditshme shqiptare. Çfarë roli luan ky realizëm në krijimtarinë tuaj?
Të jem e sinqertë, nuk merakosem më të zgjedh se në cilin “realitet” do t’i vendos personazhet e mi. Falë realizmit magjik, historitë e vërteta mund t’i tregoj me personazhe mbinatyrore ose personazhet reale mund t’i “katapultoj” në botë imagjinare. Ja pse përvoja e jetës në Shqipëri (28 vjet), që e mbart brenda vetes në formë kujtimesh, dhe përditshmëria e jetës në Francë shkrihen te njëra-tjetra në mënyrë të harmonishme e të pashmangshme. Po ta vëresh me kujdes, përshkrimet e rrethanave dhe të ambienteve ku ndodhin ngjarjet e romanit nuk janë kurrë njëqind për qind shqiptare. Por as njëqind për qind franceze. Disa prej tyre madje i referohen mitologjisë.
Si shpresoni që ky roman të ndikojë lexuesit, sidomos të rinjtë? Çfarë mesazhi do të dëshironit të merrnin nga historia e Vezullores?
Do të dëshiroja që romani t’i ndërgjegjësojë lexuesit, në veçanti të rinjtë, mbi rreziqet që na kanosen po të qëndrojmë indiferentë ndaj dhunës, korrupsionit, nëpërkëmbjes së të drejtave tona dhe mohimit të së kaluarës së përbashkët historike e politike.
Çfarë risie mendoni se sjell “Fshesarja e Republikës” në krahasim me veprat tuaja të mëparshme? A ka një transformim në stilin tuaj?
Për mua si autore, “Fshesarja e Republikës” është një hap më tej, qartësisht i përvijuar, në lëvrimin e realizmit magjik dhe konsolidimin e stilit tim.
Çfarë prisni nga promovimi i romanit në Panairin e Librit në Tiranë? Çfarë dëshironi të ndani me lexuesit në këtë ngjarje të librit në Shqipëri?
Në një status, që publikova përpara pak ditësh në faqen time Fb, Panairin e Librit e krahasoj me një “gosti” të bukur letrare. Lum kush i përgjigjet ftesës e vjen të shijojë, në prani të autorëve, “gatesat” e tyre të radhës. Me lexuesit e mi kam një raport sa të vyer aq edhe të veçantë. Kur i takoj, jam unë ajo që bën pyetje. Më pëlqen të mësoj gjithçka nga jeta e tyre në mënyrë që, bashkë me falënderimin për besnikërinë artistike, t’u kushtoj dy fjalë që pasqyrojnë personalitetin dhe historinë e secilit.
Sakaq, mund ta themi se, shumica e shqiptarëve ju kujtojnë si aktore të dashur filmash, si në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”(Dhurata), "Në çdo stinë" (Zana), "Pranvera s'erdhi vetëm" (Irena) dhe "Ngjyrat e moshës" (Keti). Në dy prej tyre keni qenë jo vetëm protagonistja kryesore por edhe skenariste, dhe nuk mund të mos pyes: a e mendoni “Fshesaren e Republikës” si një film në të ardhmen?
Uroj me gjithë zemër që “Fshesarja e Republikës” të gjejë edhe forma të tjera rrëfyese. Pse jo, një ekranizim apo një dramatizim, siç më ndodhi me romanin “15 ditë prilli”. Nisur nga njëra prej temave të tij, shkrova një dramë me 3 akte, që do të vihet në skenë nga regjisorja e talentuar dhe mike e dashur Driada Dervishi.
Aktore, shkrimtare, mjeke, grua, nënë, mike,etj, si e menaxhon veten Znj.Markarian kaq dimensionale?
M’i skuqe mollëzat, Nanila. Të jam mirënjohëse për vlerësimin. A më lejon t’ua ndryshoj paksa renditjen fjalëve të tua? Anisa është: nënë, grua, mjeke, mike, shkrimtare, aktore, skenariste, dramaturge..., me fatin e rrallë të një origjine të dyfishtë, armeno-shqiptare.
Faleminderit për kohën tuaj! :)
Një kënaqësi femërore, ky bashkëbisedim, Nanila.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
“Znj. Osmond”, liria dhe psikologjia femërore në romanin e John Banville, përkthyer nga Granit Zela