“Booker 2023”

Georgi Gospodinov dhe Clemens Meyer, dy autorët e ardhur në shqip nga ALBAS, janë nominuar për çmimin “The International Booker Prize 2023”

Dy autorët e huaj Georgi Gospodinov dhe Clemens Meyer, të ardhur në shqip nga ALBAS, janë nominuar në listën e gjatë për Çmimin Ndërkombëtar “Booker 2023”. Çmimi Ndërkombëtar i Librit “Booker” nxjerr në pah letërsinë artistike nga të pesë kontinentet, të përkthyera në gjuhën angleze.

 “The International Booker Prize 2023” vlerëson vepra të letërsisë artistike nga e gjithë bota të përkthyera në gjuhën angleze.


Përfshirja në këtë listë për autorin bullgar Georgi Gospodinov ka qenë lajm i mirë, teksa ai e ka shpërndarë njoftimin në profilet e tij në rrjetet sociale. 


“Asnjë libër tjetër në gjuhën bullgare nuk është nominuar për The International Booker Prize 2023. Dy gjuhët e tjera që janë futur për herë të parë në listën e gjatë janë katalanishtja dhe tamilja”, thuhet në uebfaqen e “Booker Prize”.

Georgi Gospodinov 

Autori Georgi Gospodinov njihet nga lexuesi shqiptar përmes librit “Fizika e trishtimit”, botim i “Albas”, përkthyer nga Milena Selimi. 

 Clemens Meyer

Ndërsa shkrimtari tjetër i nominuar në Çmimin Ndërkombëtar “Booker 2023”, autori gjerman Clemens Meyer, i është prezantuar publikut shqiptar përmes veprës “Nata, dritat”, po botim i “Albas”, përkthyer nga Anna Kove. 


Urojmë që të dy autorët t’i shkojnë deri në fund garës...



Pak për The International Booker Prize 2023


Lista e gjatë e The International Booker Prize 2023 përfshin 13 vepra të përzgjedhura nga 134 aplikime. Lista e ngushtë do të shpallet më 18 prill gjatë Panairit të Librit në Londër dhe do të përfshijë gjashtë prej kandidatëve të listës së gjatë. Fituesi do të shpallet në një mbrëmje gala në Londër më 23 maj.


Juria kryesohet nga novelistja franko-marokene, fituese e çmimit, Leila Slimani. Paneli përfshin gjithashtu Uilleam Blacker, njëri nga përkthyesit kryesorë të letërsisë ukrainase në anglisht; Tan Twan Eng, romancieri malajzian i përzgjedhur në listën e ngushtë të “Booker”; Parul Sehgal, shkrimtar dhe kritik i stafit në “New Yorker”; dhe Frederick Studemann, Redaktor letrar i “Financial Times”.

Çmimi për fituesin është 50 000 GBP, e ndarë në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit (ose e ndarë në mënyrë të barabartë midis përkthyesve të shumtë). Ka një çmim prej 5000 GBP për secilin nga titujt e përzgjedhur: 2500 GBP për autorin dhe 2500 GBP për përkthyesin (ose i ndarë në mënyrë të barabartë midis përkthyesve të shumtë).




Nanila Allkja Biçaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

965 Lexime
1 vit më parë